Loja e fshehtë/ Sekuestrohen pasuritë e krimit dhe nxirren në ankand duke i ri-blerë

335
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Dokumenti/ Nxirren në shitje me 1%-15% të vlerës, 4 toka e pasuri të trafikantëve në Durrës e Fier

Edhe ky rast, tregon se si nuk janë  shkëputur “fijet dhe punët e zeza” me miqtë dhe ortakët e botës së krimit, por vazhdohet me pazaret e fshehta, duke bërë sikur sekuestrohen pasuritë me burim krimet, ndërsa kriminelët i ri-marrin pasuritë “nga dritarja” dhe bëjnë sikur i binden ligjit e heshtin.

Prapa fasadës së dokumentit që po publikojmë, qëndron një skemë e kupolës qeveritare, për të lënë përsëri në dorë të trafikantëve, pasuritë që atyre u janë sekuestruar nga ish-Krimet e Rënda.

Me Njoftim Nr. 11644, datë 29.6.2021, Ministria e Financa-Ekonomisë ka hedhur për shitje me ankand, 4 pasuri të sekuestruara; 2 nga të cilat janë toka në zonën bregdetare të Durrësit, ndërsa 2 janë kompani të mëdha private në Fier.

Sipas dokumentit zyrtar, në shitje kanë dalë sipërfaqja 4000 m2 me çmim ankandi 7840 lekë të reja; dhe sipërfaqja 2930 m2, me çmim ankandi 63 lekë të reja, procedura e të cilave do bëhet në datën 27 korrik 2021.

Për këto dy sipërfaqe toke totale 6930 m2, që janë në vijë ndarëse fizike me njera-tjetrën, “Pamfleti” ka mësuar se janë në Lalz; paçka se Ministria e Financave, qëllimisht e në shkelje të plotë të ligjit, nuk e ka publikuar Zonën Kadastrale dhe as emrat e personave apo subjekteve të sekuestruar. Çudia është, se toka 4000 m2 është nxjerrë në shitje me çmim sa 15%  vlerës së tregut të lirë, ndërsa toka 2930 m2 është nxjerr me çmim 63 lekë të reja m2; ose të dyja bashkë 6930 m2, do shiten për 332 milionë lekë të vjetra. Dy pasuritë tjera në Fier, janë asete të kompanive private “ABA-2011 shpk” dhe “Çitadela shpk” të Fatmir Kajollit, ish-këshilltarit Bashkiak të partisë së Fatmir Mediut; të sekuestruara më 31 dhjetor 2015 nga Krimet e Rënda.

Pasuritë e kompanisë “ABA-2011 shpk”, që është ish-kompania e pastrimit të Fierit; janë nxjerrë në shitje me vlerë 1 milionë, 920 mijë e 945 lekë të reja; ndërsa pasuritë e kompanisë “Çitadela shpk” janë nxjerrë në shitje me vlerë 27 milionë, 382 mijë e 800 lekë të reja.

Sipas llogarisë, rezulton se pasuritë e të dy kompanive të Kajollit në Fier, janë nxjerrë në shitje me vlerë totale 238 mijë Euro, kur ato janë sekuestruar me vlerë të përbashkët 10.6 milionë Euro.

Ky informacion zyrtar, duhet të shërbejë si indicie për SPAK, mbasi pas këtyre çmimeve të ankandit me vlerë sa 0.15%  e deri në 3% e 20% të vlerës faktike, po bëhët lojë që, këto pasuri t’i ri-blejnë përsëri personat e sekuestruar, por me emra të tjerë. Sipas ligjit, çmimi i ankandit nuk caktohet nën vlerën reale të pasurisë, por fillon me 5-10% mbi vlerën që ka, sepse ankandi bëhet që fitimi për shtetin të jetë sa më i lartë, mirëpo ministrja Anila Denaj, ua ka ulur çmimin deri në 99.85%.

Fakti

Ankandet e shitjes së këtyre 4 pasurive, do bëhen në datën 27 korrik 2021, pra 22 ditë pas shpalljes në Buletinin e Qeverisë; kur ligji e detyron që njoftimi të qëndrojë i shpallur publikisht jo me pak se 3 muaj. Por mbi ligjin, është urdhëri i Bablokut, i cili sipas shumë skandaleve, po  jep prova se nuk i ka shkëputur fijet e zeza me miqtë dhe ortakët e botës së krimit.