Lidhjet me Soros, përplasen Basha e Selami

517
Të dy kandidatët për kreun e PD akuzojnë njëri-tjetrin për mbështetje nga miliarderi i njohur. Replika për studimet e Bashës dhe bashkëshorten e Selamit
Lulzim Basha dhe Eduard Selami, të dy kandidatët për postin e kreut të Partisë Demokratike, kanë debatuar dje për lidhjet me fondacionin e miliarderit të njohur, Xhorxh Soros. Duke folur përpara demokratëve të Korçës, Basha dhe Selami kanë mohuar të kishin lidhje me Sorosin, ndërsa kanë akuzuar rivalin në garë se mbështetet te fondacioni i shumëdiskutuar muajt e fundit për ndikim në klasën politike, jo vetëm të Shqipërisë. Sipas burimeve nga mbledhja e zhvilluar në Korçë, Selami është shprehur se ai nuk ka asnjë lidhje me këtë organizate. Ndërsa lidhur me faktin, që bashkëshortja e tij punon për fondacionin e Xhorxh Sorosit, ai ka thënë se nuk ka asnjë ndikim në vendimmarrjen e tij. Gjithashtu, edhe Basha ka mohuar të ketë lidhje me fondacionin e miliarderit me origjinë nga Hungaria, duke shtuar më tej se kjo organizatë mbështet socialistët dhe Ramën. Gjatë debatit, mësohet se ka qenë Selami, i cili i ka kërkuar Bashës të thotë të vërtetën, se bursën për të studiuar në Holandë e ka marrë pikërisht nga Sorosi. Ndërkohë, Basha dhe Grida Duma vijoi më tej Selami, e kanë falënderuar publikisht Xhorxh Soros për mundësimin e studimeve dhe për ketë ka edhe filmime. Por Basha, nuk ka pranuar argumentin e Selamit, duke u shprehur se bursa e tij nuk është financuar nga Soros, por nga një fondacion tjetër.

Kandidatët për kryetarë të PD-së ndanë me demokratët edhe analizën e tyre për zgjedhjet dhe paraqitën vizionin që kanë për të ardhmen, për drejtimin e Partisë Demokratike. “Kjo humbje nuk ishte e papritur. Kjo humbje kishte kohë që ne e shikonim si demokratë. Dhe nuk është humbja e parë dhe fatkeqësisht nëse nuk e shikojmë këtë humbje dhe të gjejmë shkaqet e saj, kam frikë se do ta kem shumë të vështirë të rikthehemi”, u shpreh Selami. Sipas tij, mënyra për t’u rikthyer është për ta parë në sy dhe për t’i parë gabimet ashtu siç janë. “Po t’i rikthehemi demokratizimit të brendshëm, kur të fitojmë besimin e njëri-tjetrit, atëherë ne do të kemi të drejtë të na besojnë edhe votuesit tanë, simpatizantët tanë dhe qytetarët shqiptarë. Për mendimin tim ky është thelbi i kësaj analize. Këtu duhet të rikthehemi. Duhet të rikthehemi tek vendosja e rregullave dhe funksionimi demokratik brenda vetes tonë. Nuk mund të jemi ne shpresë për shqiptarët dhe garanci që do të veprojmë në të njëjtën mënyrë për forcimin e shtetit ligjor kur ne shkelim rregullat e lojës tonë”, tha Eduard Selami.

Ndërsa Lulzim Basha tha se PD nuk bëri dhe as nuk do të bëjë pakt me krimin për të ardhur në pushtet. “Ne ishim partia e vetme që erdhi me një program, me një ofertë, me një alternativë, që erdhi nga nevojat e qytetarëve, të cilat nuk i shfletuam gazetave dhe revistave dhe as nuk i shpikëm në laborator politik, por bashkë i prekëm këto 4 vite”, tha Basha. Ai shtoi se pala tjetër nuk ofroi asgjë, as program, as plan, as vizion. “Sepse e gjithë fushata, ishte tek shitblerja e votës. Nuk ka shqiptar që se kupton diferencën mes partive që shesin e blejnë votën dhe përdorin bandat dhe partisë së vetme që ka vlera, parime, ka program, ka zgjidhje. Kuotën morale ta bashkojmë me forcën tonë numerike dhe politike. Akti i parë, bashkimi i brendshëm”, tha Lulzim Basha.

Gjithashtu, kandidatët për kreun e PD-së patën takime me demokratët e Pogradecit, Devollit, Maliqit dhe Ersekës. Anëtarët e PD-së do të votojnë më 22 korrik për të zgjedhur drejtuesin e ri.
Sigal