Kuvend, Halimi: Votimi elektronik shpëton zgjedhjet nga krimi

258
Në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, deputeti demokrat Eduard Halimi e ka vënë theksin tek rezoluta e miratuar nga PPE për Shqipërinë, përmes të cilës kërkohet zbatimi i ligjeve dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Sipas Halimit, votimi elektronik është i domosdoshëm në kushtet kur kryeministri ka bërë një pakt me krimin, për përdorimin e parave të drogës për të blerë vota. 
Halimi ka sqaruar gjithashtu se, kërkesa e opozitës është bërë vetëm së fundmi pasi një ndikim i tillë i narkotikëve tek procesi elektoral kishte qenë i pamendueshëm më parë. 
“Deri një vit më parë pakkush e mendonte se droga do të merrte këtë pushtet, duke e kthyer Shqipërinë në Kolumbinë e Europës. Prapa gjithë këtij skenari është kryeministri, i cili bëri pakt me krimin që para zgjedhjeve të 2013-s. Persona me rekorde të tmerrshme kriminale i solli këtu për t’i përdorur sa kundër opozitës, ashtu dhe deputetëve të tjerë brenda partisë së tij. Ky është pakti i kryeministrit me krimin dhe prandaj në gjithë administratën shtetërore gjen persona me rekorde të tmerrshme kriminale. Rama u shkel syrin kriminelëve. Banditët janë të fortët për shkak të lidhjeve me politikën, se ndryshe do të ishin prapa hekurave. Ndaj historia e kohës së pamjaftueshme është vetëm një alibi për të manipuluar votën e 16 qershorit”, ka thënë Halimi.