Ligji për armëmbajtjen, Manjani harton projektligj të ri

503
Ligji për armëmbajtjen pa leje, i përmirësuar vitin e kaluar me disa ndryshime, por që rezultoi antikushtetues, e për pasojë Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa prej dënimeve të rënda për këtë vepër penale, ka detyruar ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, që të hartojë një projektligj të ri për të rregulluar nenin 278 të Kodit Penal.
Në një komunikatë për mediat, Manjani thotë se, pasi u njoh me përmbajtjen e vendimit të Kushtetueses mbi armëmbajtjen pa leje, me shqetësimet e ngritura nga Prokurori i Përgjithshëm dhe disa prej gjykatave të niveleve të ndryshme, si dhe pasi konstatoi gabime në miratimin e në botimin e ndryshimeve të fundit në Kodin Penal, mori vendimin e mësipërm për rishikimin e tij.
Sipas asaj që bëhet e ditur, ky rregullim trajton të gjitha shqetësimet e vërejtura. Projektligji po i dërgohet për një opinion Prokurorisë, anëtarëve të Qeverisë, si dhe grupeve të interesit. Me t’u siguruar këto opinione, ai do të dërgohet në Qeveri për t’u miratuar e më pas do t’i propozohet edhe Kuvendit.
Neni 278 i Kodit Penal, vitin që kaloi parashikoi disa ndryshime, ku më kryesorja ishte ashpërsimi i masës së dënimit për këtë vepër penale deri në 15 vite burgim. Por shfuqizimi nga Gjykata Kushtetuese i disa dënimeve të rënda për armëmbajtje ka krijuar një konfuzion në zbatimin e këtij ligji në praktikë. Ky konfuzion është materializuar edhe në disa vendime gjykatash, të cilat kanë qenë të kundërta në masat e dënimit, edhe pse për të njëjtën vepër penale, atë të armëmbajtjes.
Sigal