Lobimet partiake në SHBA, debate shterpë dhe dorëzanët misteriozë të miliona dollarëve

632
Jakup B. GJOÇA

Prapaskena politike dhe jo në kërkim të transparencës
Replikat politike të PS dhe PD në Shqipëri, të cilat akuzojnë njëra – tjetrën për lobime të dyshimta dhe pagesa qindra mijëra dollarë pa asnjë transparencë për t’u afruar me Shtëpinë e Bardhë në SHBA, janë tregues jo vetëm i shterpësisë politike, pasi të dyja palët deri tani, veçmas, kanë lobuar si kanë dashur dhe kanë paguar qindra mijëra dollarë pa asnjë lloj transparence lobeve të ndryshme me dorëzanë misteriozë, por shprehin edhe zilinë dhe xhelozinë politike ndaj njëra tjetrës. Jo vetëm kaq, por intensiteti i replikave dhe i akuzave ndaj njëra –tjetrës pikërisht për lobimet politike në Shtëpinë e Bardhë, dëshmon edhe fatkeqësinë e politikës shqiptare, kur, duhet të ndodhte krejtësisht e kundërta. Shqipëria është një vend i vogël dhe ka shumë pak peshë në politikën ndërkombëtare të SHBA-së dhe, nisur nga ky fakt, partitë politike në Shqipëri, kurrsesi nuk mund të akuzonin njëra-tjetrën për lobime politike me Shtëpinë e Bardhë, sepse kjo dëmton, njëfarësoj edhe imazhin e seriozitetin e politikës shqiptare në Shtëpinë e Bardhë. Me imazh të dëmtuar te Shtëpia e Bardhë, humbet Shqipëria, humbasin edhe vetë partitë politike dhe asnjë palë politike nuk fiton asgjë. Më keq akoma është kur akuzuesin e lobimeve politike me Shtëpinë e Bardhë në SHBA, sot e bëjnë pikërisht ata politikanë, që në të kaluarën e afërt i kanë kënduar këngë diktatorit Enver Hoxha, armikut të madh të imperializimit amerikan. Në të vërtetë, akuzat e sotme politike të ndërsjella për lobime të dyshimta dhe dorëzanë misteriozë të PS-së dhe PD-së me Shtëpinë e Bardhë, qoftë edhe për një fotografi të udhëheqësve partiakë të PD dhe PS me Presidentin e SHBA, nuk kanë aspak qëllimin e zbardhjes së transparencës, pasi kohë më parë, ende akoma nuk është tharë as boja e vendimit të Gjykatës Amerikane, u dënua në SHBA z. Bilal Shehu, dorëzani i kryeministrit Rama, i cili në kundërshtim edhe me ligjin amerikan, pagoi qindra mijëra dollarë për llogari të kryetarit të PS Edi Rama që Rama të dilte një fotografi me Presidentin Obama. Edhe sot Kryeministri Rama ende nuk ka bërë transparente se ku i gjeti ato qindra mijëra dollarë që pagoi që të dilte fotografi me Presidentin Obama. I pagoi Rama nga buxheti i PS? I pagoi nga buxheti i shtetit? I pagoi nga “dhurata” që i dhënë biznesmenë, të ndryshëm? Cila është e vërteta e këtyre pyetjeve? Por as PD-ja nuk kërkoi pranë Prokurorisë së SHBA, dhe në Senatin e SHBA, që dosja e gjykimit të Bilalit të rishqyrtohet edhe në Shqipëri, si palë e interesuar, sipas edhe procedurës ligjore amerikane. Nëse vërtet PD-ja do të interesohej atëherë për transparencë dhe jo për konsum të luftës shterpë politike, duhet të interesohej që dosja e gjykimit të Bilalit të rishqyrtohej edhe nga drejtësia shqiptare, si palë e interesuar, e dëmtuar. Para disa ditësh, gazeta britanike Daily Mail shkruante se kryeministri shqiptar Edi Rama paguan media të huaja që të shkruajnë realitete të tjera për Shqipërinë, për të manipuluar opinionet e shqiptarëve. Kryeministri Rama, qeveria shqiptare heshtën dhe nuk reaguan aspak ndaj kësaj kritike të gazetës britanike, por as PD nuk mori mundimin që të kërkonte më tej transparencën e parave të paguara nga kryeministri Rama mediave të huaja. 

