Ledio Braho, konstitucionalist: Reforma në Drejtësi po cenohet nga “arnimet” e Rilindjes me ligje, që janë në kundërshtim me Kushtetutën

258
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Parlamenti monist, kërkon të përmbys Kushtetutën, për interesa partiake

Pas 5 vitesh, Rilindja kërkon sërish ndryshime (arnime)  të reformës në drejtësi, që prekin edhe Gjykatën Kushtetuese. Në më pak se dy muaj para zgjedhjeve të 25 prillit, Partia Socialiste kërkon që të ndryshojë ligjet kryesore të Reformës në Drejtësi. Pavarësisht që në çdo deklaratë publike, zyrtarë të Rilindjes, e kanë cilësuar reformën në drejtësi si kalin e betejës, bashkë me rindërtimin dhe vaksinat, dhe nuk është çudi që edhe fushatën ta bazojnë pikërisht këtu, në Kuvend kërkojnë ndryshime ligjore pikërisht lidhur me ato që konsiderohen si institucionet e reja të reformës në drejtësi, por edhe ndryshimet në Kodin Civil dhe atë Penal. Nga raportimet mësohet se projektligjet për ndryshimin e disa prej pikave kyçe të Reformës në Drejtësi janë firmosur nga deputetët Ulsi Manja, Adnor Shameti dhe Klotilda Ferhati. Këto ndryshime parashikohen të votohen në Kuvend në 15 mars dhe kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash. Ndër nismat e propozuar është edhe mënyra e zgjedhjes së tre gjyqtarëve kushtetues nga Gjykata e Lartë. Mazhoranca kërkon të ndryshojë ligjet e Reformës në Drejtësi. Pesë vite nga miratimi i neneve të reja kushtetuese, të pagëzuara si drejtësia e re, vetë shumica socialiste kërkon të ndryshojë aktet ligjore nën argumentin se pushteti gjyqësor ka vështirësi në kryerjen e detyrave, për shkak të vakancave të krijuara gjatë procesit të vetting-ut.  Kjo dispozitë e re ligjore, nëse miratohet, parashikon që për të dërguar tre propozimet e veta në Gjykatën Kushtetuese, kuorumi i nevojshëm në Gjykatën e Lartë të mos jetë më prej 14 anëtarësh, por do të mjaftonte një shumicë e thjeshtë, pra 10 anëtarë.  Aktualisht, Gjykata e Lartë ka në përbërje 3 gjyqtarë dhe për të reduktuar numrin e madh të dosjeve në pritje, propozohet edhe ndryshimi i trupës së nevojshme për shqyrtimin e tyre, duke quajtur të mjaftueshëm vetëm një gjyqtar, nga tre që kërkohet aktualisht.  Disa prej projektligjeve, që synojnë të ndryshojnë socialistët: Projektligj “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.31995 “kodi i procedurës penale”, të ndryshuarProjektligj “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2016 “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”Projektligj “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”Projektligj “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 98/2016 “për organizimin e pushtetit gjyqësor”.

Projektligjet janë për ndryshimin:

  • e ligjit nr.7905 datë 21.3.1995 të “Kodit të Procedurës Penale”

  • e ligjit nr.97/2016 për “Organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”

  • e ligjit nr.8116 datë 29.3.1996 të “Kodit të Procedurës Civile”

  • e ligjit nr.7895 datë 27.1.1995 të “Kodit Penal”

  • e ligjit nr.8577 datë 10.2.2000 për “Organizimin e Gjykatës Kushtetuese”

  • e ligjit nr.98/2016 për “Organizmin e pushtetit gjyqësor”

  • e ligjit nr.95/2016 për “Organizimin dhe funksionimin e institucioneve të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”,

  • e ligjit nr.25/2019 për “Organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”

Reforma në Drejtësi cënohet nga “arnimet” e Rilindjes


Gazeta “Telegraf” i mori këtë prononcim, konstitucionalistit Ledio Braho
:

-Zoti Braho, Si i gjykoni ndryshimet ligjore që kërkon të bëjë PS tani, për të ndryshuar procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë?

– Duke parë natyrën e ndryshimeve, edhe pse prima facia janë teknike, del në pah fakti se Gjykata e Lartë, që është një nga organet e emërtesës së tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me gjasë e ka të pamundur të plotësohet në tërësinë e saj brenda fundit të vitit 2023. Propozimi për ndryshim se “Deri në emërimin e të paktën tre të katërtat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, por, në çdo rast, jo më vonë se data 31.12.2023, mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas pikës 3, te nenit 7/ç, të këtij ligji, është e vlefshme nëse marrin pjesë të paktën gjysma e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”,  tregon se edhe pas 7 vitesh nga miratimi i Reformës në Drejtësi, Shqipëria mund të mos ketë një Gjykatë të Lartë në funksionalitet të plotë. Po ashtu, fakt tjetër i rëndësishëm në lidhje me këtë propozim për ndryshim, si dhe për të gjitha ndryshimet e propozuari rishtazi për ligje, që kanë qenë pjesë e paketës së reformës në drejtësi, tregojnë se ka vullnet për të prekur këtë reformë, pa një opozitë të vërtetë parlamentare. Propozime të tilla, dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, ku pavarësisht fituesit, të paktën do të garantojnë një parlament që do të përfaqësojë sovranin, bien ndesh me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. Për mendimin tim, pavarësisht pasojave kolaterale që ka sjellë reforma në drejtësi, qëllimi i saj për të rritur besueshmërinë e publikut te pushteti gjyqësor, nuk duhet të cënohet nëpërmjet “arnimeve” të minutës së fundit të një parlamenti që nuk përfaqëson vullnetin e sovranit e për me tepër që është në prag shpërndarjeje. Ndryshimet e mundshme në paketën e ligjeve të reformës në drejtësi duhet të analizohen me kujdes dhe të miratohen me një shumicë të cilësuar të vërtetë në legjislaturën e ardhshme.