Lajla Pernaska: Koncesionet e Beqaj, bien ndesh me kuadrin ligjor dhe standardet e organizimit te shërbimit shëndetësor publik

628
Sigal

Ministria e Shëndetësisë, dje reagoi ndaj skandalit që botoi gazeta “Telegraf” dje për koncesionin që përgatit të japë ministri Beqaj për sterilizimin e sallave të kirurgjive në spitalet publike, duke e cilësuar të domosdoshme dhe dobiprurëse për buxhetin. Lajla Pernaska, specialist në fushën e Shëndetësisë, në intervistën për “Telegraf” argumenton se koncesioni i ministrit Beqaj, bie ndesh me kuadrin ligjor dhe standardet e organizimit te shërbimit shëndetësor publik dhe me menaxhimin dhe funksionalitetit të shërbimeve tona publike. Madje, edhe shuma e koncesionit, nuk justifikon kurrë realitetin, thotë zonja Pernaska, ngaqë shifra e Beqaj është tejet e fryrë.

– Zonja Pernaska, ju si e cilësoni dhënien me koncesion për 10 vjet shërbimin e sterilizimit të sallave kirurgjikale dhe furnizimin e tyre me instrumente njëpërdorimshme, në të gjitha spitalet publike?

– Së pari gjykoj se në lëmin e shëndetësisë, jemi në një situatë të paprecedent, në të cilën masat e shpallura nga Ministria e Shëndetësisë bien ndesh me kuadrin ligjor në fuqi dhe rregullat e standardet e organizimit te shërbimit shëndetësor publik. Duke filluar nga situata absurde e krijuar me çështjen “testimi” që ka shkaktuar si asnjëherë më parë reagimin e bluzave të bardha në mbrojtje të kuadrit ligjor dhe dinjitetit të tyre profesional e njerëzor. Duke vazhduar me problematikat e mprehta të mungesës së barnave dhe bazës materiale në shërbimin publik e deri tek i ashtuquajturi zhvillimi i partneritetit publik privat. Lidhur me rastin që ju parashtroni për “koncesion të shërbimit të sterilizimit të sallave kirurgjikale në të gjitha spitalet publike”, ky është një tjetër absurd, mbas atij të njohur si “check-up-i falas”. Që në koncept praktika është e gabuar, pasi me “koncesion” jepen prona publike, ndërsa spitali është shërbim dhe mund të bëhet fjalë për praktika “outsource”, që lidhen në marrëveshje me sektorin privat.

 Së dyti, përsëri që në koncept, përcaktohet se “Burim i financimit është  Sektori privat”, ndërkohë që Burimi i financimit është totalisht nga buxheti i MSH dhe aspak nga sektori privat!

Së treti, një kontratë e tillë 10 vjeçare, bie ndesh me vetë thelbin e procesit të reformës në shërbimin e përkujdesjes shëndetësore, që është dinamike, ka qëllim matjen e kostos së shërbimeve dhe riorganizmin e tyre në bazë të kosto-efikasitetit, dhe nuk mundet kurrsesi të jetë statike dhe e ngërthyer brenda një kontrate kaq afatgjatë, me një subjekt privat.

Së katërti, kjo “kontratë’ bie ndesh me atë që njihet si autonomia spitalore, për të cilën prej kohësh po investohet edhe në Shqipëri, duke bërë të kundërtën,  centralizimin e plotë të menaxhimit spitalor!

–  Po shpjegimin e Ministrisë së Shëndetësisë, se ky koncesion jepet “duke u nisur nga siguria e pacientit dhe e jetës së njeriut, kur ai hyn në sallën e operacionit, Ministria e Shëndetësisë, me shkallën më të lartë të përgjegjësisë, ka vendosur të përmirësojë rrënjësisht situatën problematike kronike të teknologjisë, instrumenteve dhe sterilizimit në sallat kirurgjikale dhe në kabinetet kirurgjikale”, ju si do ta vlerësonit?

Pikërisht për “sigurinë e pacientit dhe jetës së njeriut në sallat e operacionit, është bërë një investim shumë i madh që në 2012 në QSUT, me ndërtimin e një infrastrukture tejet moderne të sterilizimit, që ende edhe sot nuk është vënë në përdorim! Nëse MSH, synon rritjen e sigurisë së pacientit, me një investim shumë modest (që as mund të krahasohet me shifrat e deklaruara të këtij koncesioni) mund të vejë në përdorim pikërisht këtë shërbim, për të cilin është bërë një investim i konsiderueshëm tashmë!?

– Po shumën e dhënë, të 96 miliardë lekëve për 10 vjet, a mund të justifikohet?

Në të gjitha llojet e përllogaritjeve që mund të bëhen, edhe nga ekspertë të shifrave, shuma e deklaruara është mjaft më e fryrë nga kostot reale.

– Nëse buxheti i shtetit për shëndetësinë ka kaq shumë para, 9.6 miliardë lekë në vit për të dhënë privatit me koncesion vetëm për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, atëherë, cila është logjika që spitalet publike nuk kanë ilaçe për  të sëmurët?

– Pikërisht këtu qëndron paradoksi dhe absurdi bashkë. Buxheti i shtetit në shëndetësi mbetet modest me rrethe 3% të GDP-së dhe nuk mundet  të justifikojë shuma të tilla investimi, dhe të këtij niveli dhe kaq afatgjata ndaj një subjekti privat. Emergjencat në shërbimet publike sot janë të  shumta dhe në gjykimin tim është e papranueshme që ende të mbetet tek problematika “ka ilaçe, s’ka ilaçe”, problematike fatkeqësisht ende e pazgjidhur, ndërkohë që hidhen shuma marramendëse për këto lloj “koncesionesh”!?

 – Po arsyetimin e Ministrisë së Shëndetësisë për koston se “ lidhur me koston financiare të këtij programi, informojmë se, të dhënat e vitit 2013 për QSUT-në dëshmojnë se kostot operative të shpenzimeve mesatare për instrumente kirugjikale, sterilizimin e tyre, dezinfektimit të sallës, lëvrimit të veshjeve, si dhe kosto të tjera të lidhura me sallat operatore kirurgjikale për një operacion, me kushtet aktuale të, janë pothuaj të barabarta me atë çka ne synojmë të shpenzojmë me këtë projekt të ri”, ju mund të jeni dakord?

Nga të gjitha të dhënat e përllogaritjeve dhe informacioni i ekspertëve ekonomikë që njohin mirë sistemin e shërbimeve shëndetësore, kjo nuk qëndron.

– Dhe së fundi, të tilla koncesione a mund të rritin objektivat, siç thotë MSH : “i’u ofron kirurgëve shqiptarë mundësinë për të shprehur në maksimum aftësinë e tyre, e afron zbatimin e standardeve të BE-së për sterilizimin dhe materialet mjekësore njëpërdorimshe, rrit besimin e qytetarëve shqiptarë tek sistemi shëndetësor publik, përmirëson imazhin e shërbimit shëndetësor publik dhe të vendit tek vizitorët e huaj investitorë, apo turistët?

– Të gjithë ne që punojmë brenda këtij sektori, qoftë publik, apo privat, qoftë si specialistë shërbimesh apo politikë bërës, kemi një interes të përbashkët dhe shumë madhor : “Rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e jetës së pacientit” .Por këto objektiva, të cilat duhet patjetër më së pari të jenë “të matshme”, mund të arrihen me një menaxhim efikas të fondeve modeste të sektorit të shëndetësisë në vend. Dhe për këtë duhet minimalisht të shfrytëzohet me efikasitet çdo investim paraprak i bërë deri më sot, duhet një përllogaritje reale dhe e saktë se ku duhet të adresohen fondet në vazhdim dhe me një transparencë të plotë për çdo qindarkë të përdorimit të fondeve publike, të gjitha këto bazuar dhe  në respektim  të afateve kohore që të jep një mandat qeverisës (që në sistemin politik shqiptar është 4-vjeçar)!

Koncesioni i Beqaj bie ndesh me menaxhimin dhe funksionalitetin e shërbimeve tona publike

– Këto koncesione të Ministrisë së Shëndetësisë, mund të jenë në frymës, siç thotë MSH “Partneritetin publik privat ne e konsiderojmë si një rrugë të shpejtë dhe efektive për të realizuar investime madhore dhe të domosdoshme në shëndetësi, menaxhim dhe administrim efikas të mjeteve dhe burimeve, duke mbetur garant të cilësisë dhe sigurisë së shërbimit shëndetësor që ofrohet në spitalet tona publike”?

Koncepti dhe modeli i “partneritetit publik-privat” është një praktikë e njohur në vendet e zhvilluara dhe nuk është “shpikje” e sotme e MSH. Por dhe ky partneritet ka rregullat dhe standardet e veta të qarta. Në kuadrin e këtij partneriteti, është dhe një koncesion për check-up falas, i kontestuar jo vetëm nga ne si opozitë, por nga specialistë dhe ekspertë nga më të mirët në vend për politikat shëndetësore. Po në këtë kuadër, është përgatitur paketa publik-privat për trajtimin e disa diagnozave, por që është e mangët në disa aspekte të saj dhe më së fundi ky koncesion që po flasim, që përsëri bie ndesh me parimet dhe menaxhimin e funksionalitetit dhe performancës së shërbimeve tona publike!

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA