Kryeministri Edi Rama të mërkurën vizitoi shkollën e rikonstruktuar tashmë të Hoteleri-Turizmit në Tiranë, e cila ka nisur certifikimin nga Shkolla e Lausanne, e cilësuar si më e mira në botë për hotelerinë. Në mjediset e reja të kësaj shkolle kryeministri tha: “Kjo shkollë do të mbështesë nevojat e sektorit Hoteleri-Turizëm në një kohë kur arsimi profesional po preferohet përherë e më shumë nga të rinjtë, ndërsa 80 % e studentëve punësohen që në bankat e shkollës me pagesa konkurruese për tregun. Vëmendja për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë do të jetë në fokusin tonë kryesor, sidomos sot kur Shqipëria, po përjeton një fluks të jashtëzakonshëm turistësh. Takova këtë verë disa operatorë në zonën e Dhërmiut edhe ata thoshin që nuk është më pyetja sa është paga, por sa është aftësia dhe kapaciteti profesional i atyre që marrim sepse paga është absolutisht shumë e lartë”.- tha mes të tjerash Edi Rama. Gajtë vizitës dhe takimeve me të rinjtë që studiojnë në këtë shkollë, duke iu drejtuar këtyre të fundit Rama tha se “duhet t’i shërbeni vendit dhe duhet ta bëni mirë llogarinë para se të ikni nga vendi sepse llogaria nuk bëhet thjesht sa të japin atje, sa të japin këtu, por çfarë të ngelet atje në fund të muajit dhe sa të ngelet këtu. Natyrisht me pagat 400 mijë lekë patjetër atje ngelet më shumë se këtu, por me pagat 900 mijë lekë, 1 milion e 1 milion e ca kur vjen puna te menaxherë, shefa sallash, apo shërbim që janë më lart atëherë duhet bërë llogaria sa është taksa aty, sa këtu, sa është qiraja atje, sa kushton këtu kur rri me prindërit, sa është transporti atje e këtu, sigurimet shëndetësore e shoqërore atje e sa janë këtu. A ka njeri atje që ka kohë të ulet me pi kafe apo bëhet më mirë muhabet atje apo këtu. Edhe financiarisht edhe gjendja e humorit ka filluar të dalë barazim, por do të dalë edhe më mirë pas ca vitesh, në turizëm sidomos”. – tha kryeministri i vendit. Në vendin tonë rezultojnë rreth 12 shkolla të mesme profesionale që ofrojnë formimin për Hoteleri Turizëm.




















