LSI, do të garojë me listë më vete në 25 prill / Opozita pritet të mbyllë strategjinë brenda janarit

348
Sigal

Lideri i opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi së bashku me aleatët e tjerë do të përcaktojnë në janar strategjinë elektorale për garën e 25 prillit. Prej 6 muajsh në kampin opozitar po diskutohet se cila është rruga më efektive për të përkthyer votat e opozitës në mandate deputetësh, dalja me një listë të përbashkët kandidatësh apo me dy lista, vendim i cili sipas sekretarit të përgjithshëm të LSI Endrit Braimllari do të merret brenda pak javësh.

ENDRIT BRAIMLLARI SEKRETAR I PËRGJITHSHEM, LSI : “Ajo çka po diskutohet me partitë opozitare, me të gjithë frontin e bashkuar opozitar, ka të bëjë me faktin e një matematike e cila maksimalizon votën në çdo qark të vendit dhe javët e para të janarit do të ketë, besoj, dhe një vendim përfundimtar për futjen në garë të koalicioneve. Ajo çka ju them me bindje të plotë ka të bëjë me faktin që fronti opozitar është në bllok kundër kësaj qeverie që i ka varfëruar shqiptarët dhe ka larguar të rinjtë.”

Por edhe pse detajet ende nuk janë mbyllur, për LSI duket se është e papranueshme të garojë nën siglën e partisë demokratike, dhe varianti me i mundshëm është dalja e koalicionit me dy lista të udhëhequra nga PD e LSI.

“Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të garojë më një listë më vete, sepse LSI ka identitetin e vet politik, është një forcë politike e cila në këto 16 vite të krijimit të saj i ka dhënë shumë vendit duke krijuar një forcë e cila në gjithë filozofinë e saj thelbin e saj e ka pasur tek integrimi.”

Pritej që lideri i opozitës Lulzim Basha të arrinte një marrëveshje me aleatët për koalicionin, para festave të fundvitit, por kjo nuk ndodhi, edhe pse në gjykimin e partive të koalicionit, opozita është vonë në përcaktimin e strategjisë për zgjedhje.

Tashmë përveç presionit të aleatëve, janë edhe afatet e Kodit Zgjedhor të cilat sanksionojnë se deri në mesin e muajit shkurt forcat politike duhet të regjistrohen  në KQZ, dhe Lulzim Basha nuk ka shumë kohë për të mbyllur negociatat me aleatët e tij.