Llalla nxjerr zbuluar Ramën: U interesua për Aqif Rakipin

581
Kryeprokurori bën një njoftim surprizë për bisedën me kryeministrin. Çfarë ndodhi pas kërkesës së PD-së për hetimin e deputetit dhe deklaratat e ambasadorit Lu
Kryeministri Edi Rama dhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, janë takuar ditën e djeshme, vetëm pak orë pasi Partia Demokratike kërkoi heqjen e mandatit të deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi, duke e akuzuar për aktivitete të paligjshme. Biseda mes Llallës dhe Ramës është bërë publike pas një njoftimi surprizë të Prokurorisë së Përgjithshme, ku theksohet se ishte kryeministri, i cili kërkoi të takonte shefin e organit të akuzës. “Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me kërkesë të kreut të Qeverisë. Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e subjektit politik, Partia Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si “Për Dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z.Aqif Rakipi”, thuhet në njoftim. Në takim, Llalla vuri në dijeni kryeministrin se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin e thelluar ndaj deputetit Aqif Rakipi disa muaj më parë. “Procedura e verifikimit për këtë subjekt është ende në zhvillim, pasi Sektori i Posaçëm për “Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme është ende në pritje të përgjigjeve nga ana e disa prej autoriteteve të huaja, të cilave u është kërkuar informacion. Në takim, z. Llalla shprehu garancitë e plota se Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kryejë verifikimet e thelluara për të gjitha rastet që do i paraqiten me kërkesë të subjekteve të njohur nga ligji, si edhe me iniciativën e saj, kur informacioni sigurohet nga të dhënat që përpunon institucioni i Prokurorisë”, theksohet në njoftim. Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se, po vijon bashkëpunimi me autoritetet e tjera që kanë për detyrë verifikimin paraprak të subjekteve të ligjit “Për Dekriminalizimin”, ku veçoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si institucioni që kryen përpunimin paraprak të personave të zgjedhur në pushtetin qendror dhe lokal.
Kërkesa e PD-së
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi dje në prokurori kërkesën për kontrollin e të dhënave të dekriminalizimit për deputetin Aqif Rakipi (PDIU) dhe për deputetin Gjetan Gjetani (PS), lidhur me dyshime për fshehjen e të dhënave për aktivitet kriminal, që sipas ligjit për dekriminalizimin duhej t’i pengonte për të marrë poste publike apo për t’u zgjedhur. “Denoncime nga publiku dhe partnerët pranë Partisë Demokratike përbëjnë indicie për të verifikuar, nëse të dy këta deputetë kanë fshehur rekorde kriminale në të kaluarën e tyre në lidhje me aktivitete të paligjshme të kryera në Itali”, thuhet në kërkesën e demokratëve. Partia Demokratike deklaroi se është e vendosur në betejën e saj për të luftuar krimin dhe për të nxjerrë krimin nga Parlamenti dhe institucionet e shtetit. “Në të kundërt, lidhur me këto dy raste, por edhe të tjera që po trajtohen nga PartiaDemokratike, Edi Rama dëshmon se vazhdon të mbrojë dhe promovojë krimin, se nuk ka vullnet ta zbatojë ligjin e dekriminalizimit dhe nuk ka vullnet të shkëputet nga krimi dhe aleanca politike me krimin”, theksoi selia blu. Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë të veprojë menjëherë e të garantojë zbatimin e dekriminalizimit.
Sigal