“Kunata e Arben Keshit mbylli dosjen 184”- Ish-ministri: Ja si e shpërbleu Rama drejtuesen e Prokurorisë së Dibrës

544
Sigal

Flamur Noka, ish-ministri i Brendshëm i PD-së, akuzon kryeministrin Rama se shpërbleu për mbylljen e dosjes “184” drejtuesen e Prokurorisë së Dibrës, Esmeralda Cami Keshi me zgjedhjen si anëtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Noka thotë se emërimi i Keshit në KLP, kunatës së Arben Keshit, i akuzuari kryesor në dosjen “184” ishte vetëm paradhënia për të mos ndëshkuar sipas tij  kunatin bandit dhe trafikant dhe kryeministrin.

“Dosja “184” nuk ishte rastësi që shkoi në Dibër sepse kryeprokurorja e Dibrës ishte kunata e kryekriminelit dhe kryeharbutit që bleu votat dhe ndryshoi rezultatin e votimeve në Dibër, Arben Keshit. Nuk është aspak rastësi që sot kjo zonjë zgjidhet dhe në KLP. Sepse nuk ka dy javë që ka shkuar dosja.Krimet e Rënda të masakruara nga Prokurorja Politike e Partisë (Marku) dhe ajo zonja te Krimet e Rënda (Prela) shkatërruan institucionin  e Krimeve të Rënda. Siç shkatërruan dosjen e Saimir Tahirit, kështu bënë dhe me “339” dhe “184”. Dosja “184” kishte spec të djegës, ishte kryeministri. Dhe çfarë bënë?

E hoqën nga Krimet e Rënda dhe ja çuan në Prokurorisë së Dibrës ku ishte kjo zonjë që sot paradhënie ka emërimin në KLP për të mos ndëshkuar kunatin bandit dhe trafikant dhe kryeministrin.

Ky është shpërblimi paradhënie për mbylljen e dosjes “184”. A mund të më flasë sot kush për vetting në këtë vend? Partnerët tanë ndërkombëtarë e që kanë investuar kaq vite e  shohin këtë gjë? A e kuptojnë që drejtësinë e dosjes “184” do ta bëjë Arben Keshi i akuzuari kryesor për krim elektoral. Ai sot ka në dorë dosjen “184” dhe ai sot u shpërblye me një vend në KLP.  Reforma në drejtësi është kthyer në Ramaformë.”, tha Flamur Noka për OraNews.