Sigal

Pse heshtni? Heshtja ju bën bashkëfajtor

Kreu i Partisë Demokratike, Basha, është treguar i ashpër edhe ndaj organizatave ndërkombëtare që veprojnë në vend dhe që paguhen nga taksapaguesit evropianë. Basha u kërkoi që të reagojnë lidhur me paligjshmërinë, vjedhjen, arrogancën dhe harbutërinë e Edi Ramës ndaj qytetarëve në projektin e “Unazës së Re”. Ai tha se heshtja i bën ata bashkëfajtorë dhe të pabesueshëm para shqiptarëve. Basha:

Së pari, pretendimi se këtu po zbatohet ligji është një pretendim i paskrupullt. Ligji po shkelet me të dyja këmbët për të marrë, për të grabitur pronën e qytetarëve në “Unazën e Madhe”, për t’i hapur rrugë megavjedhjes 40 milionë euroshe, vjedhjes direkt nga Edi Rama.

Së dyti, është shpërndarë mashtrimi se këta njerëz janë zaptues. E keni dëgjuar se si flasin për qytetarët, këta hajdutë që iu thonë zaptues. Secili prej tyre e ka blerë pronën. Secili prej tyre paguan tash prej 20-25 vite faturën e energjisë, faturën e ujit. Secili prej tyre është përfitues i ligjit të legalizimit. Marrëdhënia që kanë me shtetin deri më sot është respektuar nga ata, ndërsa sot po shkelet nga shteti i Edi Ramës. Asnjëri prej tyre nuk është zaptues, të gjithë kanë blerë tokën ku kanë ndërtuar. Të gjithë janë trajtuar si subjekte ligjore, kur iu është dërguar fatura e ujit, fatura e dritave, taksat, tatimet dhe gjithçka. Një mesazh kam për të gjithë ata që me heshtjen e tyre apo me avokatinë që i bëjnë vjedhjes së “Unazës së Madhe” bashkëpunojnë me vjedhjen dhe krimin. Bashkëpunimin me krimin dhe vjedhjen njerëzit nuk do t’ua falin. Kam një pyetje për organizatat ndërkombëtare që financohen me paratë e taksapaguesve të Evropës dhe të gjithë botës, të cilët lejojnë vjedhjen e hapur duke shkelur çdo standard të mirëqeverisjes dhe të shtetit ligjor. Ku jeni? Për çfarë pune paguheni? Për çfarë jeni këtu? Për të bërë pasarela?! Për të ngrënë e për të pirë në restorante të shtrenjta? Për të na treguar sa e mirë është vera shqiptare? Ja ku e kemi mirëqeverisjen, sundimin e ligjit, ja ku e keni, ja ku e keni reformën në drejtësi. Një kryeministër harbut dhe hajdut që shkel Kushtetutën, shkel ligjin dhe sot po rreh fëmijë dhe gra. Pse? Për të vjedhur. Vjedhja është e hapur, është në sytë tuaj dhe cenon çdo standard ndërkombëtar të prokurimeve ndërkombëtare. Pse heshtni? Heshtja ju bën bashkëfajtor. Heshtja ju bën të pabesueshëm para shqiptarëve.