Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi: Luftërat e Drashovicës janë mësime të vyera historie

584
Sigal

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, mori pjesë dhe përshëndeti në ceremoninë e kremtimit të 75 vjetorit të Luftës së Drashovicës. Në ceremoni morën pjesë veteranë dhe veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, pjesëtarë dhe pasardhës të familjeve të dëshmorëve si edhe banorë të Drashovicës, Lumit të Vlorës dhe Labërisë. “Beteja e 1943, guri më i çmuar i gjerdanit që stolis historinë heroike të Drashovicës”,- theksoi në fjalën e tij Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, “Nuk ka vend më të mirë, më të bukur dhe më hijerëndë sesa Drashovica, kjo “Portë e Labërisë” dhe Nderi i Kombit, për të përkujtuar e nderuar betejat që kurrë nuk i harrojmë, të Luftës së lavdishme Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ky hark i thjeshtë, nën madhështinë e të cilit jemi mbledhur sot, simbolizon dy ngjarje të mëdha që e bënë Drashovicën një krenari të historisë së shqiptarëve. 1920-ën, kur lebërit i hodhën italianët në det dhe kur Selam Salaria, nisi nga Drashovica rrugëtimin e tij drejt legjendës. 1943-shin, kur nga 14 Shtatori deri më 4 Tetor, forcat partizane të Qarkut të Vlorës organizuan sulmin kundër garnizonit gjerman të Drashovicës, duke shënuar një ndër betejat më të ashpra të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Luftërat e Drashovicës janë mësime të vyera historie. Bashkëjetesa politike e drashovicarëve është një leksion domethënës për ne politikanët. Ashtu si dje shpirti ynë liridashës, dhe sot idealet e demokracisë, të zhvillimit dhe të mirëqenies, na kanë rreshtuar përsëri në kahun e duhur të historisë së re: orientimin progresist euro-atlantik..”,- u shpreh Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.