LSI, e gjitha në opozitë. Kryemadhi: Konstruktivë, jo kundër për çdo gjë

509
Sigal

Në intervistën e parë politike pas marrjes së detyrës si kryetare e LSI, Monika Kryemadhi shuan të gjithë zërat lidhur me qëndrimin kësaj force politike, pas dorëheqjes se nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.


Në fakt ngjarjet e të mërkurës dhe të enjtes duket se prodhuan krisjen
përfundimtare mes PS dhe LSI edhe në këshillin bashkiak tashmë. Si është e
vërteta e asaj mbledhjeje, pasi fillimisht u fol që u pranuan kushtet e LSI-së
nga ana e Kryetarit të Bashkisë, Veliaj, më pas u pa që nuk ishin prezent
këshilltarët e LSI-së?

Kjo është tashmë një etapë e mbyllur për ne. Gjërat janë shumë të qarta.
Unë mendoj se nuk ka as krisje, as çarje dhe as ngjitje në marrëdhëniet me PS.
Marrëdhëniet institucionale të LSI-së, jo vetëm me PS, por me çdo parti
politike, janë marrëdhënie që kanë të bëjnë me qytetarin dhe në shërbim të
komuniteteve.

Dua ta them këtë dhe për ta bërë të qartë, sepse edhe vendimi i anëtarëve
të këshillit bashkiak dhe pozicionimi i znj. Paskali ka të bëj me pozicionimet
politike në funksion të vendimeve. të cilat nuk cenojnë absolutisht qytetarin
dhe janë vetëm në shërbim të tyre. Raste si çështja e rritjes së çmimit të
ujit, që për ne është shumë i rëndësishëm, jo vetëm që qytetarët të kenë të
mundur furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë, janë reforma të cilat duhet bërë
edhe pse mund të kenë kosto dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme, por të
gjitha këto reforma duhen të kenë një transparencë të hapur dhe transparenca
është çelësi kryesor i bashkëpunimit që LSI-ja do ta japë si një domosdoshmëri
të funksionimit.

Sepse transparenca në radhë të parë është ajo që zhduk dhe eliminon çdo
lloj keqkuptimi dhe mbi të gjitha çdo lloj abuzimi. Pastaj sa i përket
marrëdhënies me PS-në, e kemi deklaruar pas zgjedhjeve të 25 qershorit, që LSI
do të jetë opozitë. Opozita nuk është më çështje numrash, opozita është çështje
morali, sepse fundja opozita ka moralin dhe fjalën e lirë. Kështu që
pozicionimi i LSI-së tashmë është shumë i qartë, jo vetëm në Parlament, por
edhe në të gjitha këshillat bashkiak, aty ku merren vendime në funksion të
qytetarëve. Absolutisht nuk kemi asgjë dhe do t’i votojmë duke bërë transparent
çdo votim tonin dhe duke bërë transparent çdo argumentim apo çdo detaj të
informacioneve të tyre.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, edhe pse LSI kishte një vendim
të qartë, dhe pse z. Veliaj i pranoi publikisht, por ne ishim në pritje, unë
ndërkohë isha në një aktivitet me të rinjtë në jug të Shqipërisë, por dua të
përgëzoj Erjona Bixhën dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët
qëndruan edhe pse e kishin një nga sfidat e tyre të para, pra për të treguar që
edhe të rinjtë dinë të bëjnë opozitë të mirëfilltë. Ajo çka më lëndoi fort
është që Bashkia e Tiranës nuk zgjodhi të kishte një bashkëpunim institucional
me partitë politike të këshillit bashkiak, por zgjodhi që të kishte një bashkim
institucional individual, pra me individë të caktuar.

Kjo është zgjedhja e tyre dhe unë shpresoj t’ju dalë për mbarë, sepse
mendoj që politika nuk bëhet duke blerë individë, politika bëhet duke qenë
transparent me qytetarët dhe duke qenë të hapur me ta.

Znj. Kryemadhi ju thatë që LSI është qartësisht në opozita qoftë edhe në
këshillat bashkiak. Çfarë do të ndodh tashmë me kryetarët e këshillit bashkiak,
të cilët janë zgjedhur me votat e PS dhe të LSI-së, a do të lëvizin ata…

Unë nuk mendoj që zgjidhja e problemeve të qytetarëve është heqja e një
kryetari dhe vendosja e një kryetari tjetër, të çdo kryetari këshilli apo çdo
njeri, i cili është emëruar me vota të përbashkëta. Duhet të zbatojmë ligjin,
duhet të zbatojmë rregulloren e këshillit bashkiak.

