Ledio Braho: Ja si do të votohet në 25 prill dhe formula e shpërndarjes së mandateve. Votuesit nuk do votojnë përfaqësuesin e tyre, por kryetari i Partisë do të emërojë deputetët e rinj

926
Sigal

Ledio Braho: Ja si do të votohet në 25 prill dhe formula e shpërndarjes së mandateve. Votuesit nuk do votojnë përfaqësuesin e tyre, por kryetari i Partisë do të emërojë deputetët e rinj. Minoritetet nuk do kenë më deputetë

Çdo zgjedhës ka të drejtë të votojë subjektin zgjedhor (partinë politike) dhe në mënyrë alternative të përzgjedhë dhe një nga kandidatët e këtij subjekti zgjedhor në mënyrë që të ketë efekt votimi parapëlqyes

Kryetari i Partisë do të emërojë deputetët  (edhe) në parlamentin e ri

 Jakup B. GJOÇA

Ledio Braho, anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” zbardh mënyrën sesi do të votojnë votuesit në 25 prill 2021 dhe si do të shpërndahen mandatet. Zoti Braho, pohon se në bazë të Kodit të ri Zgjedhor, votuesit nuk do të kenë mundësi që të votojnë kë kandidat duan ata t’i përfaqësojë në Kuvend, por vendimtare do të jetë lista që ka përcaktuar kryetari i Partisë. Duke patur parasysh kulturën e mangët demokratike të votuesve shqiptarë, një kandidat i përcaktuar në fundin e renditjes së kandidatëve për deputet në Listën e një partie politike, si subjekt zgjedhor, mund të dalë  në krye të renditjes përfundimtare të Listës për deputet, vetëm nëse ai personalisht merr vota më shumë se herësi që del nga pjesëtimi i votave që ka marrë partia në zonën elektorale me numrin e mandateve të fituara nga kjo parti në atë zonë elektorale. Zoti Braho, duke shpjeguar edhe uljen e pragut nga 3% në 1%, shprehet, se tashmë për partitë e vetme, sikurse janë ato të minoritetit, është gati e pamundur, që ato të marrin qoftë edhe 1 mandat deputetësh.

– Zoti Braho, cili do jetë roli i strukturave të reja të KQZ?

– Strukturat e reja të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që janë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve janë përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, drejtojnë dhe mbikëqyrin veprimtarinë e administratës zgjedhore, monitorojnë veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore dhe të medias në raport me zgjedhjet, si dhe zgjidhin në rrugë administrative kërkesat apo ankesat që kanë lidhje me procesin zgjedhor. KQZ aktuale nuk është më një organ i vetëm kolegjial, por është strukturuar në tre organe, ku Komisioneri Shtetëror është organ monokratik dhe dy organet e tjera, Komisioni Rregullator dhe ai i Ankimimeve dhe Sanksioneve, janë organe kolegjiale, duke ndarë në këtë mënyrë edhe kompetencat mes këtyre tre organeve.

 

Një kandidat që është poshtë vijës fituese, edhe nëse ka vota më shumë se kandidatët mbi vijën fituese, shndërrohet në kandidat fitues vetëm nëse kalon herësin që del nga pjestimi i numrit të votave të marra nga subjekti zgjedhor, me numrin e mandateve të fituara nga ky subjekt në zonën zgjedhore përkatëse

– Me konfiguracionin e ri, KQZ-ja a do ketë rol përcaktues partiak, në vendimmarrjet e saj për procesin zgjedhor, siç ndodhi në 30 qershor 2019, ku KQZ-ja konstatoi si të pavlefshëm Dekretin e Presidentit të Republikës në kundërshtim me rolin e saj kushtetues?

– Përbërja e KQZ aktuale, pavarësisht se është produkt i propozimeve përfundimtare nga përfaqësues të partive politike, garanton një paanshmëri dhe pavarësi politike të paktën de jure. Nëse realisht do i qëndrojë ligjshmërisë në vijim, është ende herët për të arritur dhe nuk mund të paragjykohet pavarësisht bindjeve politike që mund të kenë anëtarët e organeve të saj. Mënyra e përzgjedhjes dhe votimi i të gjitha kandidaturave që u zgjodhën e garantojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e anëtarëve të organeve të reja të KQZ.

