Kuvend, Agron Duka do të padisë OSBE: S’mund të kapërdij fyerjen që mu bë

429
Deputeti i partisë Republikane Agron Duka deklaron se do të ngrejë padi ndaj OSBE-së në lidhje me raportin konfidencial të kësaj organizate.
“Të krijosh aludime për prishjen e imazhit të një politikani, apo të shkatërrosh nëpërmjet shpifjeve dhe thashethemeve biznesin familjar të ngritur me shumë mund, nuk është një “gabim” që rrodhi padashje nga zyrat e shtypit të OSBE, por kam përshtypjen se është dashakeqe” tha Agron Duka nga foltorja e Kuvendit.
”Nuk mund t’ia lë ndërgjegjes time të kapardijë tre fjali të dalë nga zyra e OSBE-së. Dhe nuk do të jem nga ata deputetë që në këtë rast të përdor shprehjen “çudia më e madhe tre ditë zgjat”. Për këtë fyerje të bërë ndaj meje do i drejtohem vetëm institucionit të drejtësisë”
Fjala e plote
I nderuar zoti kryetar!
Të nderuar kolege deputetë!
Nuk besoj se dal jashtë teme nëse diskutoj një çështje për të cilën këto ditë kam menduar gjatë dhe kam qenë i dyjëzuar nëse do të duhej të flisnim në këtë parlament. Bëhet fjalë për një “raport konfidencial” që OSBE-së i shkau nga zyrat dhe u botua në media, raport i cili është ngritur në bazë thashethemesh, padyshim fuste në një kazan llumi gjithë klasën politike shqiptare, majtas e djathtas.
Nuk janë informacione zyrtare thotë OSBE, por është një përceptim. Këtë përceptim, e kultivon thellë tek njerëzit, duke e ditur se raporti do të dalë, ose e kanë nxjerrë qëllimisht. Por nuk mund ta mendoj dot që një “institucion” kaq i rëndësishëm siç është OSBE në Shqipëri, të bjerë në nivelin e thashethemeve dhe të publikojë një raport që cënon rëndë personalitetin, familjen, biznesin e t’u fyej inteligjencën atyre që sot mua më kanë votuar për të qenë në Parlamentin e Shqipërisë. Unë Agron Duka, jam përmendur në raport me shumë kolegë të tjerë si një njeri i lidhur me krimin dhe bandat kriminale.
Kur e pashë për herë të parë, m’u duk vetja sikur ecja me kobure në brez. Duka i krimit, siç thoshte Berisha dikur, duhet të lërë parlamentin.
Vetë doktori këtu, e ka përgënjeshtruar këtë deklaratë të tijën të dikurshme, duke e justifikuar me thënie fushatash. Por OSBE-së mesa duket i ka ngel ora, dhe shënimet që mbajti nuk i fshihu edhe kur vetë autori i mohoi.
Por dy gjëra dua t’i them për kolegët deputetë, ministrat, opinionin publik, elektoratin dhe zyrtarët e OSBE-së që kanë hartuar këtë raport konfidencial e që mandej gjoja gabimisht ka rrjedhur në media:
E para, E konsideroj totalisht të papranueshme që një organizatë siç është OSBE, për sigurinë në Evropë të përhapë ide dhe thashetheme mbledhur kuturu, sa nga përceptimi publik a politik aq edhe nga artikuj gazetash. OSBE e di shumë mirë se në Shqipëri rrallë se përgënjeshtrohen, dhe se askush nuk shkon në gjykatë që të merret me gazetarët apo autorët e shifjeve.
Zyrtarët e OSBE-së që kanë marrë përsipër një detyrë kaq të rëndë sa të bien në nivelin e shpifjeve, duhet të kenë të qartë se pas çdo njeriu të përmendur në raport, ekziston një familje; pas çdo familjeje, ekziston një jetë e ndërtuar me mund dhe sakrifica.
