Ligji anti KÇK, Bardhi: Karriera politike e Edi Ramës i ka themelet tek krimi

516
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka ‘sulmuar’ kryeministrin duke thënë se ai është kreu i KÇK.

Me anë të një statusi në “Facebook”, Bardhi ka kritikuar ligjin “anti-KÇK”.

Ai shprehet se karriera politike e Edi Ramës i ka themelet tek krimi dhe se ai bashkëqeveris me krimin e organizuar.

“Edi Rama lodhet kot, kur bën si kalorës i luftës kundër krimit të organizuar.  Nuk e besojnë as vartësit e vet. Lufta kundër krimit nuk bëhet as me tëitter, as me facebook, as me videomontazh. Që të luftojë Edi Rama krimin, do të thotë të shndërrohet në kamikaz, e të luftojë kundër vetes!

Karriera politike e Edi Ramës i ka themelet tek krimi. Si avokat i krimit, me Vasilika Hysin dhe Etilda Gjonajn në Komitetin Shqiptar të Helsinkit, në vitin 2010, Edi Rama e ankimoi Ligjin Antimafia në Gjykatën Kushtetuese me shqetësimin se shkelte të drejtat e anëtarëve të krimit të organizuar.

Sot në qeverisje, anëtarët e grupeve mafioze më të rrezikshme në vend, po fitojnë një e nga një lirinë, sepse drejtori i burgut të Edi Ramës dhe Kryetari i Bashkisë së Edi Ramës kanë dalë garantë për sjelljen e mirë të kriminelit të rrezikshëm, që ka blerë vota për Edi Ramën.

Shqiptarët nuk kanë sot asnjë dyshim se Edi Rama është kreu i KÇK-së. Ai bashkëqeveris me krimin e organizuar, i jep krimit pushtet politik, tendera, koncesione dhe pasuri publike”, u shprehet Bardhi.