Kushtoi 55 mln euro, gati Baza Ajrore t e NATO-s në Kuçovë

22
Sigal

Baza Ajrore e Kuçovës në 4 mars do të jetë vend ndodhja e një ceremonie ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Punimet në bazën ajrore të Kuçovës janë drejt përfundimit, dhe shpejt ajo do të kthehet në një bazë taktike të NATO-s. Nga kjo bazë, ku për herë të parë publikohen pamje të përgatitjeve dhe punimeve, Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral brigade Ferdinand Dimo shpjegon hapat që u ndoqën deri më tani. Sipas Gjeneral brigade Ferdinand Dimo, ka qenë vendimmarrja e shtetit shqiptar dhe e NATO-s në vitin 2018 për ta kthyer këtë bazë në një bazë taktike të Aleancës, ndërsa më 4 mars të këtij viti ajo është plotësisht efektive. “Ndërtimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka një impakt të jashtëzakonshëm zhvillimor në komunitet dhe në të gjithë hapësirën e qarkut të Beratit”, shprehet Gjeneral brigade Ferdinand Dimo. “Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, sqaron Komandanti i Forcës Ajrore. Gjeneral brigade Ferdinand Dimo sqaron funksionet që do të kryhen nga kjo bazë. “Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”, -tha Gjenerali i brigadës Dimo. Baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të shërbejë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë qarkut të Beratit.