Cdo zyrtar i OSBE-së duhet të dijë dhe të ketë të qartë se arsyeja që po dal përpara jush sot nuk është që të mbroj veten si individ, por është mbrojtja e çdo pjestari të shoqërisë sonë.
Të krijosh aludime për prishjen e imazhit të një politikani, apo të shkatërrosh nëpërmjet shpifjeve dhe thashethemeve biznesin familjar të ngritur me shumë mund, nuk është një “gabim” që rrodhi padashje nga zyrat e shtypit të OSBE, por kam përshtypjen se është dashakeqe. Me gjithë këto që i kanë ndodhur Kuvendit të Shqipërisë nuk kishte pse t’i shtohej padashje edhe një listë që e polli OSBE nga zyrat e saj. Politika shqiptare nuk ka nevojë për amplifikator të shpifjeve që ajo bën ndaj njëri tjetrit pa kursim, por përkundrazi ajo ka nevojë ti tërhiqet veshi që të jetë më e matur dhe të dënojë të paktën moralisht njerëzit që me koshiencë në momente të caktuara nuk lënë gjë pa sajuar për kundërshtarët e tyre dhe kur qëllon që kundërshtari bëhet aleat i duket sikur gjejnë shpirtin binjak e harrojnë ç’kanë thënë por kalojnë në inflacion lëvdatash. Problemi më shqetësues është se si sillet politika kur gabon, përse ajo nuk kërkon kurrë falje, për më tepër kur ky gabim është i qëllimshëm…
Si mund të asimilohen e të kalojnë në heshtje fyerjet, sharjet madje edhe shpifjet që kanë bërë për njëri tjetrin kundërshtarë politik të pak kohëve më parë e aleatë të sotëm.
Ky fenomen shtrihet në të dy krahët e politikës. Është e vështirë të dallosh cili është më i avancuari. Në momente të veçanta, kur i cënohet pushteti shfaqen të egër e agresiv, por pika më kulmore e amoralitetit është kur thonë “kjo ishte loja”. E në vend që të merret me këtë fenomen që ka zënë vend në politikën shqiptare,nëse dëshiron të merret përveç detyrave të tjera që ka OSBE me këtë që ndodhi po bën të kundërtën, favorizon shpifësit dhe viktimizon të dëmtuarit. I thotë atyre që fyejnë e shajnë pa argumenta që shpifni sa të mundeni se edhe nëse nuk ngelet gjë e evidentojmë ne. Unë po ju them me plot gojën që ky është një turp!
Familja Duka, e cila përmendet në këtë raport, ka një jetë që merret dhe përkujdeset jo vetëm për veten, por për qindra e qindra punëtorë që punojnë në një biznes të ndershëm dhe të rregullt. Nëse OSBE do t’i bëjë një verifikim, do të shohë se aty nuk ka as informalitet në burime njerëzore jo me evazion fiskal siç mundohet të thotë ajo, sa për dijeni të saj bizneset e familjes sime nuk kanë qenë të përkëdhelura as nga qeveria Berisha e as nga Rama kështu që këto verifikime nuk kanë munguar të bëhen në mënyrë të vazhdueshme nga organet përkatëse.
E dyta, OSBE-në, e kemi respektuar dhe dëgjuar shpeshherë në Parlament për sugjerime dhe vërejtje që ka sjellë e dhënë nëpër komisione parlamentare, apo në çështje të ndryshme të demokratizimit të jetës së vendit.
Nëse pas kaq vitesh, zyrtarët e këtij institucioni vërejnë se kanë përfunduar misionin e tyre, dhe kanë filluar që të mbledhin thashetheme poshtë e përpjetë në Shqipëri, atëherë edhe shteti shqiptar, duhet të mendohet të shohë qëndrimin e të mos lejojë që taksapaguesit europianë të shpenzojnë paratë e tyre në misione thashethemesh.
Nëse puna e tyre është orientuar në këtë drejtim, mund të themi, se nuk kemi nevojë për asistencën e tyre .
