Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në takime të veçanta nga Ish-Presidenti i Finlandës dhe Ministri i Jashtëm

341
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Finlandë, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit sot në Helsinki nga Ministri i Jashtëm i Finlandës, z. Timo Soini, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike mes Shqipërisë dhe Finlandës.
Z. Meta dhe z. Soini ndanë bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet intensifikuar veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve ekonomike.
Kryetari i Kuvendit, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Finlandës ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe nënvizoi përkushtimin e Kuvendit në interes të dialogut politik dhe avancimit cilësor të reformave kyçe, siç është ajo e sistemit të drejtësisë.
Ministri i Jashtëm i Finlandës, z. Timo Soini u shpreh se Finlanda e mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian dhe theksoi se forcimi i sundimit të ligjit në të gjithë vendet e Ballkanit i shërben gjithë Evropës.
Në përfundim z. Meta dhe z. Soini biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së stabilitetit dhe perspektivës evropiane të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor ku Shqipëria luan një rol kyç.
Gjatë vizitës në Finlandë, Kryetari i Kuvendit, z. Meta, u prit në takim edhe nga ish-Presidenti i Finlandës, z. Martti Ahtisaari, i cili ka fituar çmimin Nobel për paqen dhe është themelues i Nismës për Menaxhimin e Krizave (CMI). 
Pasi e falënderoi për mikpritjen z. Meta i dorëzoi z. Ahtisaari “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” të akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani. Ky titull i është akorduar z. Ahtisaari me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm politik e diplomatik, si i Dërguar i Posaçëm i OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që shënoi nisjen e procesit të Pavarësisë së Kosovës e njohjen ndërkombëtare të saj, ndërtimin e institucioneve shtetformuese dhe demokratike në vend, në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
Ish-Presidenti i Finlandës, Ahtisaari, falënderoi Kryetarin e Kuvendit për këtë çmim dhe shprehu mirënjohjen për vlerësimin që i ka bërë Shqipëria. 
Sigal