– Si do të votojnë votuesit në 25 prill 2021 me Kodin e ri Zgjedhor?

Nëse i referohemi ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që u miratuan në seancën e kaluar plenare të Kuvendit, pavarësisht parashikimeve në kod, mënyra e votimit parapëlqyes do të miratohet më tej nga Komisioni Rregullator në varësi të numrit të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje, duke respektuar kushtin që informacioni i përcjellë nga fleta e votimit të mos jetë tejet i ngarkuar, konfigurimi i fletës të jetë i qartë e i kuptueshëm për zgjedhësin dhe zgjedhësi ta ketë të lehtë orientimin për votimin e subjektit zgjedhor dhe të kandidatit të parapëlqyer. Megjithatë në kod tashmë parashikohet se, pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën e votimit shënon në vendin e përcaktuar nga fleta e votimit për subjektin zgjedhor dhe/ose kandidatin e parapëlqyer të subjektit zgjedhor shenjën “x” ose “+” ose një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij.  Pra çdo zgjedhës ka të drejtë të votojë subjektin zgjedhor (partinë politike ose koalicionin përkatës) dhe në mënyrë alternative të përzgjedhë dhe një nga kandidatët e këtij subjekti zgjedhor në mënyrë që të ketë efekt votimi parapëlqyes. Në rast se zgjedhësi zgjedh vetëm subjektin zgjedhor, vota është sërish e vlefshme, por merret si e mirëqenë se në këtë rast zgjedhësi bie dakord me renditjen e kryer nga subjekti zgjedhor. Të njëjtin efekt do ketë në rezultat edhe nëse zgjedhësi përzgjedh dy ose më shumë kandidatë të subjektit zgjedhor.

 

Tashmë, për një parti politike me karakter rajonal siç janë ato që përfaqësojnë minoritetet është pothuajse e pamundur që të garojnë në vete dhe të arrijnë të nxjerrin një mandat deputeti

– Zoti Braho, Kodi i ri Zgjedhor ka hapur listat? A mund të bëhet deputet, i pari  i Listës në renditjen që përcakton kryetari i Partisë?

– Ndryshimi i fundit zgjedhor që trumbetohet si hapje e listave dhe ku do jenë zgjedhësit ata që do vendosin për përfaqësuesit e tyre në Kuvend, është një hapje pjesore dhe për aq kohë sa është risi në realitetin politik shqiptar, është ende herët për të arritur në përfundimin nëse listat janë të hapura apo jo. Mënyra e shpërndarjes së mandatave brenda një subjekti zgjedhor është e tillë që nuk është tërësisht e hapur për aq kohë sa rirenditja nuk do të bëhet bazuar vetëm në votat që do marrë gjithsecili nga kandidatët, pra që rirenditja të bëhet duke vendosur në krye kandidatin me më shume vota dhe në fund të listës kandidatin me më pak vota. Sipas ndryshimeve në kod lista do të ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë do të jenë kandidatët që janë pjesë e mandateve fituese të cilët do të rirenditen sipas numrit të votave që kanë marrë, pjesa e dytë do të jenë kandidatët që janë poshtë vijes fituese të mandatave fituese, të cilët gjithashtu do të rirenditen sipas numrit të votave që kanë marrë. Problemi i formulës së miratuar rishtazi është që një kandidat që është poshtë vijës fituese, edhe nëse ka vota më shumë se kandidatët mbi vijën fituese, shndërrohet në kandidat fitues vetëm nëse kalon herësin që del nga pjestimi i numrit të votave të marra nga subjekti zgjedhor me numrin e mandateve të fituara nga ky subjekt në zonën zgjedhore përkatëse.  Nëse herësi është më i madh se numri 10000, atëhere do të mjaftojë ky numër votash nga kandidati poshtë listës fituese që të ngjitet në listën fituese dhe të zbresë kandidati që është në vijën fituese nën të. Një formulë e tillë që është e ndërlikuar nuk e garanton hapjen e listave e aq më pak që në Kuvend të marrin mandat më të votuarit, por do të mbizotërojnë përzgjedhjet e kryetarëve të partive.