Nuk e di se cili ka qenë qëllimi i ministrit të jashtëm dhe qeverisë shqiptare që nuk e ka thirrur ambasadorin për të dhënë sqarime dhe për të protestuar për një raport të tillë, qoftë ky edhe siç përmendet, konfidencial, por që rastësisht penetroi në median e shkruar e më pas në të gjithë median. Situata është e papranueshme, dhe njëzëri, kërkon një reagim proteste nga ana jonë. Shumëkush nga qytetarët sot thonë se ata duan të mbrojnë karriget e tyre, por nuk është kështu.
Nuk marr përsipër të flas në emër të të gjithë të përmendurve në atë raport. Marr përsipër të flas për emrin tim .
Nëse zyrtarët e OSBE-së nuk e kanë informacionin, atëherë më duhet të them se familja ime ka punuar shumë për të arritur këtu ku është sot. Dhe nëse nuk e dinë, unë kam qenë deputet dhe kam shërbyer edhe si ministër në qeverinë shqiptare, sot jam deputet i opozitës dhe mbroj me dinjitet e jo me shpifje vendimet e opozitës. Gjatë gjithë jetës sime, jo vetëm politike, nuk kam shpifur kurrë për njeri prandaj do të doja që edhe të tjerët të bënin të njëjtën gjë për mua, të më thonë të vërtetën pa u tutur por jo të shpifin.
Padyshim, për çdo shkrues raporti që rri pas tavolinës së zyrës këto mund të jenë thjesht orë pune, por për ne janë orë të tëra takimesh me qytetarët, bazën, elektoratin, kontaktet me njerëzit ,në fund të fundit janë jeta jonë dhe e familjeve tona. Ne jetojmë në Shqipëri e nuk kemi ndërmend të ikim nga këtu .
Nëse keni ardhur këtu të na ndihmoni për të forcuar demokracinë e vendit tonë do të jeni të mirëserardhur, por nëse keni ardhur në Shqipëri per mision thashethemesh dhe amplifikator shpifjesh , me duhet ta përsëris se të tilla kemi boll brenda vendit. Nuk na duhen edhe ato të ndërkombëtarëve.
Së treti, Zakonisht njerëzit janë të prirur të besojnë në atë që dëshirojnë. Një miku im më tha: Nuk ke pse shqetësohesh sepse marrja pothuaj dyfishin e votave të nevojshme në 2013-tën janë argumenti më i mirë që ato janë shpifje, por unë nuk mendoj kështu. Mua më intereson ,shumë madje, edhe mendimi juaj prandaj ju bëj thirrje si maxhorancës dhe opozitës ku unë bëj pjesë, të mos ngurrojnë por të më thonë nëse kanë argument, qoftë edhe bindje të tyre ,se ato që thuhen në këtë raport janë të vërteta. Çdo mendim i juaji do të jetë i vyer dhe i mirëpritur për mua .
Së fundmi, Megjithëse autorësia e këtyre shpifjeve është munduar të justifikohet duke thënë se nuk janë informacione zyrtare por është një përceptim, artikuj gazetash..etj. Unë do të bëj një përpjekje me avokatin tim dhe për cënim të personalitetit, cënim të familjes dhe të biznesit tim familjar, për këtë thashethem të pranuar edhe nga OSBE do i drejtohem organeve të drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë mund t’ju jepet mesazhi atyre që guxojnë që në emër të një institucioni, i cili deri dje ka siguruar reputacion në sytë të politikës dhe shqiptarëve, sot përdor fondet për të përbaltur pa asnjë bazë politikanë majtas dhe djathtas. Nuk mund t’ia lë ndërgjegjes time të kapardijë tre fjali të dalë nga zyra e OSBE-së. Dhe nuk do të jem nga ata deputetë që në këtë rast të përdor shprehjen “çudia më e madhe tre ditë zgjat”. Për këtë fyerje të bërë ndaj meje do i drejtohem vetëm institucionit të drejtësisë.
Sigal