Kuvendi i Sh(qep)ërisë

745
Vangjush SARO

Po përcjell për publikun e gjerë mendimet e mia në lidhje me një pragzgjedhje dhe një diskutim, që ndoshta mund të mos ishte hapur fare. (Krahas një sërë temave të nxehta.) Por ja, kështu çelen në Shqipëri, kohë pas kohe, debate dhe polemika që vështirë të të lënë indiferent. Është fjala për polemikën në lidhje me një dilemë të rëndësishme: Gramoz Ruçi në krye të Kuvendit të Shqipërisë (!) Kam përdorur në titull një lojë gjuhësore, njëlloj kalamburi, gjë që s’është në natyrën time. (Por me disa veprime autoritariste dhe një këmbëngulje gjer në tepri, të vetë kreut të PS-së e Kryeministrit të vendit, z. Rama, duket se po shqepet ajo çfarë është ndërtuar deri tani.) Le të na gjykojë lexuesi i gjerë. Asgjë personale me z. Ruçi, madje kam respekt për të dhe për familjen e tij. Por kjo nuk shkon; vendi është mjaftueshëm i ngarkuar me konflikte e probleme, nuk ka pse t’i shtohen edhe të tjera. Nuk mund të them se formalisht socialistët nuk kanë të drejtë. Nuk mund t’iu diktojmë atyre çfarë të zgjedhin e çfarë të mos e zgjedhin, në organet qendrore të shtetit e në qeveri; (ku, gjithashtu, disa emra të habisin, për shkak se kanë qenë mjaft të diskutuar në mënyrën se si janë qasur në temat përkatëse, të ministrive që mbulojnë, bie fjala arsimi e kultura). Por le të kthehemi te Kuvendi i Sh(qep)ërisë dhe te z. Ruçi. Kam parë që ai është një njeri me qëndrime të forta, në disa raste. Bie fjala, kur dëshmoi në Shkodër për ngjarjet e 2 prillit, duke u mbajtur mirë përballë një urrejtjeje që ishte mjaft e sforcuar dhe e dirigjuar. Po ashtu, për disa vite, kur jetoi në një apartament të katit të parë në rrugën “Ali Visha”, te Përroi i Pal Poçes (poshtë Qytetit të Studentëve) dhe ku ishim fqinj. Njerëz të SHIK-ut bënin pareshtur provokime në dritaret e shtëpisë së tij, duke u sjellë në mënyrë të pahijshme. (Për hir të së vërtetës, banorët e tjerë i shikonin me inat “xhupzinjtë” dhe shumë prej tyre edhe iu thoshin të këpusnin qafën.) Në të gjitha tallazet që kaloi PPSH dhe më pas PS, Gramozi tregoi se nuk ishte rastësisht atje. Mund të thuhet, pra, se ai është një socialist i spikatur dhe që i ka dhënë shumë Partisë Socialiste, për një kohë të gjatë. Sigurisht, sot Gramozi nuk është ai i shtëpisë me qira te Përroi i Pal Poçes. Si të gjithë politikanët shqiptarë, edhe ai, thonë, është rregulluar mirë. (Nga kampi kundërshtar, vijnë akuza edhe për përfshirje në veprimtari të paligjshme.) Sidoqoftë, po shfaq mendimin tim në lidhje me atë që po ndodh aktualisht, në lidhje me detyrën që bëhet gati të marrë z. Ruçi. Në këtë rol, ka qenë më parë Pjetër Arbnori, një emër që të kujton persekutimin, por edhe dhimbje të mëdha e zhgënjime gjithaq. Servet Pëllumbi. Skënder Gjinushi. Kastriot Islami. Jozefina Topalli. Ilir Meta. Gjërat shkojnë në mënyrë të tillë, që mund të flitet për këta individë për gjatë një nate dimri. Përse jo Gramoz Ruçi? Në vështrimin tim, ka disa arsye dhe shfaqen një sërë kundërshtish në këtë përzgjedhje. Ka qenë Sekretar i Parë i PPSH në një rreth dhe, për më tepër, Ministër i Brendshëm i diktaturës, i dikasterit famëkeq, që ka shkruar një nga faqet më të hidhura për shqiptarët, në rendin që shkaktoi jo pak vuajtje e dhimbje në