Kryesor është dialogu që zgjidh problemet që ne kemi si vend e si shtet, LSI po kontribuon për këtë frymë

516
Kryetarit i Kuvendit, Ilir Meta, në emisionin “Zonë e Lirë”: Jemi vend i NATO-s, të punojmë bashkërisht, për t’u bërë edhe vend anëtar i BE-së

LSI gjithmonë ka marrë votat e saj edhe kur ka qenë jashtë koalicioneve edhe kur ka qenë brenda koalicioneve, sepse shqiptarët me këtë sistem kanë një votë dhe atë votë e japin për partinë kudo ku ajo është 

Sa i takon kësaj çështjes së Trumpit, nuk besoj se ka ndonjë ndryshim nga administrata e Presidentit të ri të SHBA-ve, për sa u takon çështjeve kryesore në Ballkan. Ajo që na intereson më shumë: çështja e Kosovës, besoj deklaratat kanë qenë shumë të qarta edhe nga Sekretari i ri i Mbrojtjes, edhe nga takimi i fundit i NATO-s ku ai mori pjesë

Zoti Basha, ka qenë gjithmonë i mirëpritur nga unë si Kryetar i Kuvendit dhe ju e dini, që ai ka ardhur dhe unë e kam ftuar përpara konsensusit për reformën në drejtësi, madje edhe ditën që u arrit konsensusi.
Kryetari i Kuvendit Ilir meta, ka dhënë dje një intervistë në media, në të cilën është ndalur në zhvillimet politik-sociale e ndërkombëtare që po shoqërojnë prej disa muajsh e sidomos ditët e fundit, shoqërinë dh politikën, shtetin, qeverisjen dhe institucionet e tjera, me problematikë bazë reformën në drejtësi, dekriminalizimin dhe zgjedhjet e pritshme parlamentare të 18 qershorit 2017. 

Deri tani zyrtarisht kemi dëgjuar nëpër ekrane dhe media, ju keni thënë se nuk keni asgjë kundër protestës, përkundrazi, protestat janë normale keni thënë ju dhe kur ju pyetën për opozitën keni thënë gjithashtu, që pa opozitën nuk do të kishte kuptim. Pra jemi për dialog me opozitën. Pra çfarë keni dashur të thuash me këtë, jeni për dialog me opozitën edhe tani që nuk është në parlament?

E theksoj edhe një herë, pa opozitën nuk ka realisht parlament, sepse qeveria apo maxhoranca ka edhe parlamentin ka edhe qeverinë. Opozita ka parlamentin, mund të ketë edhe sheshin. Do me thënë që proteston. Për sa i takon dialogut nuk mendoj, se dialogu është i pa mundur edhe jashtë parlamentit. Aq më tepër kur qëllon për rastësi që kryetari i opozitës nuk është anëtari i parlamentit, por kryesorja është vullneti për dialog dhe kërkesat të mundshme, të realizueshme, praktike, të cilat i zgjidhin problemet që ne kemi si vend, si shtet.

Pra, nuk i thoni jo një dialogu apo një nisjeje dialogu me opozitën, jashtë parlamentit?
Kjo nuk është kryesorja. Rëndësi ka vullneti për dialog dhe vullneti për të gjetur zgjedhje të mira. Opozita jashtë parlamentit është pa sens. Sepse këto zgjedhje janë të organizuara nga qeveria e PD, pra zgjedhjet që kanë përcaktuar këtë parlament, janë zgjedhje të pranuara nga të gjithë. 

Thuhet, se së shpejti, pritet që të ketë një darkë midis teje dhe Lulzim Bashës. A është e vërtetë?
Zoti Basha, ka qenë gjithmonë i mirëpritur nga unë si Kryetar i Kuvendit dhe ju e dini që ai ka ardhur dhe unë e kam ftuar përpara konsensusit për reformën në drejtësi, edhe ditën që u arrit konsensusi.

Nuk është më tabu?
Nuk është më tabu sepse ne jemi takuar tek “Rogner”. Në çdo moment. S’ka se si të them që nuk e takojë kryetarin e opozitës. Jo vetëm me kryetarin e opozitës, por me kryetarin e një partie opozitare që nuk është në parlament. Është një detyrim, është një respekt.

Thuhet, se Edi Rama ju ka ofruar dyfishin e numrit të deputetëve që të bashkëjetoni në harmoni me njëri-tjetrin në 4-vjeçarin tjetër. Sa qëndron ky skenar?
Ky nuk qëndron as në drejtim të ofrimit, por në radhë të parë nuk qëndron as në drejtimin të ndonjë kërkese apo të ndonjë pretendimi të tillë. Dhe duhet të kemi parasysh që LSI gjithmonë ka marrë votat e saj edhe kur ka qenë jashtë koalicioneve edhe kur ka qenë brenda koalicioneve sepse shqiptarët me këtë sistem kanë një votë dhe atë votë e japin për partinë kudo ku ajo është.

