Loja e fundit për të minuar Gjykatën Kushtetuese

299
Sigal

Presidenti Ilir Meta, si edhe Ambasadorët e Uashingtonit dhe Brukselit, Yuri Kim e Luigi Soreca, po nxisin Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, të përmbyllin, brenda vitit 2020, procedurat për  përzgjedhjen e të gjithë kandidatëve për në Gjykatë Kushtetuese, duke lënë të kuptohet se nuk mbështesin praktikat bllokuese që po vërehen javët e fundit, të shkaktuara sidomos nga disa vendime kontroverse të Gjykatës Administrative të Apelit, në favor të një kandidateje të skualifikuar për fshehje pasurie, Zhaklina Peto. Këtë javë ka pasur zhvillime pozitive nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Pasi u emërua anëtari Altin Binaj, dy kandidatë të tjerë janë përcjellë këtë të Mërkurë në zyrën e Presidentit, nga të cilët njëri do të jetë anëtari më i ri i Kushtetueses. Por, një tjetër vakancë e shpallur nga Presidenti, ajo që pritet të zëvendësojë gjyqtarin e larguar Besnik Muçi, vijon të mbahet peng prej dy muajsh. Për atë vakancë kandiduan 10 juristë, nga të cilët u kualifikuan Altin Binaj dhe Sonila Bejtja. Duke qenë se Binaj tashmë u emërua me vendim të Kuvendit, në listë mbetet vetëm juristja Bejtja. Por, Zhaklina Peto, një kandidate e skualifikuar të paktën 4 herë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për shkak të fshehjes së pasurisë dhe mosjustifikim të burimeve të ligjshme, ka gjetur mbështetjen e dyshimtë nga Gjykata e Apelit Administrativ, e cila po katër herë e ka rikthyer në garë, duke u justifikuar pas disa aspekteve procedurale që nuk ndryshojnë aspak thelbin. E gjithë situata duket si një “lojë politike”, e ngjashme me ato për të cilat ka ngritur zërin edhe ambasadorja Kim. Diplomatja amerikane Yuri Kim nuk ka folur asnjëherë për emra të përveçëm. Por, ambasadorja Kim, e cila ndjek zhvillimet në Këshillin e Drejtësisë nëpërmjet përfaqësuesve të saj, u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të shmangin “lojërat politike” dhe t’u japin shqiptarëve Gjykatën Kushtetuese  që e meritojnë. Ndërsa Presidenti Meta duket se është treguar më i drejtpërdrejtë. Në një letër drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në 16 Dhjetor 2020, Meta ka kërkuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që të zbatohet korrektësisht ligji dhe të kryhet verifikimi dhe pikëzimi i kandidatëve të kualifikuar. Duke i kujtuar se fundi i vitit po vjen shpejt, Meta thekson se “është e domosdoshme përfundimi i procedurave të verifikimit dhe vlerësimit të të gjithë kandidatëve dhe përcjellja e listave, me qëllim që Presidenti të ushtrojë kompetencën kushtetuese për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese brenda muajit Dhjetor 2020”. Presidenti i drejtohet anëtarëve të KED-it se “ky proces nuk mund të shtyhet dhe as nuk duhet të mendohet nga ana Juaj se mund t’i delegohet për shqyrtim Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të funksionojë përgjatë vitit 2021, pasi kjo do të vononte procesin edhe me disa muaj të tjerë”. Pra, duket qartë se Presidenti Meta, ashtu si edhe ambasadorja Kim, është totalisht kundër atyre që konsiderohen “lojëra politike”, me qëllim vonesën në procesin e shqyrtimit të kandidaturave nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nëpërmjet manovrave me Gjykatën e Apelit Administrativ. Në fakt, edhe KED ka të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore për të mos qëndruar peng i “lojërave” me vendime gjykate. Në nenin 238 të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikohet shprehimisht që ankimet mbi vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk pengojnë vlerësimin dhe pikëzimin e kandidaturave të tjera të kualifikuara. Pra, në rastin e vakancës së krijuar nga largimi i ish-gjyqtarit Besnik Muçi, KED ka pasur të gjithë mundësitë për të vlerësuar dhe pikëzuar kandidaten e kualifikuar prej mëse dy muajsh, Sonila Bejtja. Por, deri më tani, KED ka zgjedhur që të qëndrojë në pritje të ankimeve në seri të juristes së skualifikuar për fshehje pasurie, Zhaklina Peto, duke mbajtur pezull procedurat për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese. Situata duket tërësisht groteske, kur Presidenti i Republikës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të Shqipërisë, por mbi të gjitha ecuria e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, mbeten peng të një juristeje, e rrëzuar 4 herë për fshehje pasurie, nga dy KED të ndryshme, në vitin 2019 dhe 2020. Kjo situate duket e qellimshme edhe për faktin se me anëtarin e gjashtë, Gjykata Kushtetuese e plotëson kuorumin për t’u quajtur e zhbllokuar, por jo me numrin e anëtarëve të mjaftueshëm për të marrë vendime të ligjshme, diçka që i është mbajtur larg vëmendjes së publikut. Sipas kuadrit ligjor për Gjykatën Kushtetuese, një vendim kushtetues duhet të ketë jo më pak se votat e 5 anëtarëve për t’u cilësuar i rregullt. Nëse nesër një vendim i kësaj gjykate do të jetë me 4 vota pro dhe 2 kundër, atëherë ky vendim do të ishte i pazbatueshëm, duke lënë kështu hapësira për të përligjur vendimet të paktën për një tjetër vit, deri sa të plotësohen vakancat e tjera.

KED lejon kandidimin e Aleksandër Tomës dhe Përparim Kalos për Gjykatën Kushtetuese

KED mori dje në pyetje dy kandidatët për anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, vakancë e Presidentit të Republikës. Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo u paraqitën dje në KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit. Sot pritet që t’i dërgojë listën përfundimtare të renditjes Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.