Kurban Bajrami/Presidenti Meta uron me porosinë e Profetit: Kurrë mos shkelni të drejtën dhe nderin e dikujt

348
Sigal

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Përmes një postimi në facebook, në mesazhin e tij, kreu i shtetit përmend porosinë e Profetit Muhamed.

“Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit. Kurrë mos shkelni të drejtën dhe nderin e dikujt”.

Nga ana tjetër, Presidenti ka bërë thirrje edhe për kujdes, duke qenë se ende Shqipëria vijon të jetë e prekur nga pandemia e Covid-19.

”Është tepër e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm në festimet tona, duke respektuar dhe marrë të gjitha masat e duhura për të parandaluar përhapjen e mundshme të Covid19 tek të afërmit dhe njerëzit tanë të dashur”.

Mesazhi i plotë

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!

GËZUAR KURBAN BAJRAMIN!

Kurban Bajrami është përkujtimi i shëmbëlltyrës sublime të sakrificës për jetën dhe lirinë. Në këtë ditë feste, besimtarët myslimanë sjellin mesazhin e mirëkuptimit, solidaritetit dhe vëllazërisë. Peligrinazhi, udhëtimi i vetëpërtëritjes individuale, simbolizon mënyrën e të jetuarit në paqe me veten dhe të tjerët.

Një rit, një ndjenjë, një ideal, larg egoizmave, me qëllimin e përbashkët të respektit, tolerancës dhe dashurisë, rikthimin tek vlerat e shenjta të jetës, lirisë dhe drejtësisë. Është tepër e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm në festimet tona, duke respektuar dhe marrë të gjitha masat e duhura për të parandaluar përhapjen e mundshme të COVID-19 tek të afërmit dhe njerëzit tanë të dashur.

Në fenë islame shëndeti dhe jeta kanë një rëndësi të veçantë, ndaj të kujdesemi për veten, familjen, të dashurit dhe njerëzit që kanë më shumë nevojë. Në një ditë si kjo, në fjalimin e lamtumirës, Profeti Muhamed citoi porosinë e tij të fundit: “Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit. Kurrë mos shkelni të drejtën dhe nderin e dikujt”.

Me mesazhet e kësaj dite të shënuar ju uroj:

GËZUAR KURBAN BAJRAMIN!

ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT KUDO NDODHEN! 🇦🇱

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!GËZUAR KURBAN BAJRAMIN!Kurban Bajrami është përkujtimi i shëmbëlltyrës …

Gepostet von Ilir Meta am Donnerstag, 30. Juli 2020