Kultivimi i kanabisit, “Baldushku e Bërzhita më problematiket”

522
Sigal

TIRANË- Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi ka deklaruar se në Tiranë ka zona problematike të kultivimit të kanabisit, ku ai ka veçuar zonën e Baldushkut dhe të Bërzhitës. Këtë Vorpsi e ka bërë të ditur gjatë një takimi të organizuar në hotel “Mondial”, ku të pranishëm janë përfaqësues të policisë, drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa dhe kryetar kominash. Ndërkohë që kryetarët e Komunave të PD-së, nuk janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Prefektit të Tiranës. Ata nuk janë të pranishëm në takimin e organizuar mbi kultivimin e kanabisit në Tiranë.

Fjala e Prefektit z. Sadi Vorpsi

J”emi mbledhur sot pas një sërë takimesh të organizuara me të gjitha njësitë e qeverisjes vendore dhe drejtoritë rajonale të Qarkut të Tiranës për të shqyrtuar problematikat dhe për të nxjerrë detyrat me qëllim që të bashkërendojmë  përgjegjësitë që na takojnë gjithsecilit për rritjen e sensibilizimit ligjor e moral të parandalimit të kultivimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike.

Eliminimi i çdo kultivimi të lëndëve narkotike në territorin e Shqipërisë është një çështje me interes kombëtar e mjaft e ndjeshme në ditët e sotme, si dhe sfidë e Qeverisë së Shqipërisë, sepse prodhimi dhe kultivimi i tyre mohojnë shtetin e së drejtës, ekonominë dhe shëndetin publik. Mbështetja dhe bashkëpunimi i qeverisjes vendore është i domosdoshëm dhe vendimtar për të gjithë procesin.

Është e vërtetë se Qarku i Tiranës nuk është në hartën e nxehtë të qarqeve problematikë, por qoftë edhe sikur një rast i vetëm të jetë, na del si detyrë që të marrim të gjitha masat. Këto masa duhet dhe janë marrë në nivel të qeverisjes vendore, drejtuesish të policisë së Qarkut, administratës shtetërore, arsimit e shëndetësisë etj. Një rol të madh në sensibilizimin e komunitetit në luftën kundër kultivimit e përdorimit të lëndëve narkotike, kanë luajtur edhe mediat apo sektorë të tjerë privatë. E gjitha kjo, për të hequr përfundimisht nga harta e zezë territoret që përdoren nga kultivuesit e Cannabis Sativa.

Nga takimet e bëra kanë dalë një sërë problematikash. Vihet re se për kultivimin e Cannabis Sativa zonat më problematike në Qarkun e Tiranës janë komunat, ndër të cilat ka pasur raste të kapjes në flagrancë të kultivuesve si:

  1. Komuna Baldushk  ku në fshatin Vrap dhe Shpat, janë kapur mbi 100 rrënjë Cannabis e janë proceduar personat përgjegjës. Gjithashtu në Komunën e Bërzhitës, në fshatin Lug dhe Lug – Shalqizë janë kapur mbi 200 rrënjë dhe janë proceduar personat përgjegjës.
  2. Në fshatin Dritas Tapizë, të komunës  Zall – Herr, janë kapur në flagrancë 2 raste të kultivimit. Ka pasur një rast në komunën Vaqarr e një rast në komunën Ndroq. Me të njëjtën problematikë ballafaqohen edhe fshati Kuq dhe Palaq në Komunën Prezë.
  3. Nga problematikat që ka ngritur policia e Komisariatit 4, shohim se në Komunën Zall – Bastar dhe Komunës Shën Gjergj, kanë filluar hapat e parë të drejt mbjelljes në vazo për ta kultivuar atë më pas në masë më të gjerë.
  4. Në bashkinë e Vorës është ngritur problematika  se kjo zonë më shumë , për transportin e lëndëve narkotike, si pasojë e pozicionit strategjik nga dalja e kryeqytetit për në Portin e Durrësit.
  5. Një nga problematikat e ngritura nga Kryetari I Komunës Zall –Bastar ka qenë se vetëm 30% e pyjeve është në pronësi të Komunës dhe pjesa tjetër është në pronësi të Ministrisë së Mjedisit.

Ndërkohë që në zonat urbane, por edhe në ato rurale të Qarkut të Tiranës vihet re problematika e përdorimit të lëndëve narkotike kryesisht në shkolla. Shpesh këtë problem e krijojnë edhe shitësit ambulantë që tregtojnë rreth oborreve të këtyre institucioneve, që edhe pse pas kërkesave e ankesave të vazhdueshme të drejtorive të shkollave përkatëse pranë policisë Bashkiake të Tiranës, kjo e fundit duket se nuk është përgjigjur në mënyrë efiçente dhe koherente për këtë problem. Bashkëpunimi i policisë me kryepleqtë, drejtorinë arsimore, stafin pedagogjik, komunitetin e prindërve dhe senatin e nxënësve do të sillte një minimizim të madh të këtij problemi.

Shpesh mendojmë se lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike, por edhe e krimit në përgjithësi është kompetencë e policisë. Ndërkohë që nga vendet e zhvilluara e demokratike, pranë së cilave duam të afrohemi na vjen mesazhi se është komuniteti që me sinjalizimet e tij, mund ta bëjë më efikase këtë luftë. Dhe pranë çdo komuniteti është qeverisja vendore, bashkitë e komunat, njësitë bashkiake dhe kryepleqtë e fshatrave, ndërlidhësit me komunitetin ata që garantojnë përcjelljen e cdo shqetësimi  tek organet kompetente.

Si Prefekt i Tiranës, unë mbetem besimplotë se identifikimi i saktë i problematikës së kultivimit për çdo njësi vendore, përdorimi i lëndëve narkotike nga çdo nxënës, vlerësimi i duhur për çdo rast nga punonjësit e policisë, mbështetja pa rezerva e strukturave të qeverisjes vendore dhe përfaqësuesve të tyre, pjesëmarrja e ndërgjegjshme e qytetarëve, dhe në fund bashkërendimi i të gjithëve ne, do të bëjë që objektivi ynë i përbashkët të realizohet. “