Kuvend, Berisha: Turizmi pasuria më e madhe që ka Shqipëria, këtë ligj s’mund ta votoj

415
Në seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, projektligji për turizmin pritet të përplasë sot ashpër në Kuvend mazhorancën dhe opozitën. Partia Demokratike ka paralajmëruar votën e saj kundër nismës së qeverisë, me argumentin se vjen në shkelje të procedurës parlamentare dhe duhet të reflektojë vërejtjet e mbërritura për draftin. Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar votën e tij kundër projektligjit të maxhorancës për turizmin. Berisha e ka quajtur një ligj burracakësh, duke arsyetuar edhe votën e tij kundër. Ai tha se ky ligj si në asnjë vend të botës, përveç Koresë së Veriut “u merr kompetencat vendorëve për t’ja dhënë sivllaut të kryeministrit, Kokëdhimës”.
“Kjo seancë e thirrur sipas ligjit të Edi Ramës që e ka shndërruar këtë parlament në një seksion të PS-së. Turizmi pasuria më e madhe pas asaj njerëzore që ka ky komb që ka ky popull, që ka Shqipëria. Është një potencial i jashtëzakonshëm. Ribërja e një ligji të ri për turizmin është plotësisht i justifikuar dhe i mirëpritur, por për fat të keq, këtë ligj nuk mund ta votoj sepse si në asnjë vend tjetër të planetit përveç Koresë së Veriut, as në Shqipërinë e E. Hoxhës u merr çdo kompetencë e autoriteteve lokale për tu dhënë sivllaut të tij Kokëdhimës. Nuk mundet kurrë që të dhunohet praktika botërore dhe konventat ndërkombëtare. Ky ligj sikur po ecim drejt Koresë së Veriut dhe jo drejt BE-së”, theksoi Berisha.
Mediu: Nuk është bërë asnjë investim serioz për turizmin
Deputeti Fatmir Mediu në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit tha se nuk është bërë asnjë investim serioz në vendin tonë, edhe pse Shqipëria ka potenciale të mëdha turistike. Mediu i bëri thirrje mazhorancës që të ndryshojë politikat ndaj sipërmarrjes.
“Nuk është bërë asnjë investim serioz për turizmin. Ne duhet të bëjmë ligje që rritin investimet, pasi kemi potencial të jashtëzakonshëm në turizëm. Garancia juridike pengon investitorët. Mazhoranca duhet të reflektojë qëndrimet e saj për të mos sulmuar sipërmarrësit që po largohen çdo ditë, duke rritur numrin e të papunëve. Ata pak investitorë që kanë filluar investimet sot kanë dyfishin e taksave, dhe nuk parashikojnë dot shlyerjen e kredive”, tha Mediu.
Sigal