Kryetari i Kuvendit Meta, mirënjohës ndaj mbështetjes së Kanadasë e Sllovakisë

450
Sigal

Kryetari i Kuvendit z.Ilir Meta priti dje Ambasadorin e Kanadasë në Shqipëri (Rezident në Romë) z. Peter Mc Govern dhe i vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë si solide, si në planin shumëpalësh, ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit ekonomik e politik mes dy vendeve. Z. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë ndaj Shqipërisë dhe nënvizoi vullnetin për zgjerimin e investimeve kanadeze nga Shqipëria në të gjithë rajonin. Ambasadori i Kanadasë z. Mc Govern pasi i vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe si të shkëlqyera, vuri në dukje se Kanadaja përbën burimin më të madh të investimeve në Shqipëri, duke theksuar njëkohësisht vullnetin për rritjen e mëtejshme të tyre. Në përfundim, Kryetari Meta dhe Ambasadori Mc Govern ndanë bindjen se komuniteti i mirë-integruar dhe i kualifikuar shqiptar në Kanada përbën një urë të shkëlqyer bashkëpunimi mes dy vendeve. Menjëherë pas këtij takimi Kryetari Meta priti edhe ambasadorin e ri të Sllovakisë në Shqipëri z. Milan Ciganik. Kryetari i Kuvendit Meta i uroi mirëseardhjen Ambasadorit Ciganik në Shqipëri dhe shprehu besimin se gjatë mandatit të tij në Tiranë, marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Sllovakisë do të vijnë duke u forcuar në fusha konkrete të bashkëpunimit. Ambasadori Ciganik shprehu kënaqësinë e emërimit të tij në Tiranë dhe rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të Sllovakisë ndaj avancimit të procesit të integrimit evropian për Shqipërinë, duke shprehur njëkohësisht vullnetin për të asistuar në këtë kontekst.