Landfilli i Elbasanit është TEC, jep vetëm 2 % të energjisë

77

 

 Koncesionari i landfillit e ka marrë tokën falas, lëndën e parë (mbetjet) falas; bashkia i paguan përpunimin dhe transportin e tyre falas deri në landfill; ndërsa për 10 vite, në emër të gjoja punësimit, koncesionari nuk do paguajë asnjë taksë dhe për çdo 1000 Euro prodhim energji elektrike, i jep shtetit vetëm 20 Euro në vlerë financiare, ose sasi energjie. Ajo çfarë grupi “Rama-Ahmetaj”, u kanë fshehur shqiptarëve dhe BE, është mashtrimi se impianti “Albtek Energy” i djegies së mbetjeve brenda Landfillit të Elbasanit, gjoja është “Incenerator”, por sipas teknologjisë së ndërtimit dhe funksionimit, është “TEC”. Këtë e konfirmon Leja Nr. 4557/7, datë 31.10.2016, firmosur nga ish-ministri Damian Gjiknuri, me të cilën miraton ndërtimin, funksionimim dhe shfrytëzimin prodhues të impiantit energjitik “Albtek Energy”, i cili do prodhojë energji elektrike, nga djegia e mbetjeve urbane. Sipas raportit të Sekretariatit Mjedisor në KiE, që ka mbikëqyrur teknologjinë djegëse të instaluar në Landfillin Elbasan; dhe çlirimin e gazrave në mjedis prej tij; është konstatuar se impianti nuk është “Incenerator”, por është TEC. Është klasifikuar si “TEC Helmues”, jo vetëm për pajisjet teknologjike, që nuk lejohen të instalohen e përdoren në asnjë vend të Europës; por këto pajisje nuk janë certifikuar nga institucionet mjedisore, madje janë pa certifikatë teknologjike për vendin, vitin e prodhimit, origjinën e importimit dhe kohën sa janë shfrytëzuar. Sipas matjeve të gazrave, që ky impiant (TEC) çliron në mjedis pas djegies së mbetjeve, rezulton se është jashtë standardeve të Direktivës 2000/76/EC të BE.

I quajturi “Incenerator” brenda Lanfillit-Elbasan, është totalisht “TEC”, në strukturë teknologjike, çlirim gazrash e kapacitet prodhimi energjie, por ndryshon vetëm lloji i lëndës së parë që djeg, mbasi nuk është naftë, mazut apo gaz, por është mbetje urbane

Ja argumentat

Së pari, sepse oxhaqet e impiantit (TEC) djegës të mbetjeve në Lanfillin Elbasan, janë 17 metër të lartë nga sipërfaqja e tokës (5 kate pallat), kur duhet të jenë 10 metër më të lartë se objekti më i lartë në zonën e banimit, ku është ndërtuar impianti.

Së dyti, në këtë lartësi oxhaqesh, që është 12 metër me e ulët se godina më e lartë e banimit në Elbasan; gazrat që çlirohen nga djegia e mbetjeve në Landfill, kanë temperaturë 166 gradë celsius në 17 metër lartësi ajri, me sasi 37 800 m3 në orë; që do të thotë 100% helmim e asgjësim oksigjeni, në hapësirën ku shpërndahet.

Së treti, gazrat që çlirohen nga djegia e mbetjeve urbane, kanë peshë specifike 8 herë më të lartë se lëndët e tjera djegëse; për rrjedhojë në lartësi të ulët të atmosferës.

Së katërti, i quajturi “Incenerator” brenda Lanfillit-Elbasan, është totalisht “TEC”, në strukturë teknologjike, çlirim gazrash e kapacitet prodhimi energjie, por ndryshon vetëm lloji i lëndës së parë që djeg, mbasi nuk është naftë, mazut apo gaz, por është mbetje urbane.

Si vidhet shteti, me lejen ilegale, që ka firmosur ministri për këtë TEC?

Dyshja Rama-Ahmetaj, kanë bërë një aferë tjetër korruptive edhe brenda kontratës së landfillit-Elbasan, për të quajturin “Incenerator”, duke miratuar një leje sekrete aktiviteti, që nuk e publikon as qeveria e as koncesionari, firmosur nga ish-ministri Damian Gjiknuri: Sipas dokumentit që po publikon “Pamfleti”, pronari i TEC “Albtek Energy” në landfillin e Elbasanit, ka detyrim t’i jap shtetit shqiptar, vetëm 2% të sasisë së energjisë që prodhon, ose më qartë: për çdo 1000 Euro energji, shteti merr vetëm 20 Euro. Sipas klauzolës që ka vendosur ish-ministri Damian Gjiknuri, afati i TEC “Albtek Energy” në landfillin e Elbasanit është për 25 vite; me të drejtë përsëritje afati dhe 25 vite të tjerë. Ky pazar, që nuk gjendet në kontratën ligjore të PPP që ka firmosur ish-ministri Lefter Koka, është shtuar 2 vite pas lidhjes së kontratës “BOT” për landfillin, me shkresë zyrtare “Miratim”, firmosur nga ish-ministri Gjiknuri, i cili patjetër ka zbatuar urdhërin e kryeministrit Rama.