Kryetarët e PD dhe PS “ulin armët” për dekriminalizimin

589
Para disa javësh, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, deklaroi se reformën në drejtësi nuk e duan ministrat e korruptuar dhe deputetët kriminelë. Ndërsa në prag të zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, Ambasadori Lu u bëri thirrje votuesve që të mos votonin ata kandidatë që kanë rekorde kriminale, pavarësisht se janë futur në listën zgjedhore. Herë pas here janë publikuar edhe fakte që shumë funksionarë të lartë të shtetit, në poste drejtuese të administratës publike janë emëruar, ndërkohë që në biografinë e tyre kanë rekorde kriminale, si të dënuar nga gjykata të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. KLSH ka bërë kallëzim penal për disa ministra dhe funksionarë të lartë të shtetit, që kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë kryer vepër penale dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton edhe koncesionet e dhëna nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Sa të miratohet ligji për dekriminalizimin, atëherë të gjithë të akuzuarit për kryerjen e veprave penale do të largohen nga detyra. 

Hapja e dosjeve, duhej bërë para ligjit të dekriminalizimit
Shqipëria është i vetmi vend në vendet ish-komuniste që ende nuk ka hapur dosjet e së kaluarës, ndaj shumë persona, që ishin gjykatës, prokurorë, hetues dhe zyrtarë të lartë të regjimit komunist, në përmbysjen e sistemit, ndërruan kostumin, u pagëzuan “demokratë” dhe tashmë zotërojnë poste shumë të larta, si deputetë, si gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të lartë të shtetit. Nuk mundet që Shqipëria të zbatojë reformën në drejtësi dhe ligjin për dekriminalizimin, pa zbatuar më parë hapjen e dosjeve dhe pa spastruar shtetin, politikën, Parlamentin, Gjyqësorin, nga ish-funksionarët dhe xhelatët e diktaturës. 

Mazhoranca dhe opozita japin konsensus për ndryshime kushtetuese, për dekriminalizimin
Pas një viti llogjesh dhe debatesh shterpë, kur mazhoranca dhe opozita nuk donin që dekriminalizimin ta zbatonin në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015, dje Komisioni i Dekriminalizimit dha konsensusin për ndryshimet kushtetuese, për t’i hapur rrugë miratimit në Kuvend të ligjit për dekriminalizimin. Duke pasur parasysh se janë propozuar ndryshime kushtetuese edhe për reformën në drejtësi, por do të ngrihet edhe një Komision Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ku do të duhen edhe ndryshime kushtetuese, atëherë, të gjitha këto ndryshime kushtetuese do të jenë të njëkohshme, të harmonizuara. Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord që ligji për dekriminalizimin të zbatohet sa më parë dhe do të ndërpriten menjëherë të gjitha mandatet për deputetë, për të zgjedhurit në krye të institucioneve kushtetuese, do të largohen menjëherë të gjithë zyrtarët e lartë që do të preken drejtpërdrejtë nga ky ligj i dekriminalizimit.

Oerd Bylykbashi për gazetën “Telegraf”: Ja përmbajtja e ndryshimeve kushtetuese për dekriminalizimin
Kryetari i Komisionit të dekriminalizimit, deputeti i PD-se, Oerd Bylykbashi, i kontaktuar mbrëmë, pasi mbaroi punimet komisioni parlamentar, u shpreh se çfarë do të përmbajnë ndryshimet kushtetuese për dekriminalizimin: “Ndryshimet kushtetuese janë të atilla që do të trajtojnë problemin në të ardhmen, pra largimin e personave të cilët nuk plotësojnë kriteret e integritetit për funksione kushtetuese e publike, pasi në aktivitetin e tyre kanë dënime penale për krime të parashikuara në ligj dhe për rrjedhojë nuk konsiderohen të përshtatshëm për të ushtruar funksione publike, kushtetuese apo të krijuar me ligj. Ndryshimet kushtetuese parashikojnë nëpërmjet një pakete tranzitore, ndërprerjen e mandateve të të gjithë funksionarëve kushtetues dhe të organeve të tjera, kur këta konsiderohet se janë në shkelje të kushteve për ushtrimin e funksionit. Një çështje kryesore që merr zgjidhje është vendosja e kufizimeve tek e drejta kushtetuese që parashikon të drejtën e zgjedhjeve, pasi personat të cilët janë dënuar sipas këtij ndryshimi kushtetues, do të jenë të kufizuar, gjithashtu në ushtrimin e të drejtës për t’u zgjedhur dhe ndalimin do ta bëjë ligji, por parashikohet jo vetëm për personat e dënuar, por dhe për personat që ende nuk janë dënuar me vendim përfundimtar, apo janë duke kryer dënime për krime të një karakteri specifik, siç janë krimet e rënda. E njëjta gjë ndodh edhe për personat e dëbuar nga vendet e BE, apo SHBA”, theksoi ai. “Sipas paketës të ndryshimeve kushtetuese, të gjithë ata që konstatohen aktualisht të dënuar, duhet të largohen nga funksionet publike”.

Ja cilët nuk kandidojnë më: 
1. Nuk mund të kandidojnë, nuk mund të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të
Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:
a) kryerjen e një krimi të parashikuar nga nenet 73, 74, 75, 78/a, 79, 79/a, 79/b dhe 79/c, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 109 109/b, 110/a, 111, 114, 128/b, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 233, 234, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të rëndë, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal;
b) kryerjen e një vepre penale në fushën e korrupsionit të parashikuar në nenet 244, 245, 248, 259, 260 apo në fushën e zgjedhjeve të parashikuar në Kreun X “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve” të Kodit Penal.
c) kryerjen e një krimi, për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim.
ç) për kryerjen me dashje të një krimi, që nuk përfshihet në shkronjat “a”dhe “b” të kësaj pike dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.
2. Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore, personat që plotësojnë kushtet e parashikuara gërmat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni.
3. Ndalimi i parashikuar nga pika 1 e këtij neni zbatohet edhe ndaj personave:
a) për të cilët është marrë masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga një autoritet gjyqësor i huaj, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale të parashikuara në pikën 1, gërma “a” të këtij neni, derisa nuk ka një vendim pafajësie në favor të tij.
b) që janë dëbuar nga territori i një vendi të huaj në lidhje me një prej veprave penale të parashikuara në pikën 1, gërma “a” të këtij neni.
4. Ndëshkimet e parashikuara në këtë nen zbatohen edhe ndaj personave që në kohën e kryerjes apo tentativës së kryerjes të veprës penale, mbanin të dhëna identiteti të ndryshme nga ato që mbajnë në momentin, kur zbatohet ndalimi ndaj tyre.
5. Kohëzgjatja e ndalimeve të parashikuar nga ky nen përcaktohen, sipas rastit, në nenin 4 të këtij ligji.
Neni 3
Kushtet për t’u emëruar në funksione publike
1. Për veprat penale të parashikuara në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet edhe në funksionet publike si më poshtë:
a) në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;
b) në postin e zëvendësministrit apo të njëvlershëm me të;
c) në postin e prefektit;
Sigal