Ledio Braho: Strategjia e KLGJ për dosje “kapicë” një dështim !

22
Sigal

 

Skema që Këshilli i Lartë Gjyqësor duket se ka hartuar me synimin për të ulur numrin e çështjeve të prapambetura në gjykata duket se nuk ngjall shumë besim mes juristëve

Edhe strategjia që Këshilli i Lartë Gjyqësor duket se ka hartuar me synimin për të ulur numrin e çështjeve të prapambetura në gjykata duket se nuk ngjall shumë besim mes juristëve. Në një dalje televizive juristi Ledio Braho u shpreh se Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk zgjidh asgjë. Sipas tij mënyra si perceptohet zgjidhja e ngërçit në sistem nga ky institucion është krejtësisht e gabuar. “Nga vetë raporti që KLGJ ka prodhuar në fund të 2023 kanë qenë 114 mijë çështje të mbartura në të gjitha gjykatat shqiptare. Numrin më të konsiderueshëm e ka Gjykata e Tiranës, ku është ajo e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykata Administrative dhe Gjykatat e Apelit, që janë dy sipas hartës së re gjyqësore.” tha ai. Më tej për MCN ai u shpreh se: “Këshilli i Lartë Gjyqësor pranon që Gjykata Administrative e Apelit sot për të gjykuar një çështje i duhen 14.6 vite. Flitet për vendime të standardizuara. Këshilli i Lartë Gjyqësor thotë se do bëhet inventarizimi i të gjithë këtyre dosjeve, do shihet cilat janë dosje të përafërta dhe bëjmë vendime të standardizuara. Nuk e di si kuptohet që të bësh një vendim standard për 5 apo 6 çështje. Sado që mund të kenë bazë ligjore të njëjtë një grup çështjesh, zgjidhjet patjetër që janë të ndryshme. Prandaj shkohet në gjykatë se nëse janë kaq të standardizuara, atëherë i zgjidh administrata nuk kemi pse shkojmë në gjykatë. Këshilli i Lartë Gjyqësor thotë tani; standardizoi dhe të bëjmë vendime të ngjashme, apo urdhrat e ekzekutimit për detyrime të papaguara që bizneset kanë me njëri-tjetrin.  Këshilli i Lartë Gjyqësor pranon kështu që këto të bëhen nga sekretarët. Si mund të bëjnë sekretarët vendimmarrje të gjykatave? E lidh me marrëdhënien e besimit që ka sekretarja me gjyqtaren. Janë disa fjali që përveç se janë non sens juridik, janë në kundërshtim me dhënien e drejtësisë. Mënyra si e percepton Këshilli i Lartë Gjyqësor zgjidhjen e këtij ngërçi që ka gjyqësori është krejtësisht e gabuar”, tha ai.