Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës, Znj. Jiang Yu

524
Sigal

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti dje ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës, Znj. Jiang Yu, me rastin e përfundimit të misionit të saj në Shqipëri. Kryetari i Kuvendit falënderoi ambasadoren Yu për misionin e saj të suksesshëm në Tiranë dhe kontributin në fuqizimin e marrëdhënieve e të bashkëpunimit dypalësh. Lidhur me Nismën “16+1”, Kryetari i Kuvendit u shpreh se pala shqiptare e konsideron si një instrument të rëndësishëm dhe një platformë të rëndësishme bashkëpunimi ekonomik, komunikimi dhe mirëkuptimi kulturor, që do të përforcojë më tej marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Kinës, por edhe ato multilaterale mes vendeve të 16+1. Nisma “Një Brez dhe Një Rrugë”, shikohet si një mundësi më shumë për të aplikuar dhe tërhequr investime për projektet tona në energji dhe infrastrukturën rrugore, detare dhe hekurudhore. Kryetari i Kuvendit përsëriti kërkesën e Shqipërisë që Republika Popullore e Kinës të shohë mundësinë e rishikimit të qëndrimit ndaj Kosovës, të njohë këtë shtet të ri dhe të mbështesë atë në marrëdhëniet ndërkombëtare.