Kryeparlamentari grek i akordon homologut shqiptar “Medaljen e Artë të Parlamentit të Greqisë”

391
Sigal

 

Gazeta Telegraf/

Ilir Meta: Marrëdhëniet
strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë rëndësi rajonale

Në kuadër të vizitës së
tij zyrtare në Greqi, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në Athinë nga
Kryetari i Parlamentit të Greqisë, Nikolaos Voutsis, të cilit i shprehu
mirënjohjen për ftesën dhe për mikpritjen e ngrohtë. Kryetari i Kuvendit, Meta
u shpreh se vizita në Athinë ka qëllim të nxisë bashkëpunimin politik mes dy
parlamenteve dhe të forcojë lidhjet mes tyre në interes reciprok duke theksuar
se, Kuvendi i Shqipërisë inkurajon forcimin e marrëdhënieve shumëplanëshe mes
Shqipërisë dhe Greqisë si dy vende fqinje anëtarë të NATO-s të ndodhura
përballë sfidave të përbashkëta bashkëkohore, rajonale dhe globale. Duke
shprehur vullnetin për rëndësinë e marrëdhënieve të partneritetit strategjik,
vitale dhe dinamike me Greqinë, Meta shprehu angazhimin për të ndërtuar së
bashku një platformë model, sfiduese, ambicioze dhe të qëndrueshme të këtyre
marrëdhënieve në interes të të ardhmes së vendeve dhe popujve tonë, platformë
të bazuar në vlerat e përbashkëta euroatlantike, ato të NATO-s dhe të Bashkimit
Evropian. “Marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë rëndësi
rajonale dhe mesdhetare, ndaj të diskutojmë hapur dhe në mënyrë konstruktive,
në interes të së ardhmes së përbashkët dhe të forcimit të marrëdhënieve
dypalëshe duke zgjidhur kështu çështjet e trashëguara nga e kaluara dhe të
mbartura në kohë”, tha Meta. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen që Greqia i
ka dhënë Shqipërisë në anëtarësimin e saj në NATO, në marrjen nga Shqipëria të
statusit të vendit kandidat në BE dhe që jep ndaj ecurisë së saj në procesin e
integrimit evropian. Meta dhe Voutsis ndanë bindjen e përbashkët se shqiptarët
që jetojnë e punojnë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë ura të
shëndosha të lidhjeve dhe bashkëpunimit mes vendeve dhe popujve tonë. Gjatë
takimit u vlerësua nga të dy kryeparlamentarët procesi i nisur i intensifikimit
dhe thellimit të dialogut dhe kontakteve të diplomacisë së të dy vendeve, në
funksion të rritjes së besimit, thellimit të bashkëpunimit dhe të eksplorimit
me qetësi e racionalitet të mundësive për gjetjen e zgjidhjeve mbi një sërë
çështjesh dypalëshe ende të pa adresuara mes palëve, duke konverguar në
përputhje me interesat e përbashkëta afatgjatë. Meta nënvizoi se Shqipëria dhe
Greqia, si dy vende të NATO-s dhe pjesë të vlerave evropiane dhe proceseve
pjesëmarrëse, integruese dhe emancipuese të BE-së përputhen në interesa, sfida,
shqetësime dhe parashikime të së ardhmes se vendeve të tyre, atë të rajonit dhe
të botës. “Jemi të vendosur që marrëdhëniet mes dy vendeve të krijojnë model
për marrëdhëniet në rajon si vende që vështrojnë dhe ndërtojnë raportet e tyre
në trajtimin e drejtë dhe diskutimin e sinqertë se edhe historia, tradita dhe
trashëgimia mund dhe duhet t’i shërbejnë të ardhmes së marrëdhënieve mes dy
vendeve tona”, Meta.

Hapësira për
bashkëpunim të gjerë

Më tej, u nënvizua
fakti se interesat e përbashkëta dhe bashkëpunimi i ngushtë dhe reciprok
politik, ekonomik, ushtarak, financiar, ai i sigurisë dhe luftës kundër
terrorizmit dhe trafikut kriminal ndërkufitar e krimit të organizuar duhet të
prevalojnë mbi çështjet e trashëguara dhe të mbartura nga historia. Duke
motivuar dhe inkurajuar frymën e miqësisë, bashkëjetesës dhe duke evidentuar
integrimin e emigrantëve shqiptarë në jetën dhe shoqërinë e Greqisë dhe
vëmendjen tonë ndaj minoritetit grek në Shqipëri si ura të qëndrueshme dhe
afatgjata të marrëdhënieve mes dy popujve tanë, z. Meta vuri në dukje se ne
krijojmë një platformë të besueshme, jo vetëm për të diskutuar, por edhe për të
gjetur zgjidhje në kohën e përshtatshme dhe të favorshme për çështjet e së
kaluarës. Në këtë kuadër, Meta u shpreh: “Është përgjegjësi e jona gjetja e
instrumenteve të duhura për të na çliruar nga ngarkesa dhe akte historike në
funksion të krijimit të një fryme dhe opinioni pozitiv për shoqëritë e vendeve
tona në kuadrin e realiteteve moderne e me shikim në të ardhmen e përbashkët.
Komisionet e përbashkëta ndërdikasteriale duhen nxitur për t’i dhënë një
zgjidhje bashkëkohore ligjit të njëanshëm të luftës të 1940-s për të pasqyruar
realitetin e sotëm të fqinjësisë së mirë, përkatësisë transatlantike,
rrugëtimit evropian dhe miqësisë se hershme ndërmjet dy popujve tanë. Po
kështu, respektimi i të drejtave të pronës së qytetarëve shqiptarë, që kanë
jetuar në Greqi do të ndihmonte shumë në krijimin e një klime më të favorshme
në marrëdhëniet tona”. Në përfundim, duke u ndalur te nevojat e komunitetit
shqiptar në Greqi, Meta shprehu mirënjohjen për vëmendjen e qeverisë greke ndaj
emigrantëve dhe vuri në dukje se njohja e Vulës Apostile shqiptare nga ana e
Greqisë do të lehtësonte marrjen dhe qarkullimin e dokumenteve të shtetasve
shqiptarë, por edhe grekë, ndërkohë që zgjidhja e çështjes së sigurimeve
shoqërore nëpërmjet një marrëveshjeje dypalëshe, njohja nga pala greke e lejeve
shqiptare të drejtimit sipas standardeve evropiane, do të ishin masa efikase me
efekte praktike dhe në ndihmë të qytetarëve shqiptarë në Greqi. Ndërkaq, gjatë
këtij takimit Nikolaos Voutsis i akordoi Ilir Meta “Medaljen e Artë të
Parlamentit të Greqisë”. Kjo medalje i akordohet personaliteteve të rëndësishme
në shenjë nderimi për kontributin e tyre nga Parlamenti grek.