Ina Zhupa, zëdhënësja e PD: Edi Rama financon median e huaj anti-Trump


Shkrimi i publikuar në Mother Jones, një media ekstremiste e majtë e njohur për qëndrimet e saj anti-Trump, është financuar nga Edi Rama me para të paligjshme. Shkrimi është pjesë e një fushate të qëllimshme për të mbuluar kokainën dhe lidhjet e familjes Rama me të. Akuzat me rusë të artikullit janë thellësisht qesharake, por për t’i bërë edhe më qesharake, sot ato i ripërcolli Elisa Spiropali. Elisa, e cila nga puna në doganë duket se ka krijuar një njohje të veçantë për oligarkët, ka bërë sot një sallatë ruse me oligarkë dhe Kremlin. Është shenjë e nivelit të turpshëm të korruptimit dhe inkriminimit të Partisë Socialiste fakti që ruajtësja e nderit në PS është bërë Elisa Spiropali. Por është akoma më e rëndë që një parti e tërë po angazhohet përherë e më shumë në mbrojtje të drogës dhe të krimit. Edhe ky cikël akuzash të mercenarëve të paguar me paratë e kontrabandës dhe trafikut që kur Elisa ishte Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave, do të diskreditohen. Ajo që mbetet është ajo që ka rëndësi – Saimir Tahiri si trafikant dhe familja Rama e përfshirë në tregtinë e kokainës. Këta janë rreziku i destabilizimit të Shqipërisë.
Spiropali: Lulzim Basha të japë llogari për paratë që sponsorizuan dëmtimin e imazhit të Shqipërisë


Nënkryetarja e grupit parlamentar socialist, Elisa Spiropali sërish dje akuzoi Lulzim Bashën për lobime të dyshimta për të dalë një foto me Presidentin e SHBA Trump. Jemi përpara një situate shumë të rëndë, si Kuvend i Shqipërisë dhe si shtet madje. Historia e një pagese të errët të PD përmes një kompanie guaskë për të lobuar në SHBA, me qëllimin tanimë të njohur të nxirjes së imazhit të Shqipërisë në botë, ka hyrë në një fazë të re; edhe më të errët, edhe më shqetësuese, jo thjesht për një sërë veprash penale që ajo përmbante qysh në fillim, po për veprën e rëndë të bashkëpunimit me forca jo dashamirëse ndaj ëndrrës së Shqipërisë evropiane. Një media e njohur investigative amerikane ka publikuar një rrjetë merimange tronditëse të rrugës së parave të paguara nga PD, me dijeninë, vullnetin dhe firmën e Lulzim Bashës për të hapur një kanal balte deri në Uashington. Rrjeta e merimangës sipas investigatorëve amerikanë e ka zanafillën në xhepat e oligarkëve rusë dhe, madje, media në fjale insinuon drejtpërdrejt për një përzierje direkte të Kremlinit në politikën shqiptare, përmes Lulzim Bashës dhe PD. Ne nuk e dimë, nëse kjo e fundit, pra përzierja e Rusisë edhe në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, me qëllim futjen e mollës së sherrit mes Perëndimit e Lindjes, në mexhlisin e jetës sonë politike është e vërtetë. Por padyshim, as nuk mund të na mjaftojë dhe as mund të na bëjë të heshtim, qoftë reagimi i Ambasadës Ruse e qoftë reagimi i PD ndaj medias amerikane. 
Edi Rama: Lulzim Basha të tregojë të vërtetën e parave të zeza


Kryeministri Rama ka reaguar në rrjetin e tij social, pasi Elisa Spiropali dha konferencën e shtypit, duke shkruar: “Nënkryetarja e grupit parlamentar të PS, Elisa Spiropali – Lulëzim Basha dhe PD t’u tregojnë shqiptarëve të vërtetën e parave të zeza të lobimit kundër Shqipërisë dhe lidhjet tronditëse që ka nxjerrë në dritë media investigative amerikane”.
1 vit burg për foton Rama-Obama


Shqiptaro- amerikani Bilal Shehu 48 vjeç, i cili pranoi që ka bërë në mënyrë të vullnetshme dhe me vetëdije dhurime dhe kontribute në fushatën presidenciale të Barack Obamës, u dënua me një vit burg, ditën e enjte. Zoti Shehu u gjykua nga gjykata Federale e Newark. Ai më parë ka pranuar se ka dhuruar para që të mundësonte pjesëmarrjen e një personi në aktivitetin në San Fracisco në muajin tetor të vitit 2012. Ligji i SHBA-ve i ndalon dhurimet e huaja në fushata elektorale amerikane. Sipas medias britanike Dailymail, megjithëse emri i Kryeministrit Rama nuk është përmendur, kongresmenia e Partisë Republikane Dana Rohrabacher, i kërkoi Departamentit të Shtetit hetimin e futjes së Edi Ramës në këtë aktivitet. Rama nuk u lejua të merrte pjesë në aktivitet, po ai u lejua të shkrepte një foto me Presidentin Obama. Rama e përdori këtë foto për të pretenduar afrimitet me Obamën vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve që e sollën në pushtet. Një tjetër qytetar nga Florida që ka qenë pjesë e kësaj skeme financimi të paligjshëm do të marrë vendimin e gjykatës më datë 14 shkurt.
Sigal