Leli bën betimin si kryebashkiak: Bashkia e re e Vlorës do të ketë në qendër të saj qytetarin

445
Këshilli bashkiak i Vlorës, i dalë nga zgjedhjet e 21 Qershorit, zhvilloi sot mbledhjen e parë të konstituimit, ku kryetari i ri i Bashkisë, Dritan Leli, bëri betimin, duke nisur zyrtarisht detyrën. Në këtë mbledhje, ku ishin të pranishëm edhe Ministri Për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, si dhe deputetet e Qarkut të Vlorës, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, Koço Kokëdhima, Mira Shehu, u zgjodhën kryetarja dhe nënkryetarja e këshillit, si dhe përfaqësuesit e tij në Këshillin e Qarkut. Me shumicë dërrmuese votash, 36, nga 40 këshilltarë të pranishëm në këtë mbledhje, në këtë detyrë u zgjodh Vojsava Shkurtaj, përfaqësuese e Partisë Socialiste dhe koalicionit ASHE, ndërkohë që për funksionin e nënkryetares u votua Nadire Meçorapaj, përfaqësuese e Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë.
Të dy këta emra u zgjodhën pothuajse në mënyrë konsensuale. Bilanci i votimit për Shkurtajn, ishte 36 “pro”, një “kundër” dhe 3 fletë votimi rezultuan bosh. Ndërkohë, Meçorapaj, u zgjodh në mënyrë konsennsuale nga të dy krahët e politikës të përfaqësuara në këshill. Gjithashtu, këshilli bashkiak i Vlorës zgjodhi në mbledhjen e parë edhe 6 përfaqësuesit e kësaj njësie të qeverisjes vendore në Këshillin e Qarkut, ku Bashkia e Vlorës ka 7 anëtarë, së bashku me kryetarin e Bashkisë, që sipas ligjit, nuk i nënshtrohet kësaj procedure. Pas votimit të 10 emrave të propozuar nga të dy grupet e këshilltarëve, rezultuan fitues 6 përfaqësuesit e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane.
Duke marrë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut dhe duke ju drejtuar të pranishmëve dhe gjithë bashkëqytetarëve, zoti Dritan Leli theksoi se, “Besimi që na keni dhënë do t’ju kthehet mbrapsht. Bashkia e re e Vlorës do të ketë në qendër të saj qytetarin. Duke filluar qysh sot, institucioni i Bashkisë do të jetë tempull i juaji dhe të gjithë punonjësit e saj do të jenë shërbëtorët tuaj të devotshëm. Unë kam mbajtur shënim gjithçka që kemi thënë dhe këto ditë paszgjedhore, jam angazhuar personalisht që secili problem të marrë drejtimin e zgjidhjes së duhur. 
Vlora do të ndryshojë dita ditës nga secili prej nesh, prandaj dhe përfitoj nga kjo ditë për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit përfaqësuesve të opozitës”, theksoi Leli, në fjalimin e tij të parë zyrtar si kryetar i Bashkisë së Vlorës. Dera e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, do të jetë e hapur për të gjithë ju, e hapur për ata mijra të rinj dhe të reja vlonjatë, që kanë studiuar jashtë Shqipërisë dhe sot japin kontributin e tyre në vende të tjera të botës”, u shpreh Leli, ndërkohë që shtoi se, Bashkia Vlorës do të jetë streha e tyre më e mirë dhe ata mund të vijnë së bashku me idetë dhe eksperiencën që kanë fituar në qytetet më të mëdha të Evropës. “Ejani ta bëjmë Vlorën, njërën prej këtyre qyteteve europiane”, theksoi Leli. 
Sigal