Kryetari i KQZ: Incidente të izoluara, të tregohet maturi

553
Në një konferencë për shtyp, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri ka shprehur shqetësim të thellë për disa incidente të bëra publike në media, siç tha, gjatë fushatës zgjedhore.
“Në tërësinë e saj, kjo fushatë ka pasur një klimë të qetë dhe besoj se këto raste do të mbeten të izoluara”, tha Zguri.
Ndërkohë, që bëri edhe një apel publik për të gjithë votuesit dhe simpatizantët e partive politike.
“Të distancohen nga çdo veprim i dhunshëm që bie ndesh me liritë dhe të drejtat e individit dhe në veçanti kuadrin ligjor për zgjedhjet. Respektimi i vullnetit të lirë të çdo qytetari është standardi kryesor që duhet të plotësojmë në çdo fazë të këtij procesi zgjedhor. Është shumë e rëndësishme që të arrijmë standardet më të larta zgjedhore, pasi janë elementi kryesor për proceset integruese në familjen europiane”, deklaroi Klement Zguri.
Më tej, kreu i KQZ-së përmendi edhe detyrat thelbësore për subjektet zgjedhore dhe agjencitë ligjzbatuese.
“Zbatimi i të gjithë kuadrit ligjor që buron nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera që lidhen me procesin dhe përmbushja e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it mbeten detyrë thelbësore e çdo subjekti zgjedhor dhe agjencive ligjzbatuese, të cilat jo vetëm s’duhet të përfshihen politikisht në fushatë, por duhet të veprojnë me transparencë për zbardhjen e plotë të çdo incidenti, që do të nxirrte në pah të vërtetën dhe do të shmangte keqpërdorimin e saj”, tha ai.
Klement Zguri u shpreh besimplotë se udhëheqësit politikë do të ndërhyjnë në mënyrë energjike për të shmangur çdo klimë tensioni, e për të rritur besimin e çdo simpatizanti dhe shqiptari te procesi zgjedhor, pasi është koha që të dëshmohet maturi e seriozitet.
Sigal