Logo e Bindjes e ngjashme me të PD/ Ambasadori britanik i shqetësuar për fletën e votimit

233
Sigal

Ambasadori britanik në Shqipëri Duncan Norman ka bërë thirrje që partitë politike në Shqipëri të bien dakord për fletën e votimit për zgjedhjet e 25 Prillit për t’u dhënë mundësi shqiptarëve të familjarizohen me të.

Me anë të një postimi në Twitter, Norman shkruan se fletët e votimit duhet të kenë të qartë partitë dhe kandidatët në mënyrë që në momentin e numërimit, vota të shkojë për atë parti që votuesi ka shprehur vullnetin e tij pa lënë vend për konfuzion.

“E rëndësishme është që fletët e votimit të dakordësohen në kohë për t’u dhënë votuesve një shans të familjarizohen siç duhet përpara Ditës së Zgjedhjeve. Por ato gjithashtu duhet të jenë të qarta në mënyrë që një numër i votave të numërohet për partinë dhe kandidatin që votuesi kishte për qëllim’, shkruan ai.

Ky shqetësim i ambasadorit lidhet me faktin se partia më e madhe opozitare, PD, është ankuar se logoja e Bindjes Demokratike ngjan me atë të PD, duke rrezikuar të krijojë konfuzion te votuesit. PD ka kërkuar zyrtarisht nga institucionet që Bindja të ndryshojë logon e saj, e cila ka ndryshuar edhe ngjyrat dhe tani duket akoma më shumë si logo e PD.