Legalizimi i kanabisit dështim për formalizim të ekonomisë

457
Sigal

Nga Edmond Haxhinasto

Mazhoranca do të miratojë së shpejti një ligj për legalizimin e kanabisit për përdorim mjeksor. Dhe për këtë është konsultuar me ekspertë ndërkombëtarë, por jo me Bashkimin Evropian, ku ekonomia jonë pritet të integrohet pas procesit të negociatave. Çështja e legalizimit të kanabisit, sigurisht, nuk është vetëm një çështje shqiptare. Debati për të është i hershëm. Akoma diskutohet gjatë për të në SHBA, në Kanada, në shumë vënde të Afrikës, etj.   Vendimarrja për legalizimin e kanabisit, aspak e lehtë e tepër komplekse, kalon përmes diskutimeve që marrin në konsiderate kryesisht opinionin dhe moralin publik, shëndetin publik, si dhe impaktin ekonomik: Efektin tek ekonomia në përgjithësi, dhe risqet me të cilat duhet të përballet investitori, prodhuesi, tregëtuesi e konsumatori. Ndërkohë që kjo mazhorancë nuk ka treguar shëmbuj se merr në konsideratë ndonjërin nga këta faktorë. Prandaj, çdo vendim-marrje e nxituar do të kishte pasoja të rënda për ekonominë, bujqësinë në veçanti, si dhe individët që do të përfshiheshin në këtë sektor “të ri”. Në fakt, një analizë e plotë do të bëhej pasi të njihemi konkretisht me ligjin. Por një sërë pyetjesh janë më se të natyrshme në këtë moment. Një pyetje është: Pse tani? Janë disa shpjegime, si politike, ashtu edhe taktike. Së pari, duhet një temë “e nxehtë” për të dominuar diskursin politik e për të lënë jashtë “radarit” tema të tjera të keq-qeverisjes. Tjetër arsye është se opozita nuk është në parlament. Dhe diskutimi për këtë çështje mund të shkojë “vaj” me “disiplinën politike” të mazhorancës dhe pseudo-opozitës parlamentare. Ndokush mund t’i referohet efektit ekonomik: Mund shihet si mënyrë për t’i dhënë serum ekonomisë post-Covid-19, një si punë “asi nën mëngë”. Ndërkohë që angazhimi siç duhet i paketës 1 miliard Euro për rindërtimin nga tërmeti i 26 nëntorit mund të ishte një injeksion i vërtetë për ekonominë, gjë që është shumë larg realizimit. Për të shkuar më tej, legalizimi mund të jetë një lloj “amnistie”, një lloj formalizimi i resurseve të mëdha të angazhuara sot në prodhimin e kanabisit. Që, në çdo rrethanë, do të ishte një kapitullim përpara premtimit (ndonëse të pabesueshëm) për të çuar në zero prodhimin e tij. Nëse vërtetë besojmë se përpjekja bëhet për formalizim të prodhimit dhe përfitim taksash nga ky aktivitet, legalizimi i kanabisit është një dorëzim dhe dështim tjetër për formalizim të ekonomisë informale, që ekspertë serioze vlerësojnë se shkon deri në rreth 50 % ekonomisë në përgjithësi, formalizimi i te ciles do te dyfishonte te ardhurat ne buxhet.

Po kështu, nëse motivimi për legalizimin është punësimi që mund të sjellë, kjo zgjidhje është  veçse një pranim se ekonomia (ajo para Covid-19) nuk garantoi hapsirë për punësim në shifrat e premtuara.

Nuk dimë nëse është diskutuar, veçanërisht me “ekspertet ndërkombëtarë” eksperienca e disa vendeve të tjera, ku kanabisi si produkt, nuk ka qënë panacea e zgjidhjes së problemeve, aq më pak të problemeve të mëdha si ato të ekonomisë sonë.

