LSI: Duhet konsensualitet, mosdakordësitë i zgjidh Komisioni i Venecias

466
Një javë pas dorëzimit të projektligjit për çështjen e dekriminalizimit, PS ka bërë gati draftin e saj me ndryshimet kushtetuese. Kushtetuta e ndalon që një veprim të tillë ta bëjë qeveria, siç bëri me projektligjin, prandaj 28 deputetë socialistë firmosën nismën për ndryshimin e Kushtetutës, që i hap rrugën miratimit të aktit ligjor për pastrimin e politikës dhe administratës nga personat me rekorde kriminale. Në këtë nismë për ndryshimin e Kushtetutës, PS ka qenë e vetme, sepse LSI i ka rezistuar kërkesës së aleatit të madh për t’iu bashkuar draftit për ndryshimet kushtetuese. LSI është njohur me draftin dy ditë më parë, por nuk i është bashkuar atij. Aktualisht, projekti është i pafirmosur nga ndonjëri prej deputetëve të LSI-së. Mospërfshirjen në këtë nismë e konfirmoi kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Vasili: Nisma ka nevojë për konsensus të gjerë
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili sqaroi vendimin e konferencës së kryetarëve. “Lidhur me procesin e shumëdebatuar të dekriminalizimit, LSI vazhdon të ketë të njëjtin qëndrim, që besoj se ka pasur edhe zhvillime pozitive në Konferencën e Kryetarëve, që ka konsistuar në dy momente të rëndësishme: në kryerjen sa më shpejt të këtij procesi, pasi zgjatja e tij në kohë ka qenë e paproduktë dhe ka mbajtur gjallë një debat të panevojshëm, e njëkohësisht ka krijuar një diskutim artificial me qëllimin e protagonizmit artificial politik. Pozicioni ynë është i qartë edhe lidhur me përmasat konsensuale të kësaj nisme, pasi çdo nismë e njëanshme do të ishte e pjesshme dhe do të shtonte mosbesimin, duke mos ngjallur besimin që njerëzit kanë dhe presin nga politika. Vendimi i dakordësuar së fundi në Konferencën e Kryetarëve në shërbim të këtyre dy momenteve, mori sot një përgjigje, sepse të gjitha nismat që lidhen me procesin dhe sfondi ligjor për ta përkufizuar atë do të jetë nën shqyrtimin e komisionit të posaçëm të përfaqësuar nga të gjitha forcat politike, mazhorancë dhe opozitë. Konsensualiteti mund të arrihet edhe për shkak se draftet e propozuara kanë pothuajse 90% të gjërave të përbashkëta, ndërsa në ato pak momente ku mund të lindin mosdakordësi, ne do t’i referohemi Komisionit të Venecias, si vlerësuesi përfundimtar, vendimi i të cilit për ato gjëra ku ne nuk biem dakord do të jetë vendim i detyrueshëm për secilën palë. Në këtë mënyrë mund ta mbyllim shpejt këtë proces dhe t’i japim fund një debati të gjatë, shpeshherë të stisur dhe të panevojshëm. Kjo linjë konsensualiteti duhet të na udhëheqë më pas edhe për reformën në drejtësi, e të gjitha së bashku na krijojnë premisat politike për të pasur një proces të mëtejshëm të çeljes së negociatave për anëtarësim në BE, objektivi madhor i yni, në një sfond krejtësisht të ri të një mirëkuptimi më të gjerë politik”, tha Petrit Vasili.

Bylykbashi: Shenjat e gishtërinjve, kushti ynë i panegociueshëm
Kryetari i komisionit të posaçëm për dekriminalizimin, Oerd Bylykbashi, tha dje se, pavarësisht formatit që do të ketë projekti për këtë çështje, e rëndësishme është që në fund të kemi një ligj që do i nxjerrë kriminelët sot nga parlamenti dhe nuk i lejojë të hyjnë aty nesër. Në një prononcim për mediat, Bylykbashi tha se do të ndiqen procedurat parlamentare për shqyrtimin e të dyja drafteve, por theksoi ai, opozita nuk do të pranojë të negociojë pikën që lidhet me detyrimin për marrjen e shenjave të gishtërinjve. “Çështja e shenjave të gishtërinjve është një moment themelor në ligjin tonë dhe kusht që ne nuk mund ta negociojmë. Çdo përpjekje për ta bllokuar këtë nuk do të gjejë konsensusin nga ana jonë. Ky vend ka nevojë për deputetë dhe funksionarë publikë që të jenë të denjë para opinionit publik dhe të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën. Por, e rëndësishme për ne është se në çfarëdo lloj formati që të përfundojë drafti, në fund fare do të kemi një ligj që do i nxjerrë kriminelët sot nga parlamenti dhe nuk do i lejojë të hyjnë aty nesër”, u shpreh Bylykbashi.
Sigal