Sigal

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit Menduh Thaçin, Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni. Gjatë takimit u diskutua mbi rakordimin e qëndrimeve mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi përpjekjet inkurajuese të Qeverisë së Maqedonisë në mbështetje të sundimit të ligjit, përmbushjes së reformave strukturore dhe rimarrjes së kursit Euro-Atlantik të vendit,forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjes së çështjeve me fqinjët. Ai vlerësoi rolin konstruktiv dhe aktiv të faktorit politik shqiptar në këtë proces dhe nënvizoi se Shqipëria inkurajon kohezionin e faktorit politik shqiptar që të bëhet protagonist i ndryshimeve transformuese që i mundësojnë vendit fqinj të përparojë në procesin e anëtarësimit euroatlantik.

Shqipëria, vuri në dukje Ruçi, mbështet procesin e integrimit euro-atlantik dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, në përputhje me angazhimet evropiane dhe normat ndërkombëtare. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shprehu besimin se në referendumin e 30 shtatorit shqiptarët e Maqedonisë do të mbështesin procesin e nisur të paqes.

Nga ana e tij Kryetari i PDSH, Menduh Thaçi, falenderoi Gramoz Ruçin për takimin dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë fazë të rëndësishme të zhvillimeve në Maqedoni. Ai vuri në dukje se faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni janë në një mendje dhe po punojnë bashkarisht për të nxitur shqiptarët të marrin pjesë, pa kushte, në referendumin e 30 shtatorit.

Sipas tij Këtë kërkojnë edhe aleatët strategjikë të shqiptarëve, ShBA dhe BE. Vota është mekanizmi për plotësimin e aspiratave të shqiptarëve në Maqedoni, ndërsa bojkoti nuk u shërben këtyre aspiratave.

Kryeatri i Kuvendit Ruçi dhe Thaçi shprehën besimin se shqiptarët e Maqedonisë do ta japin votën e tyre pro referendumit, për perspektivën europianëe të këtij vendi.