Kryetari i PD-së Basha: Jo përfitime politike nga protesta e banorëve të Astirit. Raportet me Topallin dhe kandidatura për Tiranën

494
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Nuk mjafton thjesht largimi i Ramës. Duhet të shkatërrojmë sistemin e ngritur nga ai

Lulzim Basha: Jo përfitime politike nga protesta e banorëve. Ja  kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha deklaroi dje, se të gjithë ata që i kanë vjedhur pasurinë Shqipërisë do të përgjigjen. Duke folur mbi platformën qeverisëse të Partisë Demokratike, Basha tha se, sapo demokratët të marrin pushtetin do të largojnë jo vetëm Ramën por edhe oligarkët e tij.

Basha: Nuk mjafton largimi i Ramës

Basha: Ky është thelbi i betejës. Thjesht largimi i Edi Ramës nuk është zgjidhja e problemit. Ne duhet të shkatërrojmë sistemin që është ngritur dhe që është konsoliduar nën drejtimin e tij, por është ngritur prej kohësh, për të cilin mbajmë përgjegjësi edhe ne si Parti Demokratike. Disa prej këtyre oligarkëve rrinin në paradhomat tona, përpiqeshin të merrnin favore, disa edhe ia dolën të merrnin favore dhe për këtë ne kemi reflektuar. Na është dhënë shansi të reflektojmë kur shqiptarët na kanë nxjerrë me votë në opozitë. Sot detyra jonë kryesore është t’i bindim shqiptarët, se ajo që do bëjmë së bashku nuk është thjesht zëvendësimi i një partie me një parti tjetër, por shembja e këtij sistemi, ku janë refuzuar në një interesat politike, kriminale dhe oligarkike, dhe ndërtimi i një sistemi që funksionon njësoj si në vendet e Evropës.

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ka folur edhe për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Basha: Shikoni, nëse bëhet fjalë për votime, natyrisht që mesazhi do të jetë në raport me të ardhmen. Por sot nuk jemi para votimeve. Sot jemi në një krizë të thellë ku gjithsecili duhet të ndërgjegjësohet që pa çliruar politikën nga krimi, pa çliruar ekonominë nga oligarkët dhe korrupsioni, dhe pa dekriminalizuar zgjedhjet vendi nuk do të bëjë para. Prandaj ne do të hapim një debat qytetar dhe jo thjeshtë politik në mënyrë që njerëzit që do të na përfaqësojnë në zgjedhjet vendore të jenë produkt jo vetëm i vendimmarrjes politike por një konsensusi sa më të madh qytetar.

Për Topallin: Nuk kam asgjë personale

Basha, i pyetur për moskandidimin e Jozefina Topallit si kandidate për deputete në 2017-n, u përgjigj: Nuk kam ndërmend të merrem me asnjë emër të përveçëm, po dua të ju them këtë: Asgjë personale nuk kam pasur në vendimmarrjet e mia dhe asgjë personale nuk do të ketë. E rëndësishme është që ata, të cilët ndihen se mund të japin në këtë kauzë, në këtë luftë misionare, t’i kenë mundësitë t’i japin dhe kjo është detyra ime si kryetar i partisë. Të krijoj hapësirën që ata mund të japin. Disa prej tyre janë anëtarë të Këshillit Kombëtar, ex officio, siç është zonja Topalli. Ne kemi ndryshuar statutin dhe ajo është anëtare e Këshillit Kombëtar përjetë.

Mbështetim qytetarët kur rrihen nga policia

Basha: Mbështetje kur rrahin qytetarët nuk do të kenë nga unë, kurrë. Unë kam qenë ministri i tyre, i kam mbështetur sa herë kanë mbrojtur ligjin, sa herë kanë mbrojtur rendin, por kësaj radhe ata janë përdorur për të mbrojtur antiligjin, për të mbrojtur shkeljen e të drejtave të këtyre njerëzve, për të rrahur me shkopinj dhe për të keqtrajtuar 15-vjeçarë, 13-vjeçarë, nëna shtatzënë, pse po mbrojnë shtëpitë e tyre. Ndaj mesazhi që ju jap është ky: Mos u keqpërdorni, po ju keqpërdorin, jo për të mbrojtur ligjin, por për të goditur ligjin, për të goditur vëllezërit dhe motrat tuaja, që po mbrojnë shtëpitë e tyre, po mbrojnë ligjin dhe kushtetutën.