të katër anët e vendit dhe në të katër dekadat e veta. Ndoshta ka ardhur koha që këto dekada e këto dhimbje (pasi që të hapen siç duhet dosjet dhe të shkoqiten punët një e nga një) të arshivohen… Po ashtu, edhe vetë ky gjysmëshekulli tranzicion, me shumë prapësi të shkaktuara ndërkaq. Por gjithsesi, është ende herët për të harruar çdo gjë dhe për t’ia nisur e rinisur punëve të shtetit e të kombit, duke pasur në krye të organit ligjvënës një emër që nuk iu shkon shumicës së shqiptarëve. Nuk është e drejtë. Partia Socialiste, brenda radhëve e pasioneve të veta, mund të ngrejë gjithfarë bustesh e piedestalesh, mund të luajë me karta të vjetra e të reja. Por në përfaqësime të tilla, mendoj, duhej të ishte dhe duhet të jetë më e kujdesshme, më pak ngacmuese, irrituese. Evropa, ku duket se po jetojmë dhe brenda së cilës na duhet të jemi me doemos, sapo ka bërë deklarata e prononcime zyrtare kundër diktaturave, të majta e të djathta; (komunizmit dhe nazizmit). Kurse ne, gjithnjë ndryshe nga Bota, gjithnjë me një mendjelehtësi të pakuptueshme, tregojmë se nuk mund të shkëputemi dot nga termat e fortë të së shkuarës, nga emrat e “fortë” të së shkuarës, nga kokëfortësia dhe fodullëku i trashëguar prej baballarëve të Bllokut; ani pse në shumë vite – krahas disa ndryshimeve të realizuara me punën e madhe ndërtimtare të rinisë dhe prindërve tanë e të dënuarve politikë gjithaq – pamë edhe vuajtje dhe provuam dhimbje të rënda. Në këtë rast, më duket se kemi të bëjmë edhe me njëlloj karshillëku, ndaj qytetarëve shqiptarë në tërësi dhe ndaj Evropës jokomuniste. Gramozi në krye të Kuvendit, do të thotë kthim prapa. Dhe këtu, në mënyrë simbolike apo në mënyrë të drejtpërdrejtë, kemi sajuar sërish një konflikt dhe një diskutim, nga ata që tashmë i kanë lodhur shqiptarët dhe aleatët e tyre. Më në fund, shoku Ruçi apo z. Ruçi, sikundër disa figura të tjera të politikës e të Kuvendit, janë tejet të lodhur, të plakur gjithaq, të konsumuar po se po, duke jetuar në kushte të tjera nga kolegët e tyre në politikën evropiane apo edhe atë të Evropës Lindore. Roli i drejtuesit të Kuvendit, mendoj, nuk është njëlloj shpërblimi, por detyrë e rëndë në kushte kur shumë gjëra kanë ndryshuar e ndryshojnë dita-ditës në politikën rajonale dhe më gjerë. Po i përmbyll këto radhë duke sjellë një fjali, vetëm një, nga shkrimtari i madh francez Honore De Balzak: “Ata talleshin me shekullin dhe kjo gjë i shkarkonte nga barra për ta njohur atë më thellë.” Ky citim, është përdorur për kundërshtarët e socialistëve, në atë që shumë prej tyre nuk njohin (së paku disa nga) arritjet e dekadave të Socializmit. Por thënia iu shkon sot edhe socialistëve, për të treguar se edhe ata (madje ata ndoshta më pak) nuk e njohin shekullin, kohën, që gjithsesi iu mbeti shqiptarëve si një kockë në fyt, kohën dhe shekullin prej nga vijnë e mbeten hapur shumë prej konflikteve e brengave që përjeton ai vend. PS mund të vendosë si t’i vijë për mbarë, por e mira është të shohë përtej figurave që e kanë mbaruar tashmë misionin e tyre. Edhe vetë Gramoz Ruçi nuk duhet ta pranojë këtë detyrë, (që rikthen debate të panevojshme dhe simbolikisht përbën kthim prapa). Kështu, ai mund t’i ofrojë vendit dhe PS-së shërbimet e fundit të dobishme.
Sigal