Ligji i njeh  kompetencat Presidentit për shkarkimin e  gjeneralëve, kompetencë e Nishanit dhe jo e Kryeministrit

443
Sigal

Gjykata Kushtetuese rrëzon  Qeverinë për ligjin  “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Drejtimit të Forcave të Armatosura

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Presidentit Bujar Nishani, duke rrëzuar pesë pika të ligjit për Pushtetet dhe Autoritetet e Drejtimit të Forcave të Armatosura. Në vendimin e publikuar sot në faqen zyrtare në internet thuhet se gjykata i ka hequr kompetencën kryeministrit për të liruar gjeneralët e ushtrisë. Konkretisht në nenin 12 të këtij ligji parashikoheshin dy kompetenca që më parë i kishte Presidenti, por me votat e shumicës në muajin qershor iu dhanë kryeministrit. “Kryeministri ka këto detyra dhe përgjegjësi: ç) nxjerr në rezervë ose lirim, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore, me përjashtim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; d) miraton, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje”,- thuhet në dy dispozitat e rrëzuara tashmë nga Gjykata. Në të njëjtën kohë Kushtetuesja ka rrëzuar dy pika të këtij ligji që kanë të bëjnë me drejtimin e Forcave të Armatosura në gjendje të jashtëzakonshme apo në gjendje të fatkeqësisë natyrore. “Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit. Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit”, – thuhet në këto dy dispozita të rrëzuara tashmë nga gjykata e që për rrjedhim i kalojnë si kompetencë Presidentit. Gjithashtu Kushtetuesja ka rrëzuar një pjesë të një fjalie në nenin 9 të ligjit sipas të cilës në kohë luftë Presidenti i drejton Forcat e Armatosura nëpërmjet Komandantit të Forcave të Armatosura që është Shefi i Shtabit.

Pikat e shfuqizuara
Neni 12
Kryeministri ka këto detyra dhe përgjegjësi:
ç) nxjerr në rezervë ose lirim, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore, me përjashtim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
d) miraton, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje;

Neni 22 pika 3
Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit.

Neni 23 pika 3
Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit.

VENDIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, sot me datën 03.12.2014, shqyrtoi çështjen me palë:
Kërkues: Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Subjekte të Interesuara: Kuvendi i Shqipërisë; Këshilli i Ministrave.
Objekti: 1. Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i ligjit nr. 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. 2. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
Bazuar në nenin 131 dhe 134 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”,
VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e shprehjes “ndërsa në kohë lufte i drejton Forcat e Armatosura nëpërmjet Komandantit të Forcave të Armatosura” të pikës 2 të nenit 9, si dhe shfuqizimin e nenit 12/ç, 12/d, 22/3 dhe 23/3 të ligjit nr. 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.