Kushtetuesja i drejtohet Venecias, gazetari: Për këtë u bë reforma?!

159
Sigal

Gjykata Kushtetuese vendosi të mërkurën në mbrëmje që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion mbi vlefshmërinë ose jo të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit të vitit 2019. Vendimi erdhi pas një seance që zgjati mbi 9 orë.

Vendimi ka shkaktuar jo pak reagime në opinionin publik. E para, për shkak se bëhet fjalë për organet e reja të drejtësisë, të cilat mendohet se nuk do shkojnë sipas avazit të vjetër të ‘përmbytjes së Venecias’ me kërkesa.

E dyta, për shkak se siç shkruan Zëri i Amerikës, Komisioni i Venecias e ka më parë këtë dhe me shumë gjasë mund të japë një opinion të ngjashèm.

 

Gazetari Flamur Vezaj, në një postim, shkruan se këta gjyqtarë ose janë të frikësuar, ose janë të paaftë. “Gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese paskan vendosë me i kërku mendim Komisionit të Venecias për dekretin e zgjedhjeve lokale të 2019!!! Që të kuptohemi, këtë vendim e morën gjyqtarët e reformës së re të drejtësisë!!

D.m.th gjyqtaret e kësaj reforme kanë frikë të vendosin vetë bazuar në Kushtetute, detyrë për të cilën janë aty dhe paguhen! Por kërkojnë mendim nga një Komision i huaj që t’i bëjë interpretimin e këtij ngërçi e pastaj këta të vendosin!

Këta siç duket ose kanë frikë t’i prishin qejfin KM, ose nga ana tjetër opozitës bashkë me Presidentin, ose janë të paaftë për të bërë interpretimin Kushtetues e rregullimin e kësaj praktike!

Pra, këta që janë aty për të zbatuar Kushtetutën dhe me marrë përgjegjësi në kurriz bazuar në atë, duan mendje nga të huajt! Po pse, kaq e vështirë është të bëni vetë interpretimin!? Po nëse ju e bëni praktikë këtë, që për çdo gjë ku është politika e përfshirë, t’i drejtoheni Komisioneve të huaja, pse jeni aty!???

Unë e di që nuk ishit në një mendje të gjithë për këtë vendim, por ja që votat anuan nga pala e atyre që kërkojnë mendim nga të huajt!

Po pse, reforma në drejtësi u bë që për çdo vendim ku preken interesat politika duhet me i marrë mendim të huajve? Boll më e bëhuni të pavarur e vendosni vetë se nga 2018 kur doli jashtë funksionit kjo Gjykate, 6 herë ka dhënë opinion Venecia për përplasjet politike në vend! Kjo për faktin se ju gjyqtarët e Kushtetueses nuk ishit aty, po tani jeni dhe vendosni vetë e merrni përgjegjësinë që ju takon!,” shkruan ai.