Ka pasur diskutime në Kuvend gjatë ditës së sotme lidhur me disa amendime që janë paraqitur nga ana e deputetit të PS-së Erion Braçe dhe kanë gjetur kundërshtinë e ministrit Arben Ahmetaj dhe deputetëve të tjerë të mazhorancës. Me shumicën e kartonave amandamentet e Braçes janë hedhur poshtë.
Një nga kërkesat e Braçes ishte rritja e normës së tatim fitimit nga 15% që është aktualisht, në 30% për kazinotë e mëdha të lojërave të fatit.
Ndërkohë në një tjetër pikë u ndal deputeti Paulin Stërkaj, i cili kërkoi që lojërat e fatit të hiqeshin dhe nga hotelet me pesë yje, pasi sipas tij do të kishte një ndarje të klasave, ku të varfërve iu hiqet një e drejtë që e kanë të pasurit.
Stërkaj: Nuk jam dakord as me ministrin dhe as me zotin Braçe. Nëse hiqet bixhozi duhet të hiqet nga të gjitha vendet, dhe nuk mund të lihet në hotele me pesë yje. Bixhozi do të ndante shtresat, të pasurit paskan të drejtë në hotelet me pesë yje, të varfërit nuk kanë.
Ndërkohë që kryeministri Rama u shpreh se në Shqipëri ende nuk ka hotele të mirëfillta me pesë yje, dhe për këtë do të diskutohet në një moment të dytë nga ana e qeverisë.
Rama: Shumë pozitive që ne bëjmë debate dhe amendamente dhe opozitën e parlamentit dhe praktikisht gjithë dita ka qenë shumë e frytshme se janë bërë përmirësime të rëndësishme në draftin e buxhetit dhe paketën fiskale, por besoj se mesazhi i këtij buxheti dhe paketës është shumë pozitiv, pavarësisht e fokusi te disa amendamente mund të krijojë ide pak më ndryshe.
Ndërkohë për rastin konkret kujtoj se sot që flasim nuk kemi asnjë hotel me 5 yje, asnjë dhe me 5 yje kam parasysh atë që përmban edhe incentiva, brand global i certifikuar dhe nëse duam të zhvillojmë turizmit dhe të jemi konkurrues në rajon duhet të shikojmë se ca bëjnë të tjerët dhe falë ndryshimeve që kemi bërë në legjislacion, sot kemi potencial prej 15 brandesh globale që kanë shprehur interes për të investuar në vend.
Nuk është mbështetje që qeveria i bën të pasurve, por për ekonominë, se është ajo fashë që sjell të ardhurat, punësim dhe efekt zinxhir në produktivitetin e brendshëm. Do jepnim mesazh të gabuar te investitorët, kjo është arsyeja dhe nuk ka lidhje fare me ndalimin apo lejimin e bixhozit, kur ti kemi të diskutojmë për rritjen e taksës, por nuk mund të rrisim taksën kur nuk e kemi fare këtë gjë




