Nuk mendoj që heqja e njërit dhe vendosja e tjetrit do të sillte ndonjë
ndryshim. E rëndësishme është që LSI-ja do të jetë tashmë shumë prezente, shumë
më aktive në të gjitha institucionet ku është e përfaqësuar për të pasur një
transparencë të hapur të të gjitha vendimeve të këshillave bashkiakë dhe për të
pasur një informacion të drejtpërdrejtë. Mendoj që tashmë edhe vetë
pozicionimet e LSI-së do të jenë shumë më të qarta, shumë më të kthjellëta,
strukturat tona do të fillojnë të mblidhen dhe të organizohen.

Nesër për shembull është mbledhja e këshillit bashkiak të Korçës, ku ne po
mbajmë kontakt me këshilltarët tanë kudo në fakt, që të jenë shumë të
vëmendshëm, të shqyrtojnë dokumentacionin e mbledhjes me vëmendje, ato që kanë
të bëjnë direkt me qytetarët sa i përket ndihmës ekonomike dhe shumë shërbimeve
të tjera. Të jenë të kujdesshëm në mënyrë që institucionet e bashkive, ku ata
janë këshilltarë të jenë të ndershëm, të jenë të drejtë, të jenë parimorë dhe
të zbatojnë ligjin. Ashtu sikurse të jenë të vëmendshëm dhe vigjilentë për çdo
koncesion apo për çdo dhënie me qera, apo çdo abuzim që mund të bëhet me fondet
e bashkisë apo me pasuritë e bashkive të Shqipërisë.

Pra, nëse ju citoj drejtë, LSI-ja do të votojë pro atyre projekteve apo
vendimeve që janë në favor të qytetarëve?

Absolutisht jo, por për LSI-në nuk do të thotë që të jesh në opozitë dhe të
thuash gjithmonë e vetëm “jo”. Opozitë do të thotë të bësh një politikë
konstruktive dhe me alternativë. Për shembull, unë mund të mos jem dakord me
“X”-in, por kam argumentin dhe alternativën time dhe më pas janë qytetarët ata
që e vendosin këtë gjë. Nuk është angazhimi individual i një personi me
dëshirat e tij, por duhet të vendosë për të mirën e qytetarëve, nëse kjo është
e mundshme apo jo, nëse është e mirë apo është e keqe dhe nuk është asgjë.

Duke marrë shkas nga Bashkia e Tiranës, a ka drejtues të LSI-së në këtë
bashki…?

Ne nuk kemi shumë përfaqësues aty, sepse Bashkia e Tiranës ka qenë e
fokusuar tek individë që kanë qenë të papërfaqësuar politikisht. Ne kemi pasur
vetëm një post politik, që ishte Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Brunilda
Paskali, e cila ka qenë një përfaqësuese shumë dinjitoze e jona në këtë
institucion dhe bashkëpunimi ka qenë shumë serioz. Tërheqja e saj ishte një
vendim politik për të bërë të qartë që tashmë ne në Bashkinë e Tiranës do të
jemi në opozitë.

Gjatë ditës së djeshme patët një debat në distancë përmes rrjeteve sociale
me kreun e PD-së, z. Basha. Si e shikoni këtë marrëdhënie me z. Basha?

Unë nuk dua të merre fare me PD-në. Ne tashmë kemi pozicionin tonë, kemi
strategjinë tonë, kemi platformën tonë, që është një koalicion i drejtpërdrejtë
me qytetarët dhe në shërbim të qytetarëve. Opozita nuk është çështje numrash,
opozita është çështje morali. Ne kemi alternativat tona dhe për çdo alternativë
apo propozim që do të na jepet ne do të shqyrtojmë dhe nëse ajo është në
funksion të qytetarëve do ta përkrahim. Por ajo çka duhet të them është që
LSI-ja në pozicion e saj e ka të drejtpërdrejtë opozitë frontale pa asnjë lloj
kompromisi. Frontale por edhe konstruktive. Sepse opozitë nuk do të thotë të
thuash “jo” për çdo gjë, opozitë do të thotë të japësh alternativa, që janë në
funksion të qytetarëve, janë për një jetë më të mirë për qytetarët dhe mbi të
gjithë krijojnë një lloj stabiliteti, jo vetëm politik, por edhe stabilitet
ekonomik, financiar dhe njerëzor , për të cilin shqiptarët kanë sot nevojë më
shumë se kurrë.

Nuk përputhet në asnjë pikë programi juaj me programin e Partisë
Demokratike?