Një raport serioz (MarketWatch) tregon disa tipare të kësaj “industrie” në disa shtete të SHBA që e kanë legalizuar prodhimin

Prodhimi i kanabisit i ka nuk ka sjellë përfitimet e pritshme; kompanitë që merren me të, në vitin 2019, me shumë vështirësi kanë mbuluar shpenzimet.

Aksionet e këtyre kompanive (që janë publike, -vini re: PUBLIKE, pra me aksione të kuotuara në bursë) kanë vlerë shumë të ulët.

Kërkohen investime shumë të larta kapitale për të hyrë në treg e për të garantuar qëndrueshmëri prodhimi.

Legalizimi i prodhimit nuk ka sjellë formalizimin të tregut, dhe rrjedhimisht vjeljen e taksave (përfitimi shoqëror). Tregu i zi përsëri ekziston në përmasa të mëdha.

Infrastruktura e shitjes se kontrolluar (në SHBA dhe në Kanada) është shumë e papërgatitur dhe për pasojë, nuk ka përfitime në taksa për shtetin. Tani, të mendojmë për një çast sa të përgatirur jemi ne, kur SHBA e Kanadaja kanë probleme të tilla!!!

Dikush mund të thotë me të drejtë që kanabisi rekreativ dhe ai për qëllime mjeksore nuk janë e njëjta gjë. Po. Kjo është e vërtetë. Por prodhimi i kanabisit mjeksor vetëm sa i vështirëson më shumë problemet.

Investimi kapital është shumë më i madh (kemi të bëjmë me serra dhe teknologji ku standartet e prodhimit janë shumë rigoroze). Rrjedhimisht, risku për kthimin e investimit  është shumë më i lartë. Procesi i përpunimit të produktit, është shumë teknologjik dhe me një nivel të lartë përqëndrimi në tregun ndërkombëtar, që e bën edhe më të lartë riskun e investimit.

Por pikëpyetjet janë të shumta edhe për sektorin bujqësor, me strukturën siç është sot. Çfarë do të ndodhë me bujqësinë? A do marrë kjo “industri e re” mbështjetje në subvencione apo grante? Me fjalë të tjera, a do të thithë kanabisi mbështjetje shtetërore aq të pritshme prej kohësh nga fermerët e tjerë (jo të kanabisit)?

Po me strukturën e prodhimit bujqësor, çdo të ndodhë? A do të kemi një rendje pas kanabisit, dhe prodhimet e tjera t’i importojmë, duke sjellë varësi, risqe në rritje nga tregu ndërkombetar dhe çmime në rritje për konsumatorin e produkteve ushqimore?

Po vendi, a ka ndonje avantazh konkurrues në drejtim të prodhimit të kanabisit, krahasuar me p.sh. disa shtete afrikane që kanë toka pa fund dhe krah pune shumë më të lirë se ne?

Përtej konsideratave ekonomike, legalizimi i kanabisit është edhe një çështje e opinionit publik. Legalizimi i kanabisit duhet të kalojë testin e miratimit ose refuzimit publik. Si vend pa traditë referendumesh, testimin e bëjmë zakonisht gjatë konkurrimeve zgjedhore. Deri më sot asnjë forcë politike nuk është votuar me legalizimin e kanabisit në program. Për një çështje të tillë, që prek shëndetin publik, strukturën e ekonomisë dhe standartin e jetesës së qytetarëve, duhet domosdoshmërisht një testim publik. Në shumë vende të tjera, përpjekjet për legalizimin e kanabisit, i kanë dhënë fund karrierës politike të promovuesve të tij. Në SHBA, aktualisht, si presidenti Trump, ashtu edhe kandidati demokrat Biden, nuk kanë mbajtur qëndrime mbështetëse për legalizimin.

Prandaj, vendim-marrja për legalizimin kërkon përmbajtje, transparence dhe vlerësim të kostove e përfitimeve edhe sepse kanabisi nuk është as ari as nafta e tregut botëror.