Kuvendi, 15 rekomandime për AMF-në: Stabilizoni tregun e sigurimeve

410
Sigal

Rezoluta: AMF-ja të mbrojë konsumatorin dhe të respektojë ligjin

Stabilizimi i tregjeve të financave, si dhe pagesat e prapambetura të dëmeve janë detyrat e reja që Kuvendi i ka lënë AMF-së. Kuvendi publikoi një rezolutë për punën e realizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare gjatë vitit 2013, duke lënë detyra specifike që duhet të përmbushen gjatë 2014-ës e që duhet të sjellin ndryshime të rëndësishme veçanërisht në tregun e sigurimeve. Në rezolutë, Kuvendi kërkon që të stabilizohen tregjet financiare, si dhe të zgjidhet përfundimisht çështja e pagesave të prapambetura të dëmeve, që nga viti 2002.

-Specifikisht, Kuvendi i kërkon AMF-së nxitje të qëndrueshmërisë financiare dhe zhvillim të sigurt të tregjeve financiare nën mbikëqyrje për të mbrojtur konsumatorët, për të nxitur transparencën dhe besueshmërinë dhe për të siguruar respektimin e ligjit.

– Po kështu, kërkohet stabilizimi i plotë i tregjeve financiare, që për vitin 2013 kanë pësuar tkurrje, si pasojë e liberalizimit të çmimeve të sigurimit të detyrueshëm matrik, pavarësisht se tregjet e fondeve të investimeve dhe të pensioneve private vullnetare kanë pasur përmirësime të ndjeshme.

-AMF-së i kërkohet gjetja e mekanizmave shtesë, krahas ndërgjegjësimit dhe rritjes së besimit të qytetareve, që ndikojnë në rritjen e vëllimit të sigurimeve në Produktin e Brendshëm Bruto dhe përmirësimin e raportit dëme/prime në këtë treg, i cili, mbështetur edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare, ngelet i pazhvilluar dhe prapa të gjitha vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore për nga konsumi i produkteve.

-Po ashtu, AMF duhet të marrë masa për rritjen e nivelit të mbrojtjes së konsumatorit, duke penguar kompanitë e sigurimeve në ofrimin e produkteve jocilësore, të konstatuara nga ulja e trendit të sigurimeve të detyrueshme për vitin 2013, si dhe për rritjen e konsumit të shërbimeve të sigurimit të jetës.

-Autoritetit i kërkohet të përcaktojë qartë procedurat dhe kriteret të detajuara, për të parandaluar riskun që mund të vijë nga kërkesat e shumta për kapital në rastet e katastrofave natyrore, si mund të jetë programi i sigurimit në shkalle vendi për pronarët e shtëpive në përputhje me rekomandimet e lëna nga FMN-ja, si dhe marrjen e masave për zgjidhjen e problematikave të shfaqura në tregun e investimeve, të konstatuara edhe në raportin e Paktit të Stabilitetit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat kanë ndikuar në rritjen e riskut sistemik për fondet e investimeve, si pasojë e mbikëqyrjes dhe rregullimit jo të mire, investimit kryesisht në obligacione afatgjata, riskut të lartë të likuiditetit, lidhjes së afërt me bankat, duke pasur parasysh edhe mungesën e qartësisë së politikave të likuiditetit dhe metodologjisë për vendosjen e vlerës nominale në këto fonde.

 -Ndër të tjera, kërkohet hartimi dhe implementimi i rregulloreve specifike, dispozitave të veçanta në ligje dhe manuale të inspektimit, së bashku me Drejtorinë e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, për shmangien e praktikave abuzive të mashtrimit dhe pastrimit të parave.

-Kërkohet gjithashtu hartimi i një strategjie për zhvillimin e tregut të letrave me vlerë, dhe në veçanti tregut të aksioneve, zbatimi i së cilës kërkon angazhimin dhe mbështetjen edhe të aktorëve të tjerë.