Mund të them që PD nuk është se ka një program për momentin. Ata akoma janë
në lëvizjet e tyre. Megjithatë ne do të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Nuk na
kanë votuar shqiptarët që të jemi vëzhgues se çfarë do të bëjë PD. 225 mijë e
73 qytetarë të Shqipërisë kanë votuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, kanë
besuar tek programi i saj dhe ne jemi të hapur dhe të vendosur më shumë se
kurrë për të pasur një rrugë të gjatë dhe të vështirë. Është e vështirë sepse
vetë ambienti politik, vetë mentaliteti politike e bën të vështirë opozitën.
Por unë mendoj që një opozitë e fortë në Shqipëri do të sillte edhe një
demokraci më të fortë, e cila sot është shumë e brishtë. Ditët e fundit po
shikojmë një shtet i cili po shkërmoqet çdo ditë e më shumë, me të gjitha këto
kërkesa për dorëheqje. Nuk mund të kërkosh dorëheqje të tilla sepse ka njerëz
që edhe kanë punuar. Unë mendoj që institucionet shtetërore nuk funksionojnë me
humorin e Kryeministrit por funksionojnë në bazë të rregullores së tyre, në
bazë të ligjit, në bazë të sistemit shtetëror. Ne nuk mund të themi që jemi në
një shtet me tradita shumë të mëdha por aq sa kemi pasur mundësi, me të mirat
dhe të këqijat, shteti ka funksionuar. Megjithatë kjo është një zgjedhje që ka
bërë Kryeministri shqiptar, për të cilin mua nuk më ngelet gjë tjetër veçse të
them që Zoti e ruajt.

Parashikon LSI një bashkëpunim me PD-në apo do të jetë në varësi të
kauzave?

Ne jemi të hapur dhe të vendosur në rrugën tonë. Ne e kemi opozitën pa
kushte. Dua të ripërsëris vazhdimisht që opozita është çështje morali dhe jo
çështje numrash. Morali ynë është në funksion të qytetarëve. Sigurisht që ne do
të jemi prezent për të gjurmuar çdo problematikë, me këshilltarët, me deputetët
tanë në çdo cep të Shqipërisë. Nuk do të ndalemi. Në që tani kemi filluar
takimet me njerëzit dhe po bisedojmë me ta. Edhe pse njerëzit janë akoma të pa
orientuar, dhe këtu nuk bëhet fjalë për njerëzit e LSI-së por njerëzit e PD-së
janë të pa orientuar, njerëzit e PS-së gjithashtu, ata që nuk kanë shkuar fare
të votojnë janë të pa orientuar sepse janë edhe të shokuar me atë që ka ndodhur
me zgjedhjet e 25 qershorit. Ata tashmë e kanë kuptuar se çfarë ka ndodhur aty
ku është deformuar vota me paratë e drogës dhe të krimit. Unë jam e bindur që
shumë shpejt shqiptarët do të kthjellohen sepse janë shumë inteligjentë për të
kuptuar se çfarë drejtimi do të marrin. Ne jemi gjithmonë të hapur për një
front kombëtar opozitar, pa dallime ideologjike. Të luftosh për qytetarët e tu
nuk do të thotë të kesh ideologji politike.

Në fjalimin tuaj të parë si kryetare e LSI-së keni thënë që sheshet nuk
janë për administratën por për qytetarët. Çfarë nënkuptoni me këtë?

Vërtet sheshet nuk janë për administratën, pra për drejtuesit e
ndërmarrjeve shtetërore që nxjerrin nëpunësit në miting për t’i treguar shefit
të tyre që populli është me të por sheshet janë për popullin për të protestuar,
duke filluar që nga protestat për çmimin e ujit, për çmimin e bukës, për
mbylljen e vendeve të punës, për rritjen e taksave, për mungesën e energjisë
elektrike, për mungesën e rrugëve, për mungesën e arsimit cilësor etj. Pra,
është shumë e rëndësishme që ne të jemi shumë vigjilentë ndaj çdo gjëje që
ndodh sepse në fund të fundit kjo është edhe një nga arsyet që njerëzit votuan
LSI-së, besuan te LSI dhe të ajo çfarë ajo përfaqëson, por mbi të gjitha besuan
te rinia që është e ardhmja e këtij vendi.

Premtoni edhe një opozitë me protesta?

Patjetër, pse jo? Në momentin kur nuk hyn logjika pse të mos ketë protesta?
Në fund të fundit opozita ka fjalën dhe protestën.