Ligji për mediat, Xhixho: Presidenti vendim të drejtë, vendimet do jenë subjektive, mazhoranca të reflektojë

679
Sigal

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Erisa Xhixho në një intervistë për Report Tv ka folur mbi vendimin e Presidentit të Republikës për të kthyer në Parlament për diskutim paketën anti-shpifje. Xhixho tha se mazhoranca duhet të reflektojë ndërsa e quajti paketë një ogur të zi në lirinë e medias dhe paralamëroi se masat ndaj mediave nëse zbatohet ligji do të jenë selektive. Ajo deklaroi se rezistenca ndaj këtij ligji duhet të vazhdojë në të gjitha format demokratike.

 -Pyetja e parë për Nënkryetaren e LSI-së Erisa Xhixho është për kthimin nga Presidenti i Republikës për ligjin anti-shpifje.
Padyshim që kthimi i ligjit anti-shpifje nga Presidenti, mendoj që është një veprim i drejtë. Në qoftë se lexojmë të gjithë argumentimin ligjor dhe kushtetues, padyshim gjen përkrahjen apo të konfirmuar të gjithë rezistencën që iu bë nga grupi i gazetarëve, jo vetëm nga Unioni i Gazetarëve shqiptar, por dhe të Këshillit të Europës apo shumë organizatave ndërkombëtare për problematikën që shfaqte ky ligj, qoftë për censurën që i vendoste ky ligj lirisë së shprehjes apo portaleve online në një funksion kuazi-gjyqësor që merr AMA apo Këshilli i Ankesave, të cilat bëjnë që i gjithë presioni politik të vihet në funksion të mediave online. Kjo që argumentohet është një gjë jo proporcionale qoftë vendosja e gjobave apo sanksioneve që kanë kompetencë dhe në diskrecion këto dy organe.
Gjithashtu në hapësirën e interpretimit që bëjnë që subjektivizmi apo hapësira që lë presioni politik ndaj mediave online mund të shfrytëzohet nga këto dy organe. Padyshim këto vendime të organeve bëhen në mënyrë të menjëhershme të implementueshme nga përmbarimi pa pasur më parë një vendim gjyqësor. Kjo jo vetëm është anti-kushtetuese dhe në cënim të neneve kushtetuese që e sanksionojnë mjaft qartë lirinë e shprehjes si një nga të drejtat kryesore themelore të drejtave të njeriut, por dhe të nenit të dhjetë të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut.

Mendoj që LSI-ja e ka shprehur mjaft qartë që është në krah të gazetarëve për mënyrën si ata e konceptojnë për një vetë rregullim të tyrin të brendshëm. Padyshim në qoftë se flasim për një censurë të medias apo të shprehjes në këtë situatë që ndodhemi sot, ku kemi një parlament mono partiak, ku kemi një sistem gjyqësor në kaos në mungesën e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë apo institucioneve të reja të drejtësisë, ku kemi një mos funksionalitet të shtetit të së drejtës. Padyshim që ndikimi i mazhorancës dhe i kësaj mazhorance me një qasje shumë agresive ndaj fjalës së lirë edhe e dimë shumë mirë anatemimet që janë bërë qoftë nga Kryeministri por edhe metaforat që shpreh ndaj mediave bëjnë padyshim që një nga zërat që sot kundërshton apo bën dhe një farë balance në këtë mungesë të mendimit ndryshe që janë portalet online, që janë kritike ndaj qeverisjes janë target grupi i parë që do të ishte ndaj këtij ligji. Kështu që besoj së është një lajm i mirë, është një shans për mazhorancën që të reflektojë edhe të dëgjojë grupet e interesit për të mos e miratuar këtë ligj.

-Ka qenë Taulant Balla i cili tha që dekretin do ta rrëzojmë në Kuvend dhe duket sikur është një histori që përsëritet dhe më shumë se çështje dekretesh dhe luftë nervash apo edhe pushtetesh, sepse kemi parë gjatë kësaj periudhe. Nga ana tjetër pretendimet nga mazhoranca janë se është një ligj i konsultuar edhe me OSBE. Cilat janë hapat që do të ndjekë opozita më tej për rastin konkret, në rast se ndodh kështu siç tha z.Balla tregon fare mirë apo kjo mazhorancë e tij nëpërmjet kësaj deklarate edhe të një farë mënyre të një qasje shumë agresive që ata kanë ndaj mediave dhe ky nuk është rasti i parë. Pa dyshim ata kanë forcën e kartonit në Parlament por unë mendoj që rezistenca ndaj këtij ligji duhet të vazhdojë në të gjitha format, ato mjete demokratike që janë.

Është shumë për të ardhur keq që në një krizë të tillë institucionale Kushtetuese apo në një krizë ekonomike të thellë në të cilën ndodhet vendi pas vendit të 26 nëntorit edhe krizës që do të thellohet më tej me familjet të cilat tashmë nuk kanë as shtëpi.

Kjo mazhorancë synon të mbyllë edhe një dritare të hapur të të drejtave të njeriut që është ajo e lirisë së shprehjes. Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në krahë të gazetarëve, në krah të atyre që besojnë ende te një Shqipëri e shtetit të së drejtës dhe të një Shqipëri demokratike. Pa dyshim ky ligj nëse miratohet nga mazhoranca do të jetë një ogur shumë i zi për të drejtat e njeriut në Shqipëri duke e lidhur edhe me procesin e ‘Integrimit Europian ku një ndër 5 prioritetet janë pikërisht të drejtat e njeriut dhe nga indekset e fundit ne kemi zbritur në 7 vende në të drejtën e shprehjes.

Pa dyshim që jemi shumë larg përmbushjes së standardeve europiane në të drejtën e shprehjes.