Kryeministri Rama: “Synojmë konsensus me opozitën”

555
Sigal

Kryetari i Kuvendit, Meta nuk futi në seancën e djeshme  në votim Aktin Normativ. Opozita fiton përpjekjen e parë.

Edhe pse ishte planifikuar për t’u votuar në seancën e djeshme të Kuvendit,  Akti Normativ për “nëpunësin civil”, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke parë se opozita e bojkotoi seancën, e hoqi nga rendi i ditës, duke i dhënë kohë forcave politike, të gjejnë një konsensus politik. Sido që të jetë, kjo shtyrje, mosvotimi dje i Aktit Normativ, mund të merret edhe si një “fitore” e opozitës së Djathtë, por, edhe si një përpjekje e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. për një qasje të re në marrëdhëniet maxhorancë-opozitë, për të përdorur të gjitha mjetet, mënyrat, armët e gjetjes së gjuhës së përbashkët të mirëkuptimit e bashkëpunimit, të arritjes së një konsensusi të gjerë politik.

Rama, pajtohet me Metën për shtyrjen e votimit të Aktit Normativ

Është mëse e qartë, që vendimi i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, të shtyjë votimin e Aktit Normativ, për një seancë tjetër, për shkak të bojkotit të opozitës, nuk ishte një vendim i marrë paraprakisht në konsultë me Kryeministrin Rama, ndryshe, nuk do të ishte në rendin e ditës. Mirëpo, edhe kryeministri Rama e përshëndeti qasjen e Metës. Duke thënë, se “Forca numerike nuk na mungon, na e njeh dhe Kushtetuta, por kërkojmë mirëkuptimin e opozitës lidhur me aktin normativ për ligjin e ‘Nëpunësit Civil’. Përshëndes në emër të qeverisë, qasjen e Kryetarit të Kuvendit, në raport me procesin për të shkuar drejt miratimit të Aktit Normativ, duke bërë edhe një shtyrje tjetër nga axhenda, për të vazhduar në kërkim të konsensusit të opozitës dhe në përpjekjen tonë për të ndihmuar edhe opozitën që të gjejë rrugën e arsyes lidhur me domosdoshmërinë e një vendimmarrjeje të këtij Kuvendi, për të mos lejuar vakumin që do të shkaktonte pozicioni i prerë që opozita e kërkon qorrazi, por që në fakt është paralajmëruar nga Departamenti i Administratës Publike më parë, se sa kjo shumicë të betohej këtu në këtë Kuvend dhe njëkohësisht edhe nga drejtuesit e projektit SIGMA të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në diskutimin dhe miratimin e aktit normativ për ligjin e “Nëpunësit civil” dhe t’i shërbejë konsensusit për ta bërë deri në fund ligjin të zbatueshëm. “Mbetemi në dispozicion dhe në ditët në vijim për një afat të arsyeshëm dhe ditët më vonë për të gjetur rrugët e arsyes dhe konsensusit. Ne kemi gjithë forcat numerike që të garantojmë atë konsensus që Kushtetuta parashikon përtej forcës së thjeshtë. Por përpara se të kërkojmë forcën kushtetuese kërkojmë mirëkuptimin e opozitës, nëpunësve të administratës dhe atyre që parashikon ligji i vjetër dhe ata që parashikon ligji i ri në mënyrë që votimi të jetë shprehje e këtij mirëkuptimi”. Sipas Ramës, për çdo ligj maxhoranca do të dëgjojë çdo palë, por nuk do të harrojë të udhëheqë. “Do i dëgjojmë të gjitha palët, por do të udhëheqim se jemi votuar për të udhëhequr”. Kryeministri u shpreh se maxhoranca e re nuk do të bëjë gabimet e maxhorancës së kaluar dhe se do të japë kohë për konsensus. Ai tha se do të jepet koha për arritjen e një marrëveshje, por ka shtuar se koha do të jetë deri në një afat të arsyeshëm. “Duke e garantuar opozitën që kjo shumicë është këtu për të mos përsëritur asnjë faj, gabim, e vijë sjelljeje në vazhdën e sjelljes së vjetër dhe duke shprehur vullnetin e plotë për të vazhduar të dialogojmë me të gjitha pjesët e opozitës, pa asnjë përjashtim, mbetemi në dispozicion edhe në ditët në vijim e në një afat të arsyeshëm për disa ditë më vonë, për të gjetur rrugën e arsyes dhe të konsensusit”,- u shpreh sot kryeministri Edi Rama.

Kuvendi zgjedh Petrit Ahmetin në krye të ERE-s

Kuvendi miratoi në seancën e sotme me 74 vota pro, 1 votë kundër dhe 1 abstenim kandidaturën e Petrit Ahmeti në krye të bordit të Entit Rregullator të Energjisë(ERE). Deputetët, votuan në mënyrë të fshehtë me elektronikë për dy kandidaturat alternative për këtë pozicion, për zotin Petrit Ahmeti dhe zotin Agim Nashi, të propozuara nga Ekipi Përzgjedhës, që përbëhet nga kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat dhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë.

Kuvendi miraton Sokol Çomon, si anëtarin e KLD-së

Kuvendi miratoi dje  me 76 votat pro të maxhorancës kandidaturën e Sokol Çomos për postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z.Çomo, i propozuar nga deputetët e shumicës, u zgjodh në vend të Neshat Fanës, të cilit i përfundoi mandati më 28 korrik 2013.