Kush do t’i përfitojë  votat e partive dhe subjekteve elektorale të cilat nuk fitojnë mandat deputeti, qoftë edhe për 10 vota?

– Pas përllogaritjes së mandateve nga KQZ, votat e partive politike apo subjekteve zgjedhore që nuk arrijnë të prodhojnë një mandat, nuk përllogariten për asnjë subjekt për efekt mandati parlamentar apo në Këshill Bashkiak në rastin e zgjedhjeve vendore.

– Çfarë risi është ulja e pragut kombëtar nga 3% në 1%? Kush përfiton?

– Duke qenë se harta zgjedhore është e ndarë në disa zona, pra sistemi zgjedhor në vend është proporcional dhe jo kombëtar, më parë pragu ka qenë 3% për partitë politike dhe 5% për koalicionet, por përqindje në një zonë të caktuar zgjedhore, ndërkohë që me ndryshimet e fundit zgjedhore pragu 3% siç u propozua dhe 1% siç u miratua në Kuvend është në nivel kombëtar, çka është problem për partitë e vogla, duke e bërë të vështirë kandidimin e tyre në një listë zgjedhore në vete. Tashmë, për një parti politike me karakter rajonal siç janë ato që përfaqësojnë minoritetet është pothuajse e pamundur që të garojnë në vete dhe të arrijnë të nxjerrin një mandat deputeti. Ulja e pragut nga 3% në 1% u bë me qëllimin e vetëm për të mbështetur partitë e reja apo partitë e vogla, por që sërish është një prag që mund të sjellë si pasojë mospërfitimin e ndonjë mandati nga këto parti, edhe pse mund ta arrijnë numrin e votave të mjaftueshme në një zonë të caktuar zgjedhore për të nxjerrë një deputet. Në rastin që nuk arrihet pragu kombëtar prej 1%, këto vota nuk përllogariten për mandat parlamentar.

– Nëse partia e parë fituese nuk ka 71 mandate deputetësh, dhe partia e dytë me koalicion postzgjedhor arrin të grumbullojë 71 mandate, a krijon qeveri të re?

– Sipas nenit 96 te Kushtetutës Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2020 do jetë pikërisht subjekti zgjedhor që do të marri numrin më të madh të mandateve që do të ketë të drejtën të emërojë kryeministrin i cili duhet që domosdoshmërisht të miratohet me 71 vota në Kuvend. Sërish sipas nenit 96 të Kushtetutës, në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve. Në këtë rast kryeministri do të propozohet nga subjekti zgjedhor që është renditur i dyti dhe nëse ky arrin të krijojë një shumicë të thjeshtë prej 71 votash atëherë kryeministri konsiderohet i miratuar dhe që patjetër që do jetë produkt i një koalicioni paszgjedhor.

 

Mënyra e shpërndarjes së mandatave brenda një subjekti zgjedhor, është e tillë që nuk është tërësisht e hapur, për aq kohë sa rirenditja nuk do të bëhet bazuar vetëm në votat që do marrë gjithsecili nga kadidatët

– Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 kur e fillon mandatin e saj qeverisës?

– Mandati qeverisës fillon pas miratimit të qeverisë nga mandati i Kuvendit që do të zgjidhet në zgjedhjet e datës 25 prill. Neni 65 i Kushtetutës parashikon se mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë çka do të thotë se mandati i këtij Kuvendi përfundon në 9 shtator të vitit 2021 dhe duke qenë se neni 67 i Kushtetutës parashikon se Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati, Kuvendi i ri do të mblidhet në harkun kohor mes datave 9 dhe 19 shtator të vitit 2021, çka do të pasohet dhe me miratimin e qeverisë së re.

– Faleminderit!

 

 

 

Kuvendi i ri do të mblidhet në harkun kohor mes datave 9 dhe 19 shtator të vitit 2021, çka do të pasohet dhe me miratimin e qeverisë së re