Llalla në SHBA takon agjentët e FBI, ndryshohet marrëveshja e ekstradimit

568
Sigal

Kryeprokurori në VOA: Deri tani, vrasja e Santos pa autor. Po hetohen disa pista!

Vrasja e bankierit Artan Santo, vazhdon të mbetet ‘patate e nxehtë’ për drejtësinë shqiptare, ndërkohë, për Kryeprokurorin Adriatik Llala, “…është një çështje tepër e ndjeshme për opinionin publik shqiptar rasti i vrasjes së këtij bankieri në qendër të kryeqytetit të vendit. Hetimet për rastin janë intensive, po kryhen në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e tjera me të cilat ne koordinojmë punën tonë, me policinë e shtetit, shërbimin informative shtetëror e të tjera. Kemi mjaft të dhëna në proces hetimi!”. Ky deklarim është bërë nga Llalla mbrëmë nga SHBA në intervistën e dhënë për “Zërin e Amerikës”. Po ashtu, ai ka pohuar se nga hetimet e deritanishme lidhur me vjedhjen në Bankën Shqiptare,  ende nuk dihet destinacioni i të hollave. “Nga hetimet e deritanishme ende nuk kemi një të dhënë konkrete për mënyrën se si kanë përfunduar, edhe vendin ku kanë përfunduar këto para”, – tha Llalla. Ndërsa në lidhje me çështjet e korrupsionit përmendi rastet e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë dërguar për gjykim, që sipas tij e bëjnë Shqipërinë shembull në rajon. Pyetjes për operacionin antidrogë në Lazarat dhe pse nuk arrestohen ‘peshqit e mëdhenj’, Llalla u përgjigj:” E vërtetë. Operacioni në Lazarat, ku pati një koordinim të mirë mes policisë së shtetit, prokurorisë së krimeve të rënda si dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, u përshëndet nga faktorët vendas dhe ndërkombëtarë dhe u shoqërua edhe me rezultate konkrete. Kanë qenë me dhjetëra raste, të cilat tashmë janë në proces hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor. Janë dërguar për gjykim rreth 18 raste të shtetasve të arrestuar për këtë vepër penale!”. Ndërsa pyetjes se përse nuk arrestohen për korrupsion udhëheqës të lartë si në vendet e tjera fqinje me Shqipërinë, Llalla iu përgjigj:” Varet se si do të shihet. Gjykojmë se në prizmin tonë ne kemi dërguar përpara gjykatës, ashtu siç nuk ka ndodhur në të gjitha vendet e tjera të rajonit, gjyqtarë apo prokurorë, që rasti i parë është Shqipëria që brenda vitit janë dërguar para gjykatave pesë gjyqtarë dhe një prokuror të akuzuar për veprën penale të korrupsionit, po ashtu të zgjedhur vendorë të bashkive kryesore të vendit, përfshirë bashkinë e Vlorës, bashkinë e Kamzës apo disa bashki të tjera – zyrtarë të nivelit, të cilët rivalizohen me pozicione të ministrave, apo më tej, ndërkohë kemi në proces hetimi zyrtarë të nivelit të lartë të Bankës së Shqipërisë”  Kryeprokurori i Shqipërisë, u pyet dhe për ligjin e policisë. “Ky ligj tashmë ndodhet në proces shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese. Prokuroria shqiptare ka dhënë mendimin e saj për mënyrën e ndërtimit dhe hartimit të këtij ligji. Ne kemi pasur rezervat tona për krijimin e kësaj byroje hetimi. Megjithatë, presim versionin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Në varësi të këtij vendimi, ne do të jemi të detyruar të zbatojmë vendimet e ligjvënësve shqiptarë dhe të Gjykatës Kushtetuese”- u përgjigj Llalla. Pyetja e fundit lidhej me akuzat për parregullsi në privatizimin e Albpetrol-it. “Lidhur me këtë rast, ka një kallëzim nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, hetimet për të cilin janë në proces. Ato sapo kanë filluar, mbi bazën e kallëzimit të ri të depozituar para pak ditësh nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe hetimet po vijojnë”,- u përgjigj Llalla.