Lëvizja Vetëvendosje dërgon në Kushtetuese thirrjet e Presidentit Thaçi ndaj qytetarëve për mosbindje

80

Ditën e sotme, lëvizja Vetëvendosje dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për “vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, të datës 23 mars 2020, të shprehur përmes konferencës për media.

Presidenti bëri thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Më 23 mars qeveria e Kosovës vendosi kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, si masë për të penguar zgjerimin e koronavirusit, duke nxitur reagimin e presidentit Hashim Thaçi i cili tha se kjo paraqet shkelje të rëndë të Kushtetutës së vendit.

Presidenti Thaçi tha atë natë se “qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet anti kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë…Nënvizoj, as policia e Kosovës as organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim anti kushtetues të qeverisë sepse kështu edhe vet bëjnë vepër penale…”

Duke dorëzuar të martën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e këtyre deklarimeve, anëtarja e kryesisë së lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, njëherësh nënkryetar e parlamentit tha se më këto thirrje presidenti “kreu shkelje serioze të aktit më të lartë, Kushtetutës së vendit duke bërë thirrje për moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Një ditë më parë ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, dorëzoi në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, kallëzim penal kundër presidentit Thaçi, “në lidhje me deklarimet e tij të datës 23 mars – për të mos respektuar Vendimet e marra nga Qeveria në raport me masat mbrojtëse kundër virusit COVID-19”.

Në një njoftim të ministrisë së Brendshme thuhet se zoti Sveçla “ngriti kallëzimin penal kundër Presidentit, duke ngritur dyshimin e bazuar se Presidenti ka kryer veprën penale “Thirrje për rezistencë”.

Vendimi i qeverisë për kufizim lëvizjesh, pasoi përplasjet për dhe kundër gjendjes së jashtëzakonshme që u shpërfaqën më 18 mars, kur kryeministri Albin Kurti refuzoi kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për deklarimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryeministri Albin Kurti shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak të mospajtimeve rreth gjendjes së jashtëzakonshme dhe pas kësaj Lidhja Demokratike ngriti një mocion votëbesimi që çoi në rrëzimin e qeverisë së Kosovës më 25 mars.