Thuhet, se i keni propozuar Edi Ramës, që mund të jeni ju në rast të një krize të vërtetë, kryeministër, pas zgjedhjeve të ardhshme për të mirën e vendin tani që po mbaron edhe “era e Merkelit” në Gjermani, pasi Martin Shultz duket se po kryeson në sondazhet në Gjermani që është edhe kandidati kryesor tashmë, përballë Merkelit?

Nuk kam ndërmend të përfshihem me fushatën e Gjermanisë dhe askund. Të zgjidhim këto problemet tona një herë pastaj të merremi me hallet e Gjermanisë dhe të partnerëve të tjerë. Këtu është e rëndësishme të kuptojmë, që jemi të përqendruar në disa çështje më të rëndësishme. S’kemi përfunduar ende reformën zgjedhore.

A shprehu gjatë darkës me ju Kryeministri Rama ndonjë lloj shqetësimi për shkak të të mos qenit më i preferuari i Kancelares Merkel, përforcuar ky fakt edhe nga deklaratat e ambasadorit të OSBE-së, z. Boschartd?
Nuk kemi diskutuar për çështjet e Gjermanisë. Unë preferoj të hyjmë më mirë te këto temat tona të brendshme.
Sot (dje), në gazetën britanike “Telegraph”, kryeministri Rama, thoshte se, nëse administrata e Trumpit në Amerikë heq dorë dhe braktis Ballkanin, atëherë rrezikohemi nga influenca ruse…

Së pari, s’jam në asnjë garë, as me z. Rama e as me ju, për të kapur apo për të bërë ndonjë lajm. E di që ju shpesh herë jeni qortues ndaj meje, ngaqë unë nuk synoj të bëj “scoop-e”. Unë nuk e kam lexuar, sepse s’kam pasur mundësi ta lexoj. Komentin e kam të thjeshtë: Së pari, ne të mos braktisim Shqipërinë. Kjo është kryesorja: Të përqendrohemi te zgjidhjet e problemeve që ndihmojnë shqiptarët dhe shqiptarët te mos e braktisin Shqipërinë. Të përqendrohemi te problemet tona, kjo është shumë e rëndësishme. Të tregojmë një bashkëpunim dhe një përgjegjshmëri dhe unitet të brendshëm për çështjet madhore të shtetit dhe të kombit, pastaj do të na respektojnë të gjithë bashkë, rusë dhe amerikanë, Kina etj. Në momentin që ne jemi kaq të ndarë e të polarizuar me njëri-tjetrin, jemi të dobët, jemi gjithnjë e më të bezdisshëm për të tjerët dhe më të parespektueshëm. Nuk ka rëndësi a janë amerikanë, rusë e kështu me radhë. Sa i takon kësaj çështjes së Trumpit, nuk besoj se ka ndonjë ndryshim nga administrata e Presidentit të ri të SHBA-ve, për sa u takon çështjeve kryesore në Ballkan. Ajo që na intereson më shumë: çështja e Kosovës, besoj deklaratat kanë qenë shumë të qarta edhe nga Sekretari i ri i Mbrojtjes, edhe nga takimi i fundit i NATO-s ku ai mori pjesë, edhe nga Konferenca e Mynihut ku ishte Zv.Presidenti i SHBA-ve, Mike Pence dhe disa personalitete të tjera. Në këtë drejtim padyshim edhe për Shqipërinë asgjë nuk ka ndryshuar, për më tepër që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe anëtare në një rajon delikat ku SHBA-të kanë interes për të pasur një partner të qëndrueshëm. 

A duhet të trembemi ne, nga një influence ruse këtu? Le ta marrim të mirëqenë që kjo që thotë z. Rama mund të jetë e vërtetë një ditë. A duhet të trembemi ne nga rusët?
Së pari, unë nuk mendoj që është ky një problem që shtrohet për diskutim për arsye, se ne jemi një vend anëtar i NATO-s, jemi një vend kandidat për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian dhe me shpresën që mund të çelim negociatat për anëtarësim. 

Kryeministri Rama pati një drekë me Erdoganin, ku thuhet se është diskutuar për afrimin e tij me Trump. A mendon se Edi Rama po fuqizohet dita-ditës në politikën e jashtme, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë?
Në çdo rast, ne nuk kemi asnjë gjë më të rëndësishme se sa të merremi me Shqipërinë. Ka një thënie të hershme që politika në radhë të parë është lokale, pastaj është rajonale dhe globale. Takimi me Erdoganin është një gjë shumë normale.

Po duket sikur Ali Ahmeti do të bëjë koalicion me Zaevin dhe jo me Gruevskin?
Për ne kjo nuk ka asnjë rëndësi. Për ne është e rëndësishme, që ky koalicion të garantojë stabilitetin e Maqedonisë. Për ne stabiliteti i Maqedonisë është stabiliteti ynë. Mungesa e stabilitetit në Maqedoni krijon probleme për të gjithë dhe, e dyta është, që të garantojë të drejtat e shqiptarëve sipas platformës së partive shqiptare.
Sigal