UBT marrëveshje me Universitetin e Vjenës, Rama: Qeveria ka financuar 16 milionë euro për ta kthyer në një qëndër ekselence
Ky është një program strategjik i qeverisë për ta transformuar këtë universitet në një qendër ekselence me një rrezatim shumë të fortë në ekonominë, bujqësinë, zhvillimin rural të vendit dhe me një influencë rajonale
Në Tiranë një marrëveshje e rëndësishme u nënshkrua të martën mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universiteti BOKU të Vjenës. Marrëveshja 4-vjeçare e partneritetit për bashkëpunimin mes dy institucioneve synon ta transformojë UBT-në në një universitet me standarde evropiane. Në ceremoninë e mbajtur më këtë rast ishte i pranueshëm edhe kryeministri shqiptar Edi Rama i cili gjatë fjalës së mbajtur tha se me këtë hap nis procesi i modernizimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe se diploma e UBT-së tashmë do të ketë të njëjtën vlerë si të ishte marrë në Vjenë, ndërsa dijet, informacionet dhe teknologjia do të jetë e standardeve më të larta. Ai tha se qeveria ka financuar drejtpërdrejt rreth 16 milionë euro për Universitetin Bujqësor të Tiranës. “Janë akorduar 7 milionë euro për fermën, 3 milionë euro për rindërtimin nga tërmeti, 2 milionë euro për godinën e klinikës, fillimisht 500 mijë euro për ndërkombëtarizimin dhe pastaj 2 milionë euro për programin e përbashkët me BOKU-n, si dhe 1 milion euro për PKZH-në. Pra janë rreth 16 milionë euro të dhëna drejtpërdrejtë për Universitetin Bujqësor pa llogaritur konviktet e rindërtuara se po të futen edhe ato shkon shumë. Që do të thotë se ky nuk është një program i qeverisë për të mbajtur me hatër një rektor demokrat. Nuk ka si të jetë. Ky është një program strategjik i qeverisë për ta transformuar këtë universitet në një qendër ekselence me një rrezatim shumë të fortë në ekonominë, bujqësinë, zhvillimin rural të vendit dhe me një influencë rajonale. Nuk ishte e lehtë për ta thyer akullin dhe ja ku jemi sot. Të vij këtu një nga ekselencat e Evropës dhe të pranojë martesën me ne kjo nuk bëhet si dashuri me shikim të parë. Nuk ka dashuri me shikim të parë Austria, të shohin, të mesin, të kontrollojnë etj., është histori e gjatë. Fakti që pranuan të nënshkruajnë martesën me ne është histori e madhe dhe nga ne duhet që të mos i bëjmë të mendojnë për divorcin. Tani i takon UBT që të përfshihet në këtë projekt me mendje dhe zemër. Stafi akademik i një universiteti evropian në të gjithë kuptimin e fjalës këtu në Tiranë, janë të garantuara, qeveria do jetë në mbështetje të vazhdueshme me përzgjedhjen, por nuk ndërhyjmë në procese akademike. Austria jo vetëm na mbështeti, por vendoset që tashmë të bëheni heroi ynë pasi jeni menaxheri i programit dhe do të jeni ju në mes dhe njeriu që garanton martesën mes nesh që të dyja palët të jenë të lumtura dhe kur të kenë zënka t’i qetësoni”, -tha kreu i qeverisë.