LSI kundër ashpërsimit të penaliteteve ndaj biznesit.Opozita: Hapësirë për abuzime

476
Ndryshimet në kodin penal kanë shkaktuar një sërë debatesh në komisionin e Ekonomisë. Deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli, tha se masat ndëshkimore janë shumë të ashpra. Ndërkohë që për opozitën ato nuk pritet te sjellin asnje përmirësim të arkës së shtetit. Zyrtare të Ministrisë së Financave mbrojtën draftin e qeverisë që kërkon 84 vota për miratim, të cilat shumica, kohet e fundit ka treguar se nuk i ka të konsoliduara.
Komisioni i Ekonomisë miratoi ndryshimet në kodin penal të cilat parashikojnë ashpërsim të penaliteteve ndaj bizneseve.
Këto ndryshime u kundërshtuan edhe nga përfaqësues të LSI, të cilët i vlerësuan masat drastike.
Kadeli: Këtu nuk është ashpërsuar disi, me këtë ashpërsim ne po e shkatërrojmë biznesin.
Braçe: Cilin biznes?
Kadeli: Çdo biznes.Tek 20 nene keni vetëm burg, burg, burg dhe 10-fishim.
Braçe: A mund të thuhet këtu që po bërë kontrabandë…?
Kadeli: Edhe ti e mendo si unë por nuk e thua dot.
Braçe: Jo mo unë e mendoj si unë nuk e mendoj si ty fare.
Ndërkohë për opozitën forcimi i masave ndëshkimore për biznesin nuk u konsultua me grupet e interesit.
Bode: Sanksionimet e këtij ligji janë kundër frymës dhe praktikave të ndëshkimeve që ka hapësira europiane.
Shehi: Unë gjykoj që kjo lloj mase nuk ka për të sjellë asnjë lloj përmirësimi. Kur bëhej kontrabandë me naftën në ’95-’96, se në çdo kohë janë bërë zullume këtu, për të kontrolluar doganierët vumë policë dhe për të kontrolluar policët vumë SHIU-n e shtetit dhe u erdhi era naftë të gjithëve.
Zv/Ministrja e Financave, Irena Beqiraj, shpjegoi se këto masa po merren për të sensibilizuar biznesin në një kohë që mbledhja e gjobave është e ulët.
Sipas ndryshimeve në ligj, kontrabanda dënohet me burgim deri në dhjetë vjet, ndërsa për të gjithë ata subjekte tregtare që ushtrojnë aktivitetin në shkelje të ligjit apo nuk lëshojnë kupon tatimor parashikohet burgim deri në 3 vjet.
Agjentët tatimorë rrezikojnë të vuajnë deri në 7 vite heqje lirie për çdo rast abuzimi me detyrën.
Sigal