Kuvendi si bunker, 44% e ligjeve miratohen në “ilegalitet” të plot

440
Sigal

Parlamenti nuk bën transparente procesverbalet e seancave plenare për procesin e llogaridhënies. Hartohen e miratohen projektligje në fshehtësi, për të privilegjuar një kastë afër pushtetarëve ku shumica kanë lidhje me koncensionet. Komisionet e Ekonomisë, Financave, Ligjeve, ato Hetimor dhe Bisneseve nuk publikojnë 67 -84 % të procesverbaleve. Ja investigimi

Kuvendi nuk bën transparente procesverbalet e seancave plenare për procesin e llogaridhënies

Parlamenti nuk publikon, 44 % e ligjeve miratohen në “ilegalitet”

Jakup B. GJOÇA

Parlamenti po u fsheh shqiptarëve procesverbalet e mbledhjeve të komisioneve parlamentare, duke lënë në “errësirë” gjithçka që diskutohet, debatohet, miratohet për projektligjet. Qëllimi, duke mos bërë transparencën, është që shqiptarët të mos kenë asnjë mundësi të mësojnë se çfarë ligjesh harton, debaton dhe miraton parlamenti. E të tilla, ligje, që hartohen dhe miratohen në “ilegalitet” politik, nuk u shërbejnë shqiptarëve, por janë ligje që miratohen në parlament, për t’u shërbyer një kaste të caktuar, të privilegjuar, një grup njerëzish që janë të lidhur ngushtë me qeveritarët dhe ligj-hartuesit. Shembuj mund të përmendim shumë ligje që kanë të bëjnë me koncesionet, etj. Kësisoj, parlamenti shmang edhe detyrimin kushtetues që ka për procesin e llogaridhënies para votuesve.

Detyrimi kushtetues për transparencë

Rregullorja e Kuvendit detyron institucionin të bëjë publike periodikisht të gjitha procesverbalet e seancave plenare, të mbledhjeve të Komisioneve të Përhershme, të Posaçme, Komisioneve Hetimore, nën komisioneve si dhe të strukturave drejtuese të Kuvendit (Konferenca e Kryetarëve dhe strukturat e tjera). Me përjashtim të dy seancave në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, të cilat janë konsideruar zyrtarisht të mbyllura për publikun, për shkak të përmbajtjes së tyre me të dhëna sekrete, 98% e mbledhjeve do të duhej të ishin publike. Nga të dhënat e verifikuara në javën e parë të muajit janar 2020, rezulton se Kuvendi nuk ka publikuar 44% të të gjitha mbledhjeve të komisioneve, një shifër shumë e lartë dhe po ashtu, e dhënë e dukshme kritike për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies. Publikimi i dokumenteve të mbledhjeve dhe procesverbaleve të tyre do të ishin bazë referimi në media dhe bazë informimi për çdo individ apo institucion të interesuar, sidomos kur lidhen me mbledhje në të cilat janë marrë vendime të rëndësishme politike apo ekonomike. Mospublikimi i tyre në vazhdimësi krijon deficit demokratik. Argumenti i Kuvendit, se volumi i madh i punës nuk përballohet me ngarkesën e stafit aktual, është relative dhe nuk përbën justifikim, për sa kohë shifra 44% tregon për një gjendje jo normale dhe se vetë Kuvendi ka mekanizma të shumtë në dispozicion për të angazhuar individë e mjete për respektimin e detyrimit ligjor dhe standardeve të transparencës.

Ja komisionet parlamentare që fshehin procesverbalet

Referuar të dhënave konkrete, siç rezulton edhe nga tabela bashkëngjitur, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka përqindjen më të lartë të procesverbaleve të papublikuara (82%), ndjekur nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave (68%) dhe Komisioni Hetimor ndaj Presidentit (67%), por me dallim nga numrat e mbledhjeve, i pari 17 dhe i dyti 4 procesverbale. Vetëm Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka përqindje mospublikimi më të ulët sesa 20%, ndërkohë që të gjitha komisionet e tjera, përfshirë Komisionin e Ligjeve, janë mbi 25% deri në 50% mospublikime.