Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta pritet nga Presidenti i Senatit Amerikan Orrin Hatch

520
Gjatë qëndrimit të tij në Washington DC, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta u prit nga Presidenti i Senatit Amerikan z. Orrin Hatch.
Senatori Orrin Hatch i uroi mirëseardhjen në Washington Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta dhe shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e tij në ceremoninë inauguruese të Presidentit 45-të të SHBA z. Donald Trump.
Duke diskutuar mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Senatori Hatch theksoi se Administrata e re do t’i kushtojë vëmendje Shqipërisë dhe aleatëve të saj. 
“Kemi kënaqësinë që merrni pjesë në inaugurimin e Presidentit Trump. Administrata e re do t’i kushtojë vëmendje Shqipërisë dhe aleatëve të saj. Në këtë kuadër duhet të rrisim bashkëpunimin në disa fusha si siguria dhe tregtia dhe Senati i Shteteve të Bashkuara e mbështet partneritetin në rritje mes dy vendeve”, – theksoi Presidenti i Senatit Amerikan z. Orrin Hatch.
Kryetari i Kuvendit z. Meta, gjatë takimit, vuri në dukje se betimi i Presidentit Trump është një ngjarje me rëndësi jo vetëm për SHBA por edhe më gjerë.
“Inaugurimi i Presidentit Trump është me rëndësi jo vetëm për SHBA por edhe në aspektin global. Besoj në një bashkëpunim në rritje për të ardhmen ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”,- u shpreh Kryetari i Kuvendit z. Meta.
Gjatë bashkëbisedimit, z. Meta vlerësoi gjithashtu rëndësinë që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajonin e Ballkanit duke theksuar se: “Angazhimi i SHBA është shumë i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë e rajonit